KQZ publikon rezultatet e para, Rama nis festën, Berisha kërkon auditim të rezultatit elektronik

Shqipëria

KQZ publikon rezultatet e para, Rama nis festën, Berisha kërkon auditim të rezultatit elektronik

Nga: Bota sot Më: 14 maj 2023 Në ora: 07:19 Përditësuar në ora: 20:41 më 14.05.2023
Foto nga zgjedhjet

Celibashi bën përmbledhje të procesit të votimit: Pjesëmarrja 34.37% për qendrat që votuan elektornikisht. 35 denoncime

Pas përfundimit zyrtar të procesit të votimit në të gjitha bashkitë, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka bërë një përmbledhje të deri tanishme, teksa shifrat ende po përditësohen.

“Procesi i votimit ka përfunduar  në të gjitha qendrat e votimit. Komisonerët janë duke protokolluar këtë proces.  70% e KQV kanë pasur anëtarin e plotë me 7 anëtarë, 4% vetëm me 4 anëtarë. Kemi konstatuar që në 11% të QV kanë hasur vështirësi lidhur me aksesin. Kemi konstatuar se vetëm 62 qendra votimi nga 5 mijë e 200 janë konstatuar shkelje.

Kemi pasur pezullime ne 40 qendra votimi. Në 30 qendra është konstatuar votim në grup apo familjar, ka pasur edhe votimi jashtë zonës së fshehtësisë. Ne dy qendra votimi te bashkive që është votuar në sistem Elektronik është përdorur vetëm një nga dy makinat dhe procesi ka shkuar shumë mirë. Kemi administruar në total 35 denoncime.

Nga raportimet e para që kemi marrë, në të gjitha qendrat është duke përfunduar dorëzimi i bazës materiale. KZAZ- Ne te gjitha QV po behet transporti i materialeve.

Pjesëmarrja 34.37% për QV që është raportuar në mënyrë elektronike nëpërmjet PEI.

Votues për herë të parë ishin. 16.597. Nga raportimet, ka pasur 1094 tentativa për votim të dyfishtë.”- tha Celibashi.

Rama bën parashikimin: PS merr mbi 50 bashki

Pas përfundimit të procesit të votimit në zgjedhjet lokale në Shqipëri, ka reaguar kryeministri shqiptar njëherësh edhe kryetari i PS, Edi Rama duke parashikuar një fitore të thellë të partisë që ai drejton.

Sipas një parashikimi të tij, PS-ja do të fitojë me mbi 50 për qind.

Derisa opozita nuk do të marrë më shumë se 11 bashki.

Kështu ka lënë të nënkuptohet nga Rama përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Sot në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet lokale.

Qytetarët shqiptarë patën mundësi të votonin për t’i zgjedhur 61 kryetarë bashkish.

Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit në Sarandë dhe Delvinë

Tashmë është mbyllur procesi i votimit në Sarandë dhe Delvinë, ndërsa në Konispol pritet të bëhet pas disa minutash.

Saranda ka përfunduar procesin e votimit në 54 qendrat e KZAZ nr. 90.

Deri më tani raportohet për një pjesëmarrje prej 30.59 %.

Ndërsa në Delvinë është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit në të 22 qendrat e KZAZ nr. 89. Pjesëmarrja e votuesve është 32.22 %.

Mbyllet procesi në të gjitha qendrat e votimit në Lushnjë, pjesëmarrja 33.80%

Mbyllet votimi në Lushnjë, në të 156 qendrat e votimit.

Komisionerët po vulosin kutitë e votimit, të cilat më pas do të dërgohen në KZAZ përkatëse.

Votat në Lushnjë do të numërohen në dy KZAZ, në KZAZ 54 dhe KZAZ 55.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pjesëmarrja në Lushnjë është 33.80%.

Flamur Noka shkakton incident në Elbasan, konfliktohet fizikisht me kundërshtarët

Sekretari i Përgjithshëm i foltores Flamur Noka ka shkaktuar një incident në Shirgjan të Elbasanit.

Sipas procesverbalit të firmosur nga komisioni i votimit, Noka u paraqit pranë qendrës në dhomën e votimit në orën 16:46 duke shkaktuar presion dhe debat me tone të larta, të bërtitura dhe intimiduar anëtarët e komisionit dhe vëzhguesit.

Gjatë debatit, Noka është konfliktuar edhe fizikisht çka ka detyruar ardhjen e policisë.

Më datë 14.05.2023, rreth orës 17:00, Policia është njoftuar se në Qëndrat e Votimit të fshatrave Kuqan dhe Shirgjan, drejtuesi politik i koalicionit “Bashkë Fitojmë“, deputeti F. N. ishte futur në QV-në e fshtatit Kuqan dhe ka ofenduar komisionerët, ndërsa në qendrën e votimit në Shirgjan ka tentuar të shtyjë kutitë dhe është larguar. Nga ana e komisionerëve nuk është kërkuar ndërhyrja e Policisë.

Në lidhje me njoftimin e marrë, është njoftuar menjëherë Prokurori.

Nga ana e Policisë, në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë veprimet verifikuese dhe procedurale në lidhje me të dyja rastet.

Mbyllet orari zyrtar i votimit për zgjedhjet lokale

Mbyllet orari zyrtar i votimit. Urdhri i KQZ është shumë i qartë për të gjithë komisionerët.

Kryekomisionieri Ilirjan Celibashi tha se në të gjitha qendrat e votimit në të cilat do të ketë qytetarë që presin në radhë, procesi do të jetë i hapur deri kur qytetari i fundit të shprehë vullnetin e tij.

Deri në 18:00 kanë votuar 36.39 e votuesve në të gjithë vendin. Kukësi, Dibra dhe Tirana janë 3 bashkitë me pjesëmarrjen më të madhe në votime. Në Kukës, pjesëmarrja është 51.96%, në Dibër 43.5% dhe në Tiranë 40.24%.

Raportimet për këto shifra janë kryer nga 2662 qendra votimi, nga 5213 në total.

Raportohen incidente në disa qendra votimi në Elbasan, ndërhyn menjëherë policia

Në disa qendra votimi në Elbasan janë raportuar probleme, ku është dashur ndërhyrja e forcave të policisë.

Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2422/1, në Mengel, Elbasan, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi vëzhguesit ishin paraqitur pa beixh për procesin zgjedhor dhe pa dokument identifikimi.

Punonjësit e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë ndërhyrë në Qendrën e Votimit dhe pas verifikimit të situatës, vëzhguesit që nuk kishin mjete identifikimi janë zëvendësuar me vëzhgues të tjerë.

Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas rifillimit të procesit të votimit, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.

Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2930/01, në Bradashesh, Elbasan, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, për të larguar nga Qendra e Votimit, shtetasin E. Ll., pasi dyshohej se po ndikonte tek votuesit.

Shërbimet e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi, ku pas verifikimit ka rezultuar se shtetasi E. Ll. kishte ndihmuar fqinjin e tij për të votuar, por nuk kishte ndikuar në zgjedhjen e tij.

Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas verifikimit të rastit, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.

Komisioni i Qëndrës së Votimit nr. 2373, në lagjen “Partizani”, ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi njëri nga vëzhguesit e Qendrës së Votimit kishte debatuar me operatoren e kësaj Qendre.

Shërbimet e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi, ku pasi kanë sqaruar situatën, janë larguar nga Qendra e Votimit, po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit.

Për të trija rastet është vënë në dijeni edhe prokurorit i gatshëm.

Publikohet skandali i madh, kryetarja e Komisionit fsheh poshtë tavolinës fletët e votimit

Ditën e sotme ka nisur votimi në të gjithë Shqipërinë për të zgjedhur kryetarët e rinj të Bashkive në vend ku nuk kanë munguar as incidente dhe denoncime.

Në një video të shpërndarë në internet kanë nisur dyshimet se në një qendër votimi Kryetarja e komisionit fsheh një fletë poshtë tavolinës.

Kjo ka hapur dyshime duke ngritur pyetjet se çfarë ishte ajo fletë e cila po fshihej dhe pse u fut poshtë tavolinës.

Të gjitha këto dyshime erdhën pasi në video duket kryetarja e komisionit e cila pasi fut fletën e dyshimtë poshtë tavoline dhe më pas ul mbulesën për të mos u vënë re.

Ende nuk dihet se çfarë ishte ajo fletë por videoja po qarkullon në të gjithë rrjetin.

​Votimi në Shqipëri, deri në orën 16:00 votuan vetëm 32.19 % e qytetarëve

Deri rreth orës 16:00 pjesëmarrja në votime duket e ulët, teksa kanë votuar 32,19 % e qytetarëve.

Të dhënat përditësuara nga KQZ vijnë nga 2694 qendra votimi nga 5211 në total.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, deri më tani numri i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës është 619193 nga 1923650 zgjedhës në listat e qendrave të votimit.

Pjesëmarrja në votime në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021 në të njëjtën orë 41.25 për qind.

Këtë 14 maj, qytetarët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e bashkive si dhe anëtarët e këshillave bashkiakë për 4 vitet në vijim.

Nga Devolli në Skrapar, bashkitë ku po “digjen” kutitë, pjesëmarrje e lartë në votime

Deri në orën 15:00 tani kanë votuar 29.51% e qytetarëve. Të dhënat e përditësuara nga KQZ  vijnë nga 2592 prej 5213 qendrave të votimit që janë në total.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ deri më tani numri i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës është 550812 nga 1866777 zgjedhës në listat e qendrave të votimit.

Këtë 14 maj, qytetarët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e bashkive si dhe anëtarët e këshillave bashkiak për 4 vitet në vijim.

Sa i përket bashkive, në Tiranë raportohet një pjesëmarrje relativisht e ulët. Deri më tani sipas KQZ-së kanë votuar 31.24 %, në Durrës 25.49 % dhe në Elbasan, 28.86 %.

Ndërkohë bashkitë ku ka një pjesëmarrje të madhe, janë Devolli, Pusteci, Fushë-Arrëzi, Puka, Kukësi, Skrapari dhe Dibra.

Në Devoll deri në orën 15:00 kanë votuar 42.46 %.

Në Pustec deri në orën 15:00 kanë votuar 48.05 %.

Në Fushë-Arrëz deri në orën 15:00 kanë votuar 46.24 %.

Në Pukë deri në orën 15:00 kanë votuar 46.17 %.

Në Kukës deri në orën 15:00 kanë votuar 42.97 %.

Në Skrapar deri në orën 15:00 kanë votuar 42.23%.

Në Dibër deri në orën 15:00 kanë votuar  35.66 %.

Pjesëmarrja e lartë në zgjedhje është një shenjë e mundësisë së ndryshimit të pushtetit në bashki apo nivel të qeverisjes qendrore. Duke parë këtë pjesëmarrje në këto bashki, është interesant të shihet edhe rezultati i zgjedhjeve pas mbylljes së kutive.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat