“S’ka bojkot për Tiranën”/ Salianji: Kandidati do të zyrtarizohet brenda 2 ditëve

Shqipëria

“S’ka bojkot për Tiranën”/ Salianji: Kandidati do të zyrtarizohet brenda 2 ditëve

Më: 3 tetor 2025 Në ora: 22:11
Ervin Salianji

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji foli sa i takon garës elektorale për Tiranën. 

“PD do të jetë shumë shpejt e gatshme për të konkurruar dhe për të zgjedhur alternativën më të mirë për qytetarët”, u shpreh ai, duke njoftuar se kandidati mund të zyrtarizohet brenda 2 ditëve. 

“Nuk ka asnjë arsye për vonesë, përveçse diskutimeve me partitë e tjera për të pasur një kandidat të përbashkët”, argumentoi ai. 

I pyetur për emra konkretë, ai tha se ka disa etapa që duhen kaluar, megjithatë të shumtë janë ata që shprehen të gatshëm. 

Po a mund të jetë analisti Ermal Hasimja kandidati i opozitës së unifikuar? 

“Të gjithë emrat, për të mos veçuar dikë ose tre emrat që janë diskutuar publikisht, janë emra me integritet përballë publikut, që nderojnë me profesionin e tyre, me backgroundin e duhur”, u përgjigj Salianji. 

Sa i takon kandidates zyrtare të PS-së, Ogerta Manastirliu, u shpreh kështu: 

"Shihni ç’a bilanci ka në arsim apo në shëndetësi, shihni raportet e fundit, qoftë edhe ato të Kontrollit të Lartë të Shtetit për tmerret në spitale". 

Hodhi poshtë çdo aludim për bojkot nga ana e të djathtëve. 

“Partitë politike nuk krijohen për të qëndruar në garazh, PD është e detyruar në çfarëdo lloj rrethane të bëjë betejë. Sidomos PD, nuk mund të ketë asnjë lloj frike për t’u përballur!”, përfundoi Salianji. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat