Protesta e mbajtur dje në Podgoricë, Berisha: Ishte kundër Ballkanit të Hapur, paralajmërojmë Ramën dhe Vuçiç se…

Shqipëria

Protesta e mbajtur dje në Podgoricë, Berisha: Ishte kundër Ballkanit të Hapur, paralajmërojmë Ramën dhe Vuçiç se…

Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 21:35
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në mbështetje të protestës së organizuar ditën e djeshme në Podgoricë të Malit të Zi.

Përmes një postimi të publikuar në faqen e tij në Facebook, Berisha shprehet se qytetarët e Malit të Zi dolën në protesta kundër nismës së “Ballkanit të Hapur”.

Berisha tha se ky projekt ka si qëllim madhor vendosjen e hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon, prandaj sipas tij duhet kundërshtuar me çdo mënyrë.

Ai shton se në mbështetje të këtij projekti është edhe miliarderi George Soros me të birin, Aleksin.

“Qytetarët e Malit të Zi ishin dje në darkë në protestë të fuqishme në Podgoricë kundër Ballkanit të Hapur, aleancës përçarëse trilaterale të serbomadhit Aleksandar Vuçiç dhe vasalëve të tij në Tiranë dhe Shkup.

Ky projekt, që ka si qëllim madhor vendosjen e hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon, mbështetet haptas nga diktatori Vladimir Putin dhe ministri i tij Lavrov.

Ky projekt mbështetet gjithashtu edhe nga George dhe Aleks Soros, i kundërvihet procesit të Berlinit dhe mbjell sherr e konfliktualitet në rajonin tonë.

Partia Demokratike e Shqiperisë përshëndet dhe mbështet plotësisht protestat e qytetarëve të Podgoricës kundër Ballkanit të Hapur dhe paralajmëron Edi Ramën dhe padronin e tij Vuçiç se nuk do të pranojë samite të kësaj nisme destabilizuese në Shqipëri.

Mbështetje të plotë qytetarëve të Malit të Zi! #sb”, u shpreh Berisha.

Kujtojmë se të hënën në mbrëmje, para selisë së parlamentit në Podgoricë, u zhvillua protesta e tretë radhasi, ku me mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet e vendit, kërkuan tërheqjen e ndryshimeve të Ligjit për Presidentin, miratimin e marrëveshjes për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Mal të Zi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat