Edi Rama thellon presionet ndaj “Kushtetueses” për çështjen “Balluku”, reagojnë gjyqtarët, Pëllumbi i GJKKO…

Shqipëria

Edi Rama thellon presionet ndaj “Kushtetueses” për çështjen “Balluku”, reagojnë gjyqtarët, Pëllumbi i GJKKO…

Më: 10 dhjetor 2025 Në ora: 10:14
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka thelluar presionet publike ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Posaçme (GJKKO) lidhur me çështjen “Balluku”, duke shkaktuar reagimin më të ashpër deri tani nga trupa gjyqësore. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, e drejtuar nga Engert Pëllumbi i GJKKO-së, e cilësoi qasjen e Ramës si “presion politik” që synon të ndikojë vendimmarrjen për pezullimin e Belinda Ballukut. Gjyqtarët paralajmërojnë se deklaratat e kryeministrit minojnë besimin e publikut te drejtësia dhe rrezikojnë të deformojnë parimin e ndarjes së pushteteve. Shoqata kërkon ndalim të çdo ndërhyrjeje politike, duke kujtuar se gjyqtarët i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe jo vullnetit të ekzekutivit. Rama reagoi menjëherë, duke refuzuar të heshtë dhe duke akuzuar gjyqësorin për “lajthitje” dhe kërkesa “skandaloze” për rritje pagash. Ai e konsideroi vendimin për pezullimin e Ballukut si akt që prek pavarësinë e funksionit të tij si kryeministër. Ndërkohë në një reagim të dytë, Rama rriti dozën e akuzave duke deklaruar se magjistratët kërkojnë rritje pagash deri në 3100 euro mbi aktualen, duke “shfrytëzuar” vendimmarrjen e gjykatave. Por kjo panoramë tregon se konflikti mes qeverisë dhe gjyqësorit ka hyrë në fazën më të tensionuar, teksa pritet vendimi i Kushtetueses sa i takon pezullimit të zv/kryeministres Belinda Balluku nga detyra nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Gjykata e Posaçme që mund të ndezë edhe më shumë përplasjen institucionale. Më poshtë po pasqyrojmë reagimet e plota.

Reagimi i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve

Gjithashtu, mesazhe të tilla të përditshme të ushqyera ndaj publikut të gjerë synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren më tej si pretekst për marrjen e masave erozive ndaj këtij të fundit. Shoqata rithekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë, prandaj pavarësia e pushtetit gjyqësor, arbitrit final për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, përbën një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kjo pavarësi vihet në rrezik jo vetëm nga veprime konkrete që synojnë kufizimin e sferës së kompetencave të këtij pushteti, por edhe nga çdo akt ose deklaratë që perceptohet si kërcënim ose presion politik ndaj veprimtarisë gjyqësore apo që ul reputacionin e organeve të drejtësisë në sytë e publikut dhe, në këtë mënyrë, minon besimin e tij tek këto organe.

Komisioni Evropian ne raportet për Shqipërisë ka adresuar si shqetësim vazhdimin e përpjekjeve te ndërhyrjes dhe presionit ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë. Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve e si të tillë qëllimi i misionit të tyre nuk është fitimi i pëlqimit të shumicës së publikut apo një pjese të tij, por zbatimi me fanatizëm i vullnetit të sovranit të shprehur në këto akte. Vendimet gjyqësore mund të jenë të papëlqyeshme për disa subjekte, por kjo nuk i bën ato ilegjitime, pasi sistemi demokratik i qeverisjes vepron brenda kufijve që i përcaktohen nga standardet e shtetit të së drejtës dhe zbatuesit finalë të këtyre standardeve janë gjyqtarët. Në këtë kuadër, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë fton dhe i kërkon secilit zyrtar të lartë të dy pushteteve të tjera që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohet nga çdo sjellje që e cenon atë. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore përbën formën më të rrezikshme në shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve, pasi ka si qëllim deformimin e vendimmarrjes nëpërmjet formave të ndryshme të presionit”, thuhet në reagimin e plotë të Shoqatës Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë.

Reagimi i parë i Ramës

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama pas deklaratës së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, të cilët shprehën shqetësim për komentet e tij për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra. Në një postim dje në rrjetin social X, shefi i qeverisë thotë se gjyqtarët gabojnë nëse mendojnë se ai do të heshtë për problematika të tilla, duke qenë se ai është vetë palë në këtë çështje që ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Ramës, po ashtu, shoqata gabon nëse do të mendonte që ai do të heshte për kërkesën e tyre për rirritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykatë, që e cilëson si skandaloze, duke i rrëmbyer kompetencat për këtë çështje qeverisë dhe parlamentit. “Shoqata e Gjyqtarëve ka bërë deklaratë për t’u ankuar për “presionin” tim ndaj Kushtetueses. Dy mundësi ka këtu: Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta – madje duke i përtypur në heshtje, si çështje të pavarësisë së shpallur botërisht me Reformën në Drejtësi, edhe jo pak “lajthitje” të dhimbshme të gjyqësorit, në dëm të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi dhe të interesave të këtij shteti. Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore. Jo vetëm kaq, po Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë, që do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur, ndaj Gjykatës Kushtetuese, për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të Parlamentit. Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh – po po, 1600 Euro plus pagës aktuale – të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre. Në ndërkohë, unë dhe qeveria e shumica parlamentare që kam nderin të udhëheq, mirëpresim krahëhapur çdo komunikim institucional me shoqatën në fjalë, për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re, ku parimi i shenjtë i pavarësisë së gjyqësorit, duhet mbrojtur me çdo kusht jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme të kujtdoqoftë, përfshirë dhe mua vetë, po edhe nga krimbi i brendshëm i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve, i cili bren përditë besimin e popullit tek drejtësia”, shkroi dje Rama.

Reagimi i dytë i Ramës

Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish djeshme brenda pak orëve lidhur me pezullimin nga detyra si ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe zëvendëskryeministre të Belinda Ballukut. Kreu i qeverisë sqaron, sipas tij, ata që habiten me faktin se magjistratët kërkojnë rritje pagash me 1600 euro mbi aktualen. Numri një i ekzekutivit thotë se 1600 euro është shtesa në pagë që kërkojnë magjistratët e zakonshëm, pasi prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO-së kërkojnë një rritje prej 3100 eurosh mbi pagën aktuale. “S’ka mundësi”, më shkruajnë disa, lidhur me kërkesën e gjyqtarëve për ta rritur pagën me 1600 Euro mbi aktualen! Jo vetëm që ka mundësi, po 1600 Euro është rritja që kërkojnë magjistratët e këshilltarët e zakonshëm, se mes rritjekërkuesve janë edhe specialët, pra ata të GJKKO dhe SPAK-ut, të cilët kanë pagat më të larta në republikë, por kërkojnë edhe një rritje prej 3100 Eurosh! Po, asnjë shaka, detin ku aktualisht marrin 6130 Euro në muaj, tani duan që t’ua kthejë në kos Gjykata Kushtetuese me 3100 Euro plus, e si përfundim të marrin 9230 Euro në muaj. Si ka mundësi?! Ka mundësi si jo, kur arrin të ndryshosh edhe qeverinë me një vendim gjykate, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit e parlamentit bashkë, pa pasur marrë një kokërr vote të vetme nga populli tërë jetën tënde, si nuk arrike të marrësh nga arka e shtetit me një vendim tjetër gjykate, mijëra euro për të rritur pagën tënde?! Kush ka mbetur pa e kuptuar që s’e kam hallin tek një ministër unë, po tek rreziku real i përmbysjes së balancës demokratike mes pushteteve”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat