Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, hapi sot takimin zyrtar ku u prezantua platforma e re “E-Legjislacioni”, një portal që synon të transformojë mënyrën se si hartohen, diskutohen dhe miratohen ligjet në vend.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Spiropali e quajti këtë nismë një “hap të madh drejt modernizimit të proceseve parlamentare dhe një kapitull të ri për legjislacionin shqiptar”.
“Nuk po miratojmë thjesht një teknologji të re, por një cilësi të re të procesit legjislativ,” tha ajo. “E-Legjislacioni është më shumë se një program kompjuterik – është një vizion për një ligjbërje më cilësore, më transparente dhe më të përfshirë.”
Sipas Kryetares së Kuvendit, platforma e re do të mundësojë për herë të parë publikimin e akteve ligjore të konsoliduara, që përmbajnë të gjitha ndryshimet ndër vite në një version të vetëm dhe të aksesueshëm për të gjithë qytetarët.
Portali do të ofrojë gjithashtu:
Gjurmim të plotë të historikut të një ligji, nga propozimi fillestar deri te votimi përfundimtar;
Ndërlidhje institucionale me Qeverinë, Presidencën, Qendrën e Publikimeve Zyrtare dhe institucione të tjera për një qarkullim të sigurt dhe të unifikuar të dokumenteve;
Pjesëmarrje më të gjerë publike, përmes përfshirjes së qytetarëve, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në fazat e ndryshme të procesit ligjvënës.
Spiropali theksoi se kjo iniciativë përputhet me standardet më të larta të Bashkimit Evropian dhe përfaqëson një përkushtim konkret të Shqipërisë për të ndërtuar institucione më efikase, më të hapura dhe më të besueshme.