Edhe pak orë nga mbyllja zyrtare e qendrave të votimit, Belind Këlliçi ka një thirrje të fundit për qytetarët
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka bërë thirrjen e radhës për qytetarët e kryeqytetit, që t’i drejtohen kutive të votimit për të votuar.
Ai tha se kjo është një ditë e veçantë dhe se pjesëmarrja e qytetarëve ka rëndësi të veçantë.
“E ardhmja që ju doni është shumë pranë.
Të rinj të reja burra e gra, të moshuar. Ushtroni detyrën tuaj si qytetarë. Dilni të votoni nëse do i që pas 14 majit autobusin ta keni pa pagesë, nëse doni taksa më të ulëta dhe një Tiranë ndryshe. Dilni masivisht në votim. Dita kur kurorëzohet mundi ynë. Pjesëmarrja juaj ka një rëndësi të veçantë. kushtet atmosferike mbase nuk janë më të mira, por qytetarët e Tiranës duhet të shkojnë në qendrat e votimit për të bërë ndryshimin”, tha ai.
Pjesëmarrja në votime/ KQZ përditëson të dhënat: Votuan mbi 27% të qytetarëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat lidhur me numrin e pjesëmarrësve në zgjedhjet vendore.
Sipas përditësimit më të fundit, deri në orën 14:00, pjesëmarrja në votime është 27.34%.
Kjo shifër konsiderohet relativisht e ulët, ndërsa kanë mbetur dhe më pak se katër orë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre.
Në Tiranë kanë votuar 28.97 % e qytetarëve, në Durrës 23.37 % dhe në Elbasan 26.50 %.
Partitë politike kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në votime, në mënyrë që çdo qytetar të mund të zgjedhë nga kush dëshiron të drejtohet në 4 vitet e ardhshme.
Emigrantët kthehen në Shqipëri për zgjedhje, 4452 hyrje në Kakavijë
Një pjesë jo të vogël të votuesve ditën e sotme në zgjedhjet vendore, e përbëjnë edhe emigrantët që kanë ardhur nga jashtë për të votuar.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se vetëm në pikën kufitare të Kakavijës ka pasur 4452 hyrje nga jashtë dhe 1400 dalje nga vendi ynë.
Pjesëmarrja në votime nuk ka qenë shumë e lartë gjatë paradites, por pritet që deri në orën 19:00 të rritet numri i personave që ushtrojnë të drejtën e votës.
Votimet deri në mesditë në të gjithë vendin, ky është qyteti model me pjesëmarrjen më të lartë
Pjesëmarrja në votime në rang vendi deri në orët e mesditës përllogaritet deri në 23%. Shifrat janë publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Deri më tani qyteti me pjesëmarrjen më të lartë me mbi 40% është Puka, ndërkohë që qyteti me pjesëmarrjen më të ulët deri tani është Finiqi me 13.29%.
Më poshtë pjesëmarrja në disa qytete të vendit deri në orën 13:00
Puka 41.46%
Finiqi 13.29%
Shkoder 20.66%
Tirane 23.41%
Tropoje, 32.84%
Vlore, 14.38%
Diber 29.01%
Fier, 18.67%
Kukes 34.11%
Mirdite 31.16%
Problemi me pajisjet elektronike, KQZ urdhëron regjistrim manual të votuesve
Kreu i KQZ-së në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, derisa ka informuar në lidhje me ecurinë e procesit zgjedhor në Tiranë, ka bërë të ditur se kanë zhbllokuar problematikën me pajisjet e identifikimit duke urdhëruar regjistrimin manual në të gjitha qendrat e votimit që kanë probleme gjatë identifikimit të votuesve.
Celibashi tha se kjo në mënyrë që mos të pengohet procesi i votimit, raporton KosovaPress.
Celibashi: Procesi i identifikimit të bëhet në mënyrë tradicionale
“Në vlerësim të situatës dhe problematikave kemi vlerësuar bashkë me komisionarët për të mos penguar procesin e votimit, urdhëruam që ky proces të bëhet me mënyrën tradicionale pasi në aspektin teknik nuk kishim asnjë mundësi më shumë që të prisnim. Në lidhje me natyrën e problemeve është shumë herët për të thënë se cilat mund të jenë arsyet”, tha Celibashi.
Ai ka treguar edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në qendrat e votimit.
Celibashi: Janë 533 qendra votimi për të cilat ne nuk kemi informacione
“Në momentin që ne flasim janë 4464 qendra votimi të cilat funksionojnë normalisht në kuptim të pajisjes elektronike të identifikimit. Pra, në 4 mijë e 464 qendra votimi procesi identifikimit të votuesve po bëhet nëpërmjet pajisjes elektronike të identifikimit. Janë 206 qendra votimi të cilat sipas informacionit që marrim nëpërmjet sistemit, na tregojnë se pajisja është e konfiguruar por nuk mund të marrim automatikisht informacion prej tyre. Ndërkohë janë 533 qendra votimi për të cilat ne nuk kemi informacione që do të thotë që pajisja nuk funksionon, funksionon pjesërisht ose plotësisht por nuk kemi këtë të dhënë nëpërmjet sistemit. Janë 532 tani se informacioni përditësohet në kohë reale, për të cilat supozohet në rastin më të keq që identifikimi të mos bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit”, tha ai.
Lirohen punonjësit e bashkisë Shkodër nga akuza për shpërndarje ushqimesh në këmbim vote! Policia: Nuk ka prova
Lirohen nga Gjykata e Shkalles së Parë tre punonjësit e Bashkisë Shkodër Ergys Ivziku, drejtor i arsimit, Petrit Dyli teknik shërbimesh në Drejtorinë e Arsimit dhe Mhill Volaj specialist i financës në Drejtorinë e Arsimit, pasi u kapën duke transportuar qese me ushqime.
Këta tre shtetas u arrestuan nga policia e Shkodrës si të dyshuar për shpërndarje të ndihmave ushqimore por në seancën për masën e sigurisë nuk kishte prova të mjaftueshme. Prokurorja Shqipnjola Milla kërkoi “detyrim paraqitje” për tre zyrtaret dhe Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë duke liruar këta tre shtetas.
Sipas burimeve i vetmi mesazh është transporti i ushqimeve nga një dyqan në një dyqan tjetër duke mos patur prova se këto ndihma do të shpërndaheshin për qytetar të ndryshëm në këmbim të votës siç pretendoi policia në momentin e arrestimit.
Tre zyrtarët e bashkisë Shkodër do t’i rikthehen normalisht punës së tyre.
Meta: Kush nuk voton nuk ka të drejtë as të ankohet, as të kërkojë llogari
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta bashkë me bashkëshorten Monika Kryemadhi dhe fëmijët votuan sot në kopshtin e numër 31, në rrugën “Pjetër Bogdani” në zonën e ish-bllokut.
Pas votimit, Meta luti qyetarët të të marrin pjesë në zgjedhje, sepse siç tha ai, nuk ka ndryshim pa pjesëmarrje.
Ai tha se një qytetar që nuk e ushtron të drejtën për të votuar, nuk ka të drejtë as të ankohet, as të kërkojë llogari.
Meta: Një qytetar që nuk e ushtron këtë të drejtë, nuk ka të drejtë as të ankohet dhe as të kërkojë llogari
“Me këtë rast, unë kam vetëm një lutje për qytetarët e Tiranës, për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, pjesëmarrje, pjesëmarrje dhe përsëri pjesëmarrje, sepse vetë demokracia është pjesëmarrje dhe nuk ka ndryshim pa pjesëmarrje. Njëkohësisht, gjëja më e rëndësishme, e drejta më e fuqishme që ka një qytetar në demokraci është vota, ajo është themeli i lirisë, i dinjitetit edhe i fuqisë së tij. Një qytetar që nuk e ushtron këtë të drejtë, nuk ka të drejtë as të ankohet dhe as të kërkojë llogari. Prandaj, ushtrojeni këtë të drejtë sot dhe vetëm përmes pjesëmarrjes, vetëm përmes kësaj mundësie të shkëlqyer që ju garanton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ju mund të bëheni pjesë e ndryshimit dhe t’u kërkoni llogari të gjithëve.”, tha Meta.
Në Shqipëri mbahen sot (e diel) zgjedhjet lokalet ku rreth 140 kandidatë do të synojnë të marrin drejtimin e 61 bashkive në tërë Shqipërinë.
Celibashi jep urdhrin: Persona të paautorizuar të largohen nga ambientet e votimit, policia të marrë masa
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat tha se është vënë në dijeni në lidhje me denoncimet për intimidim të qytetarëve në procesin zgjedhor që po mbahet sot.
Celibashi tha se KQZ po shqyrton të gjitha denoncimet dhe se procesi deri më tani po vijon i qetë dhe pa probleme, ku pjesëmarrja e votuesve deri më tani raportohet të jetë 21%.
“Është ecuria në procesin e votimit, 77% e qendrave e kanë filluar procesin në orën 7, 13% e kanë filluar në 7:30 dhe pjesa tjerër e kanë filluar pas orës 8, pasi kanë pasur probleme me pajisjen e identifikimit. Në orët e para të mëngjesit kishin probleme, por procesi është duke vazhduar qetë dhe pa probleme. Kemi pasur raportime për ndërprerje të energjisë në Fierzë dhe Shijak, probleme me fletët në Peqin dhe Fier në disa qendra votime. Në Devoll ka pasur probleme me kutitë e votimit, pasi ishte e dëmtuar. Mbi numrin e zgjedhësve llogaritet të jetë tek vlerat e 21%, për incidentet e mundeshe na janë raportuar dy. Një në Fushë-Krujë e Dibër, kemi raste denoncime.
14 janë denoncuar në aplikacion, lidhen me parregullsi të veprimeve të anëtarëve, funksionime të PEI, dhe aksesimit nga persona të kufizuar, kemi marrë shqetësime në lidhje me bojën dhe prezencën e personave të pautorizuar në qendrat e votimit. Në Elbasan është raportuar se fleta e votimit dhe lista kanë qenë të ndryshme, nga mediat na janë raportuar se fletët e votimit janë të shënuara. Autoritet nga policia duhet të adresojnë këtë shqetësim dhe të merren masa, qytetarët që nuk kanë lidhje me procesin e votimit të qëndrojnë në ambientet e votimit. Duhet ta boshatisin menjëherë, kush refuzon do marrë përgjegjësi”, tha ai.
Ndërpritet votimi në një qendër në Durrës, ikën sekretari dhe merr me vete vulën
Në një shkollë afër Spitallës është ndërprerë votimi pas një incidenti në ambientet e jashtme.
Ka pasur një sherr ndërmjet mbështetësve të dy forcave politike në korridor dhe sekretari që përfaqëson forcën “Bashkë Fitojmë” ka marrë vulën dhe është larguar çfarë ka bërë të ndërpritej votimi për 30 minuta.
“Pas sherrit që ndodhi në korridor, nga frika u larguan njerëzit, unë nuk u largova isha në oborr.”- tha sekretari.
Policia ka rrethuar zonën për të monitoruar dhe parandaluar sherre të tjera.
Sherri i ndodhur ka qenë jo i përmasave të vogla, ku dy palët janë qëlluar me grushte.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 10:30, Komisioni i Qendrës së Votimit 1428-2, KZAZ Nr. 24, Durrës, bazuar në urdhrin nr. 62, të datës 03.05.2023, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, me vendimin numër 13, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, për të larguar disa shtetas të paautorizuar që qëndronin në këtë Qendër Votimi dhe rrezikonin zhvillimin e rregullt të procesit të votimit.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e vendimit, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi dhe kanë larguar nga ambientet e kësaj Qendre, personat e paautorizuar dhe ata që pengonin zhvillimin e rregullt të procesit të votimit.
Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas normalizimit të situatës, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.
Voton kryekuvendarja Nikolla: Ta kthejmë këtë ditë në festë të demokracisë
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka ushtruar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet vendore që po mbahen në Shqipëri.
Ajo ka ftuar qytetarët të ushtrojnë lirisht e qetësisht të drejtën e tyre për të votuar.
Nikolla: Sot flet populli
“Sot është dita në fakt kur politikanët heshtin dhe flet populli për të ushtruar të drejtën e tij kushtetuese për të zgjedhur dhe unë uroj që masivisht qytetarët shqiptarë ta ushtrojnë këtë të drejtë duke zgjedhur kryetarët e bashkive dhe përfaqësuesit e këshillit bashkiak... Për të ushtruar të drejtën e tyre të votës qytetarët dhe për ta kthyer këtë ditë në një ditë feste demokracie”, deklaroi Nikolla.
Sipas orarit zyrtar, në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet në 61 bashkitë e Shqipërisë, proces i cili do të mbyllet në orën 19:00.
3,650,550 qytetarë me të drejtë vote janë të ftuar që të votojnë për të zgjedhur 61 drejtuesit e rinj të bashkive. 122 545 zgjedhës votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 14 majit.
Në këto zgjedhje garojnë në total 23 907 kandidatë për kryetarë bashkie dhe këshilla bashkiakë. Konkretisht në garë për kryetarë bashkie janë regjistruar 144 kandidatë, ndërsa 23 763 kandidatë të tjerë garojnë për këshillat bashkiakë.