Gonzato: Shqipëria partner i rëndësishëm për të trajtuar flukset migratore

Shqipëria

Gonzato: Shqipëria partner i rëndësishëm për të trajtuar flukset migratore

Më: 20 qershor 2025 Në ora: 21:49
Silvio Gonzato

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato vlerësoi sot rolin e Shqipërisë ndër vite në ndihmën e dhënë ndaj refugjatëve.

Në një aktivitet të organizuar me rastin e 20 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Refugjatëve, Gonzato tha se “ky do të jetë një parakusht i rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së. Shqipëria ka një rol gjithë nder në historinë e njerëzimit, sepse ka pritur e ka mbrojtur individë të ndryshëm, duke filluar nga hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ose roli i paparë që ju patët në vitet 1990 për të mirëpritur refugjatë nga Kosova. Por edhe kur Afganistani ra në duart e talebanëve në 2021-shin, Shqipëria gjithsesi u ofroi strehim të përkohshëm mijëra shtetasve të Afganistanit”.

“Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka qenë një partner i rëndësishëm për BE-në për të trajtuar të gjitha ato flukse mikse të migracionit në korridorin e Ballkanit Perëndimor, duke ekuilibruar kërkesat për siguri me detyrimet humanitare”, theksoi Gonzato.

Gonzato u shpreh se “Shqipëria po ndërmerr hapa tejet të rëndësishëm dhe vendimtarë për anëtarësimin në BE. Ky partneritet bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për të siguruar dhe lehtësuar aksesin tek procedura e azilit, identifikimin e personave që kanë gjasa që t’iu nevojitet mbrojtja ndërkombëtare si dhe nevoja e tyre specifike për shërbimet përkatëse, identifikimin e fëmijëve të pashoqëruar apo të ndarë nga prindërit, duke iu përgjigjur nevojave të tyre specifike për mbrojtje dhe duke i bërë këta fëmijë-migrantë pjesë të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve në Shqipëri”.

I pranishëm në aktivitet, zv/ministri i Brendshëm Andi Mahila theksoi se, “le të vazhdojmë së bashku, me solidaritet dhe angazhim, të ndërtojmë një Shqipëri ku çdo person që kërkon mbrojtje të trajtohet me respekt, ku i jepet mundësia të rindërtojë jetën e tij me dinjitet dhe shpresë për të ardhmen”.

Alma Bime punon prej 10 vitesh, në fushën e azilit. “Kjo ditë ka një domethënie të thellë për mua. Na kujton pse e bëjmë këtë punë – për të siguruar që askush të mos harrohet dhe askush të mos mbetet pas. Teksa Shqipëria avancon në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, angazhimi ynë për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e refugjatëve bëhet edhe më i fortë”, u shpreh Bime, Drejtore për Politikat e Migracionit, Azilit dhe Antitrafikut në MB.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat