​Begaj në takim me Peach vlerëson vullnetin e Kosovës për të pranuar planin evropian

Shqipëria

​Begaj në takim me Peach vlerëson vullnetin e Kosovës për të pranuar planin evropian

Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 13:09
Bajram Begaj dhe Stuart Peach

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot të ngarkuarin e Posaçëm të Qeverisë britanike për Ballkanin Perëndimor, lordin Stuart Peach, me ç’rast vlerësoi vullnetin e Kosovës për të pranuar në parim planin e Bashkimit Evropian.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se presidenti Begaj në këtë takim ka theksuar rëndësinë e arritjes sa më parë të një marrëveshje gjithëpërfshirëse e të zbatueshme mes palëve, njofton KosovaPress. 

“Duke u ndalur tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti Begaj, vlerësoi vullnetin e demonstruar së fundmi nga autoritetet e Kosovës për të mirëpritur propozimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe nënvizoi domosdoshmërinë e arritjes sa më parë të një marrëveshje gjithëpërfshirëse e të zbatueshme mes palëve”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se Begaj vlerësoi edhe vëmendjen e madhe që qeveria britanike i kushton rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe përshëndeti rolin e Lord Peach në promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe mbështetjen për adresimin e sfidave të lidhura me sigurinë.

“Lidhur me zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit, presidenti Begaj nënvizoi faktin, se rajoni po kalon momente të vështira sa i përket paqes dhe sigurisë, të ndikuara edhe nga influenca ruse tek disa prej akterëve rajonalë”.

Sipas komunikatës, Begaj dhe Peach nënvizuan rëndësinë e madhe që ka ruajtja e unitetit, solidaritetit dhe kohezionit mes vendeve anëtare të NATO-s në përballimin e efekteve të agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe influencave ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa, lidhur me zhvillimet në Shqipëri, të dy bashkëbiseduesit u ndalën tek përgatitjet e vendit për zgjedhjet e ardhshme vendore, të datës 14 maj të këtij viti, tek angazhimet e institucioneve ligjzbatuese shqiptare në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe bashkëpunimin shumë të rëndësishëm me agjencitë respektive të Mbretërisë së Bashkuar, përfshirë edhe në kuadër të sigurisë kibernetike.

Aty thuhet se nga ana e tij Peach nënvizoi interesin dhe vëmendjen e shtuar të qeverisë britanike për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe vlerësoi kontributin e Shqipërisë si vend anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht lidhur me agresionin në Ukrainë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat