Primaret në Partinë Demokratike, Floriana Garo: Lideri i patronazhistëve nxori kryet nga strofulla e enverizmit

Shqipëria

Primaret në Partinë Demokratike, Floriana Garo: Lideri i patronazhistëve nxori kryet nga strofulla e enverizmit

Më: 4 dhjetor 2022 Në ora: 14:18
Zëdhënësja e Partisë Demokratike Floriana Garo

Zëdhënësja e Partisë Demokratike Floriana Garo ka bërë një deklaratë nga selia blu në lidhje me procesin e primareve për zgjedhjen e kandidatëve për 14 Majin.

Ajo deklaroi se sot kur vëmendja e shqiptarëve është mbi primaret kryeministri i referohet sërish patronazhistëve të tij duke e cilësuar atë një makineri të pathyeshme.

“U bëjmë thirrje OSBE-ODHIR, Komisionit Europian, dhe të gjithë organizmave relevantë në çështjet zgjedhore dhe demokracisë, të monitorojnë sjelljet repetitive dhe recidiviste të këtij vrasësi serial të proceseve zgjedhore”, tha Garo.

Deklarata e plotë

Pikërisht në ditën kur vëmendja e shqiptarëve, medias dhe politikës, është e plotë mbi primaret në Partinë Demokratike, nga strofulla e enverizmit nxjerr kryet me qoshe diktatoriale, lideri suprem i patronazhistëve.

Edi Rama sapo sharroi sërish me plumba të drejtën e votës dhe lirinë e zgjedhjes, kur iu referua patronazhistëve të tij, një sistemi infamoz dhe mafioz, që ka thyer rëndë besimin e shqiptarëve te zgjedhjet, duke i njollosur ato përmes spiunimesh dhe manipulimesh.

Me sistemin e patronazhistëve jemi një makineri e pathyeshme, tha Rama. Ai harron, ose bën sikur, se çka ai quan sistem është kritikuar dhe kundërshtuar, si nga ODHIR ashtu dhe nga Komisioni Europian.

Çka ai quan sistem, nuk është gjë më shumë se një rrjet bracash elektoralë, hajdutë xhepash, që fusin duart në një ndër proceset më intime dhe të pavarura ndër të drejtat e njeriut, zgjedhjen e lirë nëpërmjet votes së fshehtë.

Çka ai quan sistem, nuk është gjë tjetër veçse skota pararendëse e ajatollahizmit elektoral, që u pasua nga sulmi kibernetik Iranian. Çka Rama quan ‘makineri të pathyeshme’ raporti i ODHIR e klasifikon si më poshtë:

“Rrjedhja e të dhënave  personale  sensitive  të  rreth 900,000  shtetasve  shqiptarë  para  zgjedhjeve,  duke  përfshirë  edhe preferencat  e  tyre  politike,  u kthye  në  shqetësim  serioz  dhe  i  bëri  zgjedhësit  vulnerabël  ndaj  presionit.

Ndarja  ose  kombinimi  i  paautorizuar  i  të  dhënave  personale  të  votuesve  për  qëllimet e  supozuara  të  angazhimit  demokratik  mund  të  konsiderohet  shkelje  e  angazhimit  për  mbrojtjen  e të  drejtës  për  jetën  private  dhe  familjare.

Kjo  mund të  dëmtojë  besimin  e  elektoratit,  duke përfshirë  edhe  besimin  te  fshehtësia  e  votës  së  tyre”.

Partia Demokratike dënon me forcë këtë riangazhim në poshtërsi dhe këtë mburrje në hajdutëri të Edi Ramës dhe shpurës së tij, me dosje që shtrihen nga malet e Dibrës në faqet e gazetës Bild në Berlin.

U bëjmë thirje OSBE-ODHIR, Komisionit Europian, dhe të gjithë organizmave relevantë në çështjet zgjedhore dhe demokracisë, të monitorojnë sjelljet repetitive dhe recidiviste të këtij vrasësi serial të proceseve zgjedhore.

Shqiptarëve u përsërisim thirrjen se dalja në shesh më 6 dhjetor, është një kambanë alarmi që e drejta e votës të mos ju merret nga ajatollahët e Ramës, por të jetë e tyrja.

Ashtu siç u respektohet qytetarëve të gjithë shtetarëve europianë që vijnë të martën në Tiranë, ashtu duhet respektuar edhe e drejta e tyre për votë të lirë dhe të fshehtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat