Metoda që u aplikua gjatë COVID-19/ Në zyrë apo në distancë, si duan të punojnë shqiptarët

Shqipëria

Metoda që u aplikua gjatë COVID-19/ Në zyrë apo në distancë, si duan të punojnë shqiptarët

Më: 6 janar 2024 Në ora: 07:33
Foto ilustrim

Puna në distancë ka ndryshuar mendësinë tonë për të ardhmen e punës në të gjitha shtresat e shoqërisë. Por, a po “mbijeton” si koncept? Ekspertët paralajmërojnë për rreziqet, krahas përfitimeve. Shqipëria përjetoi një rritje të dukshme të punës në distancë gjatë pandemisë së COVID-19 dhe perspektivat dukeshin të favorshme për të vijuar që të funksionojë në të ardhmen. Kjo mënyrë e punës ofroi elasticitet dhe mundësi të reja për punonjësit, kompanitë dhe ekonominë në përgjithësi.

Megjithatë, ajo gjithashtu ka sjellë sfida dhe rreziqe që duhen zgjidhur, për të arritur përfitimet maksimale. Për të arritur suksesin në punën në distancë në Shqipëri është e rëndësishme që kompanitë dhe punonjësit të zhvillojnë strategji të përshtatshme, të sigurojnë resurset dhe përkrahjen e nevojshme, si dhe të zgjidhin sfidat teknike dhe sociale që dalin në rrugën e tyre.

Ekspertët e fushës pohojnë gjithashtu që, puna në distancë në Shqipëri ka potencialin për të ndryshuar mënyrën si punojmë dhe ndërveprojmë në mjedisin profesional. “Me vëmendjen dhe masat e duhura, kjo mënyrë e punës mund të sjellë përfitime të mëdha për punonjësit, kompanitë dhe ekonominë shqiptare në përgjithësi. Punësimi ‘on remote’ ka ofruar shumë përfitime për punonjësit në Shqipëri. Ai ka sjellë fleksibilitet kohor dhe vendas, duke u lejuar atyre të organizojnë kohën në mënyrë më efikase. Punonjësit kanë më shumë liri për të përcaktuar orarin e tyre dhe për të përshtatur jetën personale me mënyrën se si punojnë.

Përveç kësaj, puna në distancë ka ulur kostot e transportit dhe infrastrukturës, duke iu lejuar punonjësve të kursenin para dhe kohë” – pohon sipërmarrësi dhe profesionisti i IT, Said Dulevic. Megjithatë, kjo mënyrë e punës nuk është pa sfida. Sipas informacioneve të marra në treg, disa prej tyre përfshijnë mungesën e ndarjes së qartë midis jetës personale dhe profesionale, ndonjëherë ndërprerjet në rrjetin e internetit dhe mungesën e bashkëveprimit fizik me kolegët.

Me përmirësimin e infrastrukturës së internetit dhe implementimin e strategjive të duhura për menaxhimin e këtyre sfidave, puna në distancë në Shqipëri ka potencialin për t’u rritur edhe më shumë në të ardhmen. “Në kohën e sotme, kur teknologjia na jep mundësi të mëdha, puna në distancë është një opsion që kompanitë dhe punonjësit duhet ta marrin parasysh. Ndërsa eksplorojmë se si të përshtatemi me këtë model të ri pune, është e rëndësishme të kuptojmë sfidat dhe përfitimet e saj, si dhe të zhvillojmë strategjitë e duhura për të arritur suksesin.

Në Shqipëri, puna në distancë ka një të ardhme të ndritur dhe ne jemi të ftuar të përgatisim terrenin për të rritur potencialin e saj dhe për të përfituar nga përparimet teknologjike”, – thotë për “Monitor”, sipërmarrësi Dritan Mezini, drejtues i DuaPunë.com.

Situata sot

Po, ka shumë shqiptarë që vazhdojnë të punojnë nga shtëpia (në distancë) në Shqipëri, veçanërisht në sektorët ku puna është e bazuar në teknologji dhe internet, – shprehet z. Mezini nga statistikat që i ofron portali i punësimit. “Pandemia COVID-19 ndikoi në rritjen e punës në largësi, duke u bërë një opsion i parapëlqyer për shumë kompani dhe individë.

Puna në distancë ofron disa avantazhe, si elasticiteti në orarin e punës, eliminimi i kohës së udhëtimit dhe trafikut, dhe mundësia për të punuar në një mjedis të parapëlqyer personal. Për shqiptarët, puna në distancë është një mundësi për të punuar për kompani të huaja, për të bashkëpunuar me kolegë dhe klientë ndërkombëtarë dhe për të përfituar nga tregu global i punës”, – pohon z. Mezini Por jo çdo profesion është i përshtatshëm për të qenë funksional në distancë. “Nëse interesoheni për punën në distancë në Shqipëri është e rëndësishme të kërkoni mundësitë në sektorët që ofrojnë më shumë fleksibilitet, si programimi kompjuterik, dizajni grafik, marketingu digital, shërbimet e përkthimit, konsulencat në teknologji e shumë të tjera” – thotë ai.

Përkundër sfidave të punës në distancë, disa kompani dhe individë në Shqipëri kanë arritur të përshtaten me këtë model pune dhe kanë arritur sukses. “Është e rëndësishme për punonjësit dhe punëdhënësit të përdorin teknologjinë dhe të zhvillojnë praktikat e duhura për të minimizuar sfidat dhe për të punuar me efikasitet në këtë mënyrë të punës. Nëse resurset janë dhe puna organizohet mirë, ne i kemi lënë punonjësit të punojnë nga cilido cep i qytetit apo më tej”- pohon për “Monitor”, sipërmarrësi Tomi Kallanxhi.

 

Skepticizëm me kalimin e COVID

Puna në distancë, ndërsa shembi shumë barriera e mendësi te punëdhënësit shqiptarë dhe u rrit në Shqipëri, ende ka praktika të ndryshme te punëdhënësit. “Ka kompani dhe organizata në Shqipëri që pranojnë dhe praktikojnë punën në distancë, veçanërisht në sektorët e teknologjisë dhe informacionit, financave, marketingut, konsulencës, etj. Megjithatë, është e vërtetë që disa punëdhënës në Shqipëri mund të jenë skeptikë në lidhje me punën në distancë.

Kjo mund të ndodhë për shkaqe të ndryshme, si mungesa e përvojës në menaxhimin e punonjësve në distancë, dyshime në produktivitetin e punonjësve që punojnë jashtë zyre, nevoja për komunikim të shpeshtë dhe koordinim, etj.”- thotë për “Monitor”, Denisa Kele, sipërmarrëse në fushën e IT. Sipas saj, pandemia COVID-19 solli rritje të përkohshme në pranimin e punës në distancë, duke detyruar shumë kompani të ndërrojnë mënyrat e tyre të punësimit, për të mbajtur operacionet e tyre. Kjo ka treguar se puna në distancë është e mundur dhe se punonjësit mund të jenë produktivë edhe jashtë zyrave tradicionale.

Por, në realitetin e sotshëm e gjen shumë pak të zbatuar në kompanitë shqiptare. “Me kalimin e kohës dhe njohuritë e fituara nga përvoja e punës në distancë, pritet që më shumë punëdhënës në Shqipëri të pranojnë këtë mënyrë të punës dhe të shikojnë përfitimet që ajo ofron. Ndërkombëtarisht ka tendencë rritja e punës në distancë dhe dixhitalizimit të proceseve të punës, kështu që edhe Shqipëria do të ndjekë këtë trend.

Punëdhënësit duhet të marrin në konsideratë përparësitë dhe sfidat e punës në distancë, duke siguruar infrastrukturën e duhur për komunikim dhe bashkëpunim efikas, vlerësimin e rezultateve të punës, dhe menaxhimin e ekuilibrit mes jetës personale dhe profesionale të punonjësve”, – thotë znj. Kele.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat