Vajza 6-vjeçare ndodhet ende në repartin e reanimacionit, mjekët thonë që është në gjendje kritike për jetën. Ajo është transportuar drejt Tiranës, për shkak të djegjeve të shumta në trup
Këto janë pamjet nga banesa e shkrumbuar në Maliq, këtë të diel, 19 tetor, ku si pasojë e një zjarri humbi jetën një grua 40 vjeçare dhe djali i saj 14 vjeç, ndërsa ka mbetur e lënduar vajza e vogël 6 vjeçare.
Flakët kanë qenë të përmasave të mëdha pasi sikurse shihet nga këto pamje, kanë lënë të shkrumbuar pjesën më të madhe të shtëpisë.
Ndërkohë të tjera detaje janë bërë me dije lidhur me ngjarjen që tronditi Maliqin. Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Klan News, gazetarja Daniela Zisi tha se dyshohet që shkak i zjarrit mund të keëtë qenë një sobë me dru të cilën familja e përdorur për t’u ngrohur gjatë këtyre ditëve të ftohta të tetorit.
“Sa i takon shkaqeve të zjarrit, policia thotë se tani për tani, nga çfarë është kqyrur nga vendi i ngjarjes, dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë soba me dru. Është ende e paqartë situata se si është përhapur zjarri. Ndoshta pakujdesia e nënës, ndoshta dhe nga pakujdesia e fëmijëve të cilët vuanin nga spektri i autizmit. Konkluzionet pritet të dalin në vijim.”, tha Zisi.
Fqinja: Familje e urtë e punëtore, nga ekonomia ishin dobët
Një komshie e familjes, ku ndodhi tragjedia, ka treguar se familja, ku ndërroi jetë nëna dhe një nga fëmijët ishte familje e urtë dhe punëtorë.
“Ishte familja e urtë dhe punëtorë. Ishin nga ekonomia dobët, por punonte babai i fëmijëve. Shkonte në punë, në ndërtim punonte. Ajo mbante dy fëmijët aty. I ushqente me aq sa kishte mundësi. Bashkia e ndihmonte jashtë mase, muaj për muaj u jepte dhe ndihmë. Fëmijët ishin autikë. Të dy fëmijët ishin autikë, vajza më e vogël se djali.
Djali rrinte në këmbë, vajza jo dhe aq. Ajo ishte për fëmijët, nuk kujdesej dhe shumë. Ne të lagjes, e ndihmonim. Nuk i binte në qafë askush. Ata kanë një krevat me sfungjer aty. Fëmijët trazonin zjarrin dhe rënë zjarri aty, djegur sfungjeri dhe dihet se sfungjeri vetëm tym bën. Vajza doli nga dritarja, e shpëtoi një zonjë aty”, deklaroi komshia.
Vajza 6 vjeçe në gjendje të rëndë shëndetësore, arrin në Tiranë
Vajza 6-vjeçare ndodhet ende në repartin e reanimacionit, mjekët thonë që është në gjendje kritike për jetën. Ajo është transportuar drejt Tiranës, për shkak të djegjeve të shumta në trup.
“Vajza ka probleme si me asfiksinë, ashtu edhe djegie të rënda në trup.”, tha gazetarja Daniela Zisi, e cila zbuloi më shumë detaje mbi familjen.
Kryefamiljari ka qenë duke punuar larg Maliqit dhe sapo ka marrë njoftimin ka shkuar në spitalin rajonal të Korçës, ku ndodhet pranë vajzës së tij.
“Dy fëmijët janë fëmijë të spektrit autikë, ndërkohë që nëna ishte shtëpiake. Familja i siguronte të ardhurat vetëm nga puna që bënte bashkëshorti në sektorin e ndërtimit, por familja ishte në vështirësi ekonomike pasi vetëm kryefamiljari siguronte të ardhura.”, tha Zisi.
Ngjarja e rëndë ndodhi këtë të diel rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3, Maliq, ku një banesë u përfshi nga flakët. Si pasojë ka humbur jetën nëna dhe djali i saj 14-vjeçar. Ndërkohë që fëmija 6 vjeçar po lufton për jetën në spital.
Tragjedia në Maliq, MSH: 6-vjeçarja në gjendje të rëndë
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar lidhur me gjendjen e 6-vjeçares nga Maliqi, e cila mori plagë nga zjarri në banesën e saj.
Në njoftimin zyrtar, Ministria bën me dije se vajza ndodhet në një gjendje kritike për jetën. Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT) ka shkuar edhe Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale, Evis Sala, për të ndjekur nga afër situatën.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
Në orët e mbrëmjes, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka mbërritur për trajtim mjekësor 6-vjeçarja, N.A, e lënduar nga ngjarja e rëndë sot në qarkun e Korçës.
Pacientja u prit në urgjencën e Shërbimit të Djegie-Plastikës nga ekipi mjekësor, i cili ishte në komunikim të vazhdueshëm me mjekët, që e shoqëronin gjatë transportit nga Korça drejt Tiranës.
Pas vlerësimit të gjendjes shëndetësore, e mitura, aktualisht në gjendje kritike për jetën, u hospitalizua menjëherë në Shërbimin e Terapisë Intensive të Pediatrisë në QSUT, ku po trajtohet nga mjekët pediatër, reanimatorë dhe specialistët e djegie-plastikës, sipas të gjitha protokolleve mjekësore në fuqi.
Pak minuta, pas mbërritjes së 6 vjeçares, në QSUT ka mbërritur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, e shoqëruar nga drejtoresha e përgjithshme e QSUNT, Anxhela Paparizo dhe po ndjekin nga afër gjendjen e saj, në komunikim të vazhdueshëm me ekipin e përbashkët mjekësor të Shërbimit të Djegie-Plastikës dhe Shërbimit të Terapisë Intensive të Pediatrisë në QSUNT.
MSHMS shpreh ngushëllimet për humbjen e pjesëtarëve të familjes dhe po qëndron në komunikim me QSUT, minutë pas minute për gjendjen shëndetësore të së miturës.