E pamjaftueshme/ Qeveria u caktoi vetëm 1 mijë lekë shtesë mbështetje, ja qytetarët që goditen nga rritja e çmimit të energjisë

Shqipëria

E pamjaftueshme/ Qeveria u caktoi vetëm 1 mijë lekë shtesë mbështetje, ja qytetarët që goditen nga rritja e çmimit të energjisë

Më: 24 shtator 2022 Në ora: 13:00
Foto ilustrim

Personat me Aftësi të Kufizuar do të marrin vetëm 1 mijë lekë shtesë, në masën e kompensimit për dritat. Vendimi është miratuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë. Konkretisht, për PAK, masa e përfitimit si kompensim për dritat nga 2000 lekë që është aktualisht, prej 1 tetorit do të bëhet 3000 lekë.

Ndërsa për të verbrit, vlera e kompensimit nga 1400 lekë do të bëhet 2400 lekë në muaj. Por kjo mbështetje është minimaliste dhe e pamjaftueshme në një kohë kur fatura e dritave do të 4-fishohet pas aplikimit të çmimeve të ndryshuara.

“Një tjetër vendim i rëndësishëm është marrë nga qeveria në lidhje me mbështetjen për energjinë elektrike, për kompensimin e masës së ndihmës për energjinë elektrike për personat të cilët kanë status të aftësisë së kufizuar paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër, të cilëve u rritet masa e mbështetjes për kompesimin për energjinë elektrike. Kjo masë mbështetjeje për personat me aftësi të kufizuar para dhe tetraplegjikë që e kanë këtë masë mbështetjeje nga statusi dhe gjithashtu për personat e verbër të kategorisë së parë kjo masë mbështetjeje shkon nga 2,000 lekë të reja që është aktualisht, në 3,000 lekë të reja. Ndërsa për sa u përket personave, të cilët kanë status të verbër të kategorisë së dytë nga 1,400 lekë të reja që është sot, shkon në 2,400 lekë të reja. Nga kjo mbështetje përfitojnë më shumë se 12 mijë persona, të cilët përfitojnë nga statusi”, tha Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Me 10 për qind do të rritet edhe ndihma ekonomike, ndërsa për kategori të caktuara siç janë të moshuarit që nuk përfitojnë pension pleqërie apo pension social, do të përfitojnë dyfishim të asistencës mujore.

“Nga data 1 tetor rritet me 10% masa e pagesës së ndihmës ekonomike për të gjitha familjet, të cilat janë përfituese nga programi i asistencës sociale. Gjithashtu, dyfishojmë masën e pagesës për ndihmën ekonomike për gratë kryefamiljare që kanë dy fëmijë. Nga ana tjetër, kemi vendosur të dyfishojmë gjithashtu pagesën e ndihmës ekonomike për të moshuarit, të cilët janë pa pension pleqërie apo pa pension social. Janë mbi 64 mijë familje që do të përfitojnë nga rritja e ndihmës ekonomike. Është një mbështetje e qëndrueshme dhe afatgjatë”, tha Manastirliu.

Prej fillimit të këtij viti, qytetarët po përballen me çmime thuajse të dyfishuara për produktet e shportës. Por çfarë ka rënduar edhe më tej xhepat e qytetarëve janë rritja në shifra gati rekord e çmimeve të karburanteve. Për ekspertët dhe opozitën, mbështetja e ofruar është pamjaftueshme për të përballuar efektet e krizës.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratën përmbyllëse, ndërsa e konsideroi sfidë rritjen e çmimeve për produktet dhe energjinë elektrike kërkoi nga qeveria që të rrisë mbështetjen për shtesat në nevojë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat