Rihapen aplikimet, pronat e lira iu kthehen ish-pronarëve pa kufizime. Çfarë parashikojnë dy vendimet

Shqipëria

Rihapen aplikimet, pronat e lira iu kthehen ish-pronarëve pa kufizime. Çfarë parashikojnë dy vendimet

Më: 25 maj 2023 Në ora: 08:19
Foto nga vendngjarja

Të gjithë ish-pronarëve do t’u kthehet prona e konfiskuar nëse është e lirë, ose do të marrin kompensim financiar nga shteti, deklaroi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dje pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Manja tha se është miratuar edhe një tjetër vendim që i hap rrugë kthimit apo kompensimit të atyre dosjeve, që kanë mbetur të pa trajtuara. “Prona e lirë e ish-pronarëve kthehet pa kufizim. Për ata që është zënë apo që do të përdoren për interes publik do të ketë një masë të shpërblim financiar. Kur erdhëm, gjetëm mbi 26 mijë vendime, sot për 20 mijë vendime kemi bërë vlerësimin, prej 101 miliardë lekë dhe 974 vendime janë likuiduar. Pjesa tjetër për të cilat ka një faturë financiare, do të fillojmë me kompensimin. Për 7 mijë dosjet e ish-pronarëve që nuk janë trajtuar, i ftoj ish-pronarët të dorëzojnë dosjet”, tha Manja. Sipas tij, miratimi i dy vendimeve i jep fund çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave.

PERFITUESIT

Këshilli i Ministrave ka miratuar të mërkurën vendimet që i hapin rrugë procesit të njohjes së të drejtës së pronës dhe shpërblimi financiar për ish-pronarët duke hequr kështu çdo lloj pengese ligjore për të çuar përpara procesin e mbajtur peng prej dekadash. “Kaluam dy vendime të rëndësishme në lidhje me kompensimin e pronave, të cilat i hapin rrugë përfundimisht zgjidhjes të procesit të kompensimit të pronave në Republikën e Shqipërisë. Para pak kohësh në Kuvend miratuam disa ndryshime që kishin të bënim me ligjin për trajtimin e pronës të cilat ishin reflektim të vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Me këto dy vendime, sot kompletojmë paketën e akteve nënligjore në zbatimet e këtij ligji. Tashmë procesi i njohjes së të drejtës së pronës dhe shpërblimi financiar për ata që do të kompensohen nuk ka asnjë pengesë ligjore. Çdo ishpronar që ka kërkesë në Agjencinë e Pronave ose do të bëjë një kërkesë për njohjen e pronës, dhe që prona është e lirë, i kthehet fizikisht siç e kanë pasur kur i është konfiskuar nga shteti.

Pra, prona e lirë e ishpronarëve kthehet pa asnjë kufizim. Ndërsa ata ish-pronarë, që i është zënë prona me ndërtime informale, ose që do përdoret për shërbime publike, do kenë një shpërblim financiar sipas asaj metodologjie të certifikuar edhe në Gjykatën e Strasburgut por edhe nga Gjykata jonë Kushtetuese”, shtoi ministri i drejtësisë duke shtuar më tej se këto dy vendime konsolidojnë skemën e kompensimit të pronave në Shqipëri. Kështu, ish-pronarët duhet të ridepozitojnë dokumentet në Agjencinë e Trajtimit të Pronave për procesin e njohjes ose kompensimit financiar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat