Shkaktoi aksidentin ku vdiq 15-vjeçari, Gjykata e Fierit liron nga qelia profesorin italian!

Shqipëria

Shkaktoi aksidentin ku vdiq 15-vjeçari, Gjykata e Fierit liron nga qelia profesorin italian!

Më: 24 tetor 2025 Në ora: 14:05
profesori italian Michele D’Angelo

Gjykata e Fierit liron nga paraburgimi profesorin italian Michele D’Angelo, që akuzohet për shkaktimin e një aksidenti me vdekje, ku humbi jetën një 15-vjeçar pak javë më parë.

Pas kërkesës së palës mbrojtëse, masa nga “arrest në burg”, u kthye në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “garanci pasurore”. Gjykata vendosi kusht që vetëm pasi të paguajë 15 mijë euro, italiani mund të lirohej nga qelia.

Ajo duhet të depozitohet brenda pesë ditëve nga dita e shpalljes së vendimit, në një bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë. Vendimi është shpallur që më 22 tetor dhe mësohet se tashmë profesori italian gjendet në Itali, sipas mediave të vendit fqinj, që nënkupton se e ka paguar garancinë. Por vendimi u njoftua vetëm sot zyrtarisht nga Gjykata.

Michele D’Angelo, profesori universiteti nga L’Aquila doli nga burgu pas 50 ditësh pas një aksidenti rrugor më 8 gusht.

Njoftimi i Gjykatës së Fierit:

“Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u mor ne shqyrtim, në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, cështja penale që u përket palëve, më datë 22.10.2025, pasi mori në shqyrtimi, në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, kërkesën penale me palë:

KËRKUES:            M.D, mbrojtur nga Av.Toto Avdija, me numër licence 11326, anëtar i Dhomës së Avokatisë Fier, zgjedhur me deklarim para Gjykatës, në prani të përkthyesit të licencuar Av.Admir Filaj, me licencë numër 562.

KUNDËR:             Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfaqësuar nga Prokuror Greta Dreni.

OBJEKTI:              Zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga “Arrest në burg”, në “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, ose “Garancia pasurore”.

BAZA LIGJORE    Neni 246 dhe 260 i Kodit të Procedurës Penale

PËR KËTO ARSYE

Gjykata, mbështetur në nenet 228, 229 dhe vijues dhe në nenin 260 të Kodit të Procedurës Penale,

V E N D O S I

Pranimin e kërkesës së kërkuesit M. D

Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, caktuar me vendimin nr.62-2025-4585-(1305), datë 12.08.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me masat e sigurimit personal të “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Garancia pasurore” e parashikuar nga neni 234 dhe 236 i Kodit të Procedurës Penale.

Garancia pasurore përcaktohet në shumën 15,000 (pesëmbëdhjetë mijë) Euro/ ose 1,500,000 (njëmilionepesëqindmijë) lekë dhe duhet të depozitohet brenda 5 (pesë) ditëve, nga dita e shpalljes së këtij vendimi, në një bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë.

Personi nën hetim M.D qëndron me masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, deri në depozitimin e shumës së garancisë pasurore, sipas këtij vendimi dhe deri në njoftimin e Prokurorit.

Urdhërohet Prokurori për verifikimin të dokumentacionit përkatës si dhe menjëherë dhe në çdo rast jo më vonë se 24 orë nga njoftimi për depozitimin e shumës së garancisë pasurore, të urdhërojë, sipas rastit, lirimin e menjëhershëm të personit nën hetim M.D, nëse ai nuk mbahet apo nuk duhet të mbahet për efekt të ndonjë mase tjetër sigurimi apo vendimi dënimi, ose konfirmimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.

Urdhërohet personi nën hetim M.D të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore, pranë Komisariatit të Policisë Fier, një herë në muaj, përkatësisht, të premten e fundit të çdo muaji, ora 14:00.

Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dhe Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat