Shqipëri, sulmi kibernetik, nën akuzë 5 ekspertë të Administratës Publike për "shpërdorim detyre"

Shqipëria

Shqipëri, sulmi kibernetik, nën akuzë 5 ekspertë të Administratës Publike për "shpërdorim detyre"

Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Në Shqipëri, 5 ekspertë të Teknologjisë së Informacionit në administratën publike janë vënë nën akuzë për “Shpërdorim detyre”, lidhur me sulmin kibernetik të muajit korrik, i cili goditi sistemet qeveritare të informacionit

Ndaj të 5 ekspertëve, dy prej të cilëve përgjegjës sektori në Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Burgjeve, Prokuroria kërkoi “arrest shtëpie”, por gjykata e Tiranës vendosi një masë edhe më të lehtë, atë të “detyrim për paraqitje”.

Një raport i kompanisë Microsoft, ka vlerësuar se sulmi kibernetik është mundësuar përmes platformës “administrata.al”. Prokuroria thotë se gjatë sulmit janë shfrytëzuar dobësitë e sistemeve të instaluara nga kompani private, të cilat nga njëra anë nuk kanë bërë përditësimin e tyre, dhe nga ana tjetër kanë keqkonfiguruar pjesë të sistemeve. Nga hetimi i brendshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ka rezultuar se ekspertët e administratës publike, nuk kanë respektuar rregulloret e brendshme. “Stafi i Teknologjisë së informacionit, pranë Departamentit të Administratës publike (DAP) mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem. Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit, dhe Rregullores së Brendshme të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, (AKSHI) duke kërkuar informacion dhe duke u përditësuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t”, shpjegon Prokuroria e Tiranës në njoftimin zyrtar për rastin.

Autoritetet shqiptare bën përgjegjëse Qeverinë e Iranit si organizatore të sulmit duke u kundërpërgjigjur me ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet.

Ky veprim i Qeverisë shqiptare, u pasua me një tjetër sulm në shtator ndaj sistemeve të policisë së Shtetit./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat