Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka komentuar mbi vijueshmërinë e opozitës dhe perspektivat për ndryshimet brenda PD-së, duke u ndalur sidomos te roli i kryetarit Sali Berisha dhe zgjedhjet e ardhshme në parti.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ai u ndal te spekulimet për largimin e Berishës nga drejtimi i PD-së, ku Boçi theksoi se kjo nuk vendoset nga individë, por nga vetë demokratët me votën e tyre.
“Për sa kohë ai merr votat e demokratëve do të jetë kryetari i Partisë Demokratike, nëse është dikush tjetër mund ta bëjë këtë. Kjo tregon se çdo vendim brenda PD vendoset me votat e demokratëve,” u shpreh ai.
Duke folur për çfarë duhet të ndryshojë në PD, Boçi nënvizoi nevojën për uljen e distancës me publikun, që sipas tij është kyçe për rikthimin e besimit.
“Zvogëlimi i kësaj distance bëhet me paraqitjen me seriozitet, alternativë dhe dhënia e shpresës dhe zgjidhjes për problematikat e shfaqura për të ngjallur besimin te qytetarët,” tha ai.
Ai shtoi se PD ka bërë analizat e nevojshme, duke marrë përgjegjësitë për rezultatet e fitoreve dhe humbjeve, dhe theksoi se “mungesa e suksesit deri tani, e cila ka arsye objektive, nuk duhet të pengojë përmirësimin e marrëdhënieve brenda partisë dhe me publikun”.
Më tej ai u shpreh se pavarësisht se si shfaqet Shqipëria në arenën ndërkombëtare, demokracia e saj është e monitoruar dhe e brishtë. Ai theksoi se SHBA është distancuar nga qeveria Rama.
“Dihet se pavarësisht se si shfaqet Shqipëria në arenën ndërkombëtare demokracia e saj është e monitoruar dhe e brishtë… Ende nuk ka një qëndrim të përcaktuar mirë nga faktori ndërkombëtar. Raporti i OSBE/ODIHR nuk ka dalë dhe ndërkohë kanë kaluar të gjitha afatet.
Ndoshta lidhet me certifikimin në thonjëza të rezultatit zgjedhor nga KQZ-ja.
Sikur se kemi një qëndrim në distancë të SHBA, e cila këtë distancë e ka vendosur pikërisht me atë që pretendohet se ka fituar zgjedhjet dhe me atë që drejton vendin dhe qeverisjen. Ndërsa nga krahu tjetër ka veprime të ndryshme të karakterit diplomatik që tregojnë qartazi që ka një impostim të ri të SHBA ndaj qeverisë së zoti Rama”, u shpreh ai.