GJK riktheu në detyrë Ballukun, Bardhi: E pandehura e vetme në historinë e BE që nuk dorëhiqet dhe as s’lejon ta shkarkojnë!

Shqipëria

GJK riktheu në detyrë Ballukun, Bardhi: E pandehura e vetme në historinë e BE që nuk dorëhiqet dhe as s’lejon ta shkarkojnë!

Më: 13 dhjetor 2025 Në ora: 11:51
Belinda Balluku

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi që të pezullojë përkohësisht vendimin e GJKKO dhe të rikthejë në detyrë Belinda Ballukun, e marrë e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për Lotin 4 të Unazës së Madhe.

Në një postim në rrjete sociale, Bardhi shprehet se Kushtetuesja ka qenë nën presionin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa shton se ky vendim i gjykatës nuk mund t’i rikthejë 50 milionë eurot e vjedhura nga Balluku në tunelin e Llogarasë.

Sipas tij, vendimi është një akt politik i Ramës për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur veten e bashkëpunëtoren e tij, ndërsa shton se për fat të mirë është një akt i përkohshëm.

Bardhi thekson se Balluku është e vetmja e pandehur që në historinë e Unionit evropian as nuk jep dorëheqje dhe as nuk lejon që ta shkarkojnë, por shton se “kush gëzon sot, do të hidhërohet më shumë nesër”, pasi sipas tij, e vërteta do të triumfojë.

“Fundi i kësaj historie nuk ka për të qenë triumfi i pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Ka për të qenë triumfi i të vërtetës, drejtësisë dhe interesit publik. Sepse koha mund të blihet, por llogaridhënia jo!”, shkruan mes të tjerash Bardhi. 

Reagimi i plotë i Bardhit: 

Koha mund të blihet. Llogaridhënia jo!

Asnjë surprizë nga vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për të pandehurën Belinda Balluku. Nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet presionit mafioz të Kryeministrit. Opozita e kishte paralajmëruar këtë që ndodhi prej ditësh.

Madje 5 anëtarët në shumicë kishin bërë shumë mirë që as nuk kishin marrë mundimin të shkruanin qoftë dy fjali për të argumentuar vendimin e tyre, sepse fundja ai vendim ska asnjë lidhje me to, me Kushtetutën dhe me ligjin. Ai është vetëm një akt politik i Edi Ramës për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur veten e bashkëpunëtoren e tij, dhe për këtë arsye nuk ka asnjë nevojë të justifikohet me sajesa juridike.

Mirëpo, kush gëzon sot, do të hidhërohet më shumë nesër! Dhe, më mirë se kushdo, këtë e di Edi Rama – Kryeministri peng i të pandehurës së vetme në historinë e Bashkimit Europian që as nuk jep dorëheqje, as nuk lejon ta shkarkojnë.

Për fat të mirë, vendimi i djeshëm është vetëm një akt i përkohshëm, që i jep pak kohë Edi Ramës për të mbrojtur aferat e tij korruptive dhe për të fshirë lotët e krokodilit përpara Belindës.

Vendimi nuk shuan përgjegjësi, nuk mbyll çështje, nuk i rikthen 50 milion eurot e grabitura, dhe nuk garanton mbrojtje afatgjatë. As për Edi Ramën, as për Belinda Ballukun. Aktet madhore korruptive nuk neutralizohen me manovra procedurale dhe as me vendime të përkohshme të marra nën presion të pashembullt ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Fundi i kësaj historie nuk ka për të qenë triumfi i pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Ka për të qenë triumfi i të vërtetës, drejtësisë dhe interesit publik. Sepse koha mund të blihet, por llogaridhënia jo!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat