Në konferencën “Bota e Autizmit”, e organizuar ditën e sotme në Tiranë, mbajti fjalën e tij edhe Salvador Kaçaj, përfaqësues i Priorisë së Madhe Autonome të Kalorësve të Maltës në Shqipëri – OSJ. Në një fjalim të ndjerë dhe të sinqertë, ai bëri thirrje për një shoqëri më të ndjeshme, më të dashur dhe më njerëzore ndaj personave në spektrin e autizmit.
“Këta fëmijë kanë nevojë për përkujdesje, dashuri dhe t’u shërbejmë me përkushtim. Ata janë pasuria më e çmuar e kësaj shoqërie dhe meritojnë gjithë mbështetjen tonë”, u shpreh Kaçaj, duke ndarë edhe një përvojë personale prekëse me nipin e tij, një fëmijë me autizëm.
Deklarata:
Unë vetë kam një pjesëtar në familjen time me autizëm, nipin tim. Për shkak se i ati i tij ka ndërruar jetë, jam kujdesur unë për të. Këta fëmijë kanë nevojë për shumë dashuri dhe urtësi. Jam edhe unë i emocionuar, ashtu siç tha edhe doktoresha, sepse për fat të keq shoqëria jonë nuk është ende mjaft e ndjeshme.
Këtu kanë ardhur njerëz nga e gjithë bota për të mbështetur këtë shtresë të ndjeshme. I falënderoj të gjithë zotërinjtë dhe zonjat që kanë ardhur nga jashtë kufijve tanë për të ndihmuar këta fëmijë. Për hir të së vërtetës, është detyrë e shoqërisë sonë të jemi më të ndjeshëm, më të vërtetë, më njerëzorë ndaj tyre.
Kjo shtresë ka nevojë për ne. Janë shtresa më brilante, më të mirë se ne. Ai që nuk e kupton këtë, i mjeri ai, sepse një ditë do të dënohet dhe do të japë llogari para Zotit.
Për këta fëmijë, Zoti i tyre në tokë jemi ne, ne që duhet të kujdesemi për ta dhe t’u shërbejmë me përkushtim.
Dua t’ju falënderoj përzemërsisht dhe shpresoj që vitin tjetër, në muajin e autizmit, të organizojmë një konferencë edhe më të madhe. Unë jam i përkushtuar, së bashku me Urdhrin e Maltës, për të kontribuar në të gjithë Shqipërinë në mbështetje të këtyre fëmijëve dhe për çdo njeri që ndihmon këtë shtresë.
Kjo shtresë meriton me shpirt dhe me zemër shërbim, dashuri dhe përkushtim. U uroj të gjithëve që kanë këta fëmijë jetë të gjatë, dhe sa më shumë dashuri e ngrohtësi në jetën e tyre.