Ndërpritet furnizimi me ujë për mijëra banorë në Mirditë, shkak dëmtimi i linjës së ujësjellësit

Shqipëria

Ndërpritet furnizimi me ujë për mijëra banorë në Mirditë, shkak dëmtimi i linjës së ujësjellësit

Më: 6 dhjetor 2025 Në ora: 14:48
Mirditë

Një defekt i rëndë në linjën kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit për 9000 banorë të qytetit të Rrëshenit dhe disa fshatra përreth në Bashkinë e Mirditës.

Dëmtimi ka ndodhur në orët e para të së premtes duke sjellë ndërprerjen e menjëhershme të ujit.

Punonjësit e Shërbimit të Ujësjellës-Kanalizimeve kanë kryer verifikimet në terren dhe kanë konstatuar se bëhet fjalë për një dëmtim serioz në një gjatësi prej 85 m të kësaj linje furnizimi, që kërkon ndërhyrje të specializuar dhe mjete të posaçme teknike. Për shkak të terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike në përkeqësim, ndërhyrja rezulton e vështirë dhe me rrezik dhe shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Lezhë nuk i ka kapacitetet e plota teknike për riparimin e menjëhershëm të këtij defekti, ndërsa po punohet për sigurimin e ndihmës së nevojshme për zgjidhjen përfundimtare të situatës.

Gjatë ditës së sotme, përmes zgjidhjeve teknike alternative, është bërë furnizimi i pjesshëm me ujë të pijshëm për qytetin e Rrëshenit, ndërkohë, disa fshatra vijojnë të mbeten pa ujë të pijshëm. Emergjencat Civile në Prefekturën e Lezhës bëjnë të ditur se punohet për rikthimin normal të furnizimit edhe në këto zona dhe situata po mbahet në monitorim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat