Ardit Bido ishte i ftuar në Kjo Javë, News 24 pasditen e sotme, teksa rrëfeu sfidën e re që e pret në shtator, si deputet i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës. Bido iu përgjigj moderatores Nisida Tufa, lidhur me sulmet ndaj tij të bëra prej Flamur Nokës dhe Sali Berishës për kohën kur drejtonte Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.
Bido i vlerëson këto sulme si pjesë e baltosjes në të cilën zhvillohet politika sidomos në parlament prej 34 vitesh.
Deputeti i ri shton se qytetarët në 11 maj treguan se duan një model të ri politik, me debate idesh, jo sulme personale.
Bido: Besoj se këto zgjedhje edhe 3-4 zgjedhje e fundit, rrëfejnë nevojën e qytetarëve shqiptarë për të ndryshuar modelin politik, drejt debatit të ideve, duke u shmangur nga sulmet personale të pabazuara. Këtë gjë nuk e ka kuptuar ende opozita shqiptare. Prandaj ndodhet në këtë rezultat, më minimalin. Sulmi, insinuata, e bërë nga Berisha dhe e riartikuluar nga Noka në seancën e fundit është një rast i tillë.
Është pjesë e përbaltjes. Nuk shkon në rastin në konkret sepse zoti Noka ka marrë përgjigje dhe informacion si çdo qytetar në institucionin që kam patur fatin të drejtoj në 9 vite. Është një insinuatë që tregon elementin e përbaltjes. Sepse bëhet fjalë për një dokument të digjitalizuar në vitin 2001. Fatkeqësisht politika shqiptar në 34 vite tranzicion është mësuar me baltje.
Ajo që shoh në proceset zgjedhore, do ishte mirë që elita politike të mendonte se ky mandat është integrues, të ndryshojmë modelin politik. Ta bëjmë si parlament të vendeve të zhvilluara. Ku shkollat shkojnë dhe ndjekin seancat. Është një mjedis ku duhet të ishte debat idesh. Kemi turp që seancat ti shohin fëmijët tanë. Do ishte mirë nga shtatori të kemi këtë ndryshim cilësor etik.