Programi i qeverisjes së PD, Zhupa: Shqipëria Madhështore realizohet duke lartësuar kulturën tonë

Shqipëria

Programi i qeverisjes së PD, Zhupa: Shqipëria Madhështore realizohet duke lartësuar kulturën tonë

Më: 21 mars 2025 Në ora: 13:49
Ina Zhupa

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka prezantuar programin e PD për kulturën, duke vënë theksin tek mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe ndalimi i privatizimeve të saj.

Sipas saj, nën qeverisjen e Partisë Demokratike, koncesionet mbi trashëgiminë kulturore do të marrin fund dhe shteti do të rikthejë rolin e tij të plotë në ruajtjen e pasurive historike dhe kulturore të vendit.

“Ne do të bëjmë gjithçka që Butrinti dhe çdo site tjetër të trashëgimisë kulturore të zbatojë standardet më të larta të UNESCO-s. Nuk do të ketë më privatë që vënë duart mbi historinë dhe identitetin e shqiptarëve,” u shpreh Zhupa.

Pikat kryesore të programit për kulturën

– Fund koncesioneve në trashëgiminë kulturore – Sipas PD-së, trashëgimia nuk është mall tregtar dhe nuk mund t’i jepet në dorë privatëve. Çdo vendim për menaxhimin e pasurive kulturore do të kalojë përmes një rishikimi të rreptë ligjor për të garantuar mbrojtjen e tyre.

– UNESCO si partner kyç – PD premton se do të ndjekë standardet ndërkombëtare të UNESCO-s dhe do të sigurojë që fondacionet dhe organizatat të japin donacione transparente, por pa marrë kontrollin e trashëgimisë kombëtare.

– Kultura për edukim dhe turizëm, jo për oligarkët – PD deklaron se qendrat historike dhe pasuritë kulturore nuk do të përdoren për ndërtimin e qendrave tregtare, resorteve apo vilave private, por do të vihen në funksion të edukimit, socializimit dhe turizmit të qëndrueshëm.

– Vlerësimi i ndikimit në trashëgimi – PD synon të përfshijë në ligj vlerësimin e ndikimit në trashëgimi (HIA), një standard i përdorur nga UNESCO dhe vendet e BE-së, për të siguruar që çdo ndërhyrje në monumentet kulturore të bëhet duke respektuar vlerat historike dhe arkeologjike.

– Zgjerimi i listës së pasurive të mbrojtura nga UNESCO – PD angazhohet të përgatisë dosjet për përfshirjen e pasurive të reja kulturore dhe natyrore, si Gjiri i Gramës dhe Bylisi, në mbrojtjen e UNESCO-s.

-Shkolla e guidave dhe investimi në digjitalizim – Do të krijohet një shkollë e posaçme për ciceronët e certifikuar që do të përcjellin historinë shqiptare për vizitorët vendas dhe të huaj. Trashëgimia do të digjitalizohet përmes guidave audio dhe teknologjisë moderne.

-Rikthimi i arkeologëve shqiptarë në gërmimet historike – Zhupa denoncoi vendimin e Ministrisë së Kulturës që përjashtoi arkeologët shqiptarë nga gërmimet në Amfiteatrin Romak, Forumin Bizantin dhe Termat Romake në Durrës. “VKM-ja e 25 korrikut 2023 do të anulohet dhe arkeologët shqiptarë do të kenë rolin kryesor në kërkimet arkeologjike”, tha ajo.

– Trashëgimia kulturore si lëndë zgjedhore në gjimnaze – PD propozon futjen e një moduli për trashëgiminë kulturore si lëndë zgjedhore për nxënësit e gjimnazeve.

-Bonusi rinor për kulturën – PD do të financojë 100 projekte rinore në vit për të angazhuar të rinjtë në promovimin dhe ruajtjen e kulturës shqiptare.

Në përfundim, Zhupa u shpreh se kultura është thelbi i identitetit kombëtar dhe se PD është e vendosur ta mbrojë atë. “Shqipëria Madhështore realizohet duke lartësuar kulturën tonë madhështore, identitetin dhe krenarinë tonë si shqiptarë,” tha ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat