DPSHTRR: Nisin punimet e para për nivelimin e sheshit të Auto Moto Park Elbasan

Shqipëria

DPSHTRR: Nisin punimet e para për nivelimin e sheshit të Auto Moto Park Elbasan

Më: 29 gusht 2025 Në ora: 18:50
Ilustrim

Pas finalizimit të projektit të zbatimit, kanë nisur punimet e para për nivelimin e sheshit të Auto Moto Park Elbasan. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bëri të ditur sot se, kjo është një fazë themelore e këtij projekti.

Gjithashtu, DPSHTRR thekson se është në hapat e parë të ndërtimit të Qendrës Multifunksionale të Automotorizimit në Elbasan, e dyta pas asaj në Fushë-Prezë.

Kjo qendër e re do të ofrojë mbi 245.000 shërbime në vit, duke iu shërbyer 105.000 drejtuesve të mjeteve dhe 70.000 mjeteve aktive në 6 bashkitë e qarkut Elbasan.

Sipas DPSHTRR, me këtë projekt, çdo shërbim do të jetë më cilësor, më i shpejtë dhe në përputhje me standardet më të larta evropiane.

Bashkia Elbasan dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit po ecin me ritme të shpejta me infrastrukturën përreth, gjithashtu në funksion të Auto Moto Park.

Shumë shpejt pritet të nisë rruga “Gjergj Arianiti”, një aks i rëndësishëm që lidh lagjen “Emin Matraxhiu” me Menglin, Korridorin VIII dhe urën e Byshekut, duke lehtësuar ndjeshëm trafikun. Me trotuare, ndriçim, korsi biçikletash dhe një pamje magjepsëse përgjatë Shkumbinit do të shndërrohet në një shëtitore fantastike për të gjithë qytetarët.

Investimi strategjik i Auto Moto Parkut do të sjellë: cirkuitin e parë shqiptar sipas standardeve të FIA, FIM dhe CIK; Muzeun Retro dhe DRSHTRR Elbasan; Kontrollin fizik dhe teknik të mjeteve; Infrastrukturë moderne për shërbime më të shpejta dhe më cilësore dhe një projekt që transformon infrastrukturën automobilistike të Shqipërisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat