Eksperti i BE në podcastin e Ditmir Bushatit: Integrimi nuk është në dorën tuaj!

Shqipëria

Eksperti i BE në podcastin e Ditmir Bushatit: Integrimi nuk është në dorën tuaj!

Më: 10 qershor 2023 Në ora: 09:05
Gerald Knaus dhe Ditmir Bushati

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka ftuar dje Gerald Knaus, drejtues i Iniciativës Europiane për Stabilitet në podcast-in e tij që në fokus kishte procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ndikimin e luftës në Ukrainë. Gerald Knaus thotë se lufta jep një mesazh për drejtuesit e BE-së se duhet të mendojnë për një zgjerim të ri, pasi avantazhet janë më të mëdha, dhe një Europë më të fortë.

Pas kësaj lufte vjen një mundësi e re dhe sinqerisht, mendoj se sikur të mos kishte një luftë në Ukrainë nga ana e Rusisë tani, nuk besoj se Bashkimi Europian do të zgjerohej përsëri, sepse me 27 anëtarë, shumë prej këtyre shteteve janë të lumtur me gjendjen ekzistuese.

Por, me luftën kundër Ukrainës dhe ndërgjegjësimin se Europa nuk është e plotësuar dhe me luftën e shkatërrimin e kontinentit, valën e refugjatëve, katastrofat, le të hedhim gjithçka mbrapa krahëve. Shpresoj që kjo të jetë një mundësi edhe për Ballkanin Perëndimor. Dhe kjo është arsyeja, ky është çasti për udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor që vërtet me bindje dhe me përqendrim të madh të nxisin kryeqytetet europiane për ndryshimin e procedurës ekzistuese që nuk shpie drejt aderimit në BE, çka përbën domosdoshmëri”, deklaroi ai. Më tej drejtues i Iniciativës Europiane për Stabilitet ndalet dhe në deklaratat e Kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe Presidentit francez Emmanuel Macron për procesin e zgjerimit të BE-së.

“Jam i habitur që shumë njerëz nuk dëgjojnë se çfarë po thonë saktësisht Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron si dhe të tjerë. Pse nuk mund të japin një datë ata për anëtarësimin në BE? Olaf Scholz thotë se duam të përshpejtojmë procesin e zgjerimit, por thotë edhe se, për ta bërë të mundur këtë, Bashkimi Europian duhet të ndryshojë. Ai kërkon reformimin e BE-së që e dimë që nuk ka për të ndodhur. Le ta themi troç, të marrim shtetet Balltike, Republikën Çeke, Sllovakinë, Hungarinë, apo disa prej shteteve anëtare të vjetra madje, ato nuk do të heqin dorë nga vetoja për shumë çështje. Nuk kanë për të hequr dorë dhe po e thonë se nuk do ta bëjnë. Pra, nëse Olaf Scholz thotë të përshpejtojmë procesin e zgjerimit, por në fillim duhet të ndryshojë BE-ja, ku të gjitha shtetet anëtare bien dakord që të mos ketë më veto për shembull për politikën e jashtme, dhe pastaj një numër shtetesh anëtare të BE-së thonë se nuk do të heqim dorë nga vetoja, atëherë ajo që po thotë Olaf Scholz është se kjo gjë nuk varet nga Ballkani, nuk varet nga ju. Ju mund t’i bëni të gjitha reformat, por nëse ne nuk biem dakord ndërmjet nesh, ju nuk do të anëtarësoheni kurrë”, nënvizoi Knaus.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat