Kryesia e Partisë Demokratike zhvilloi ditën e sotme, 13 dhjetor, një mbledhje që zgjati jo pak, por rreth katër orë. Ajo nisi e qetë, me fjalën e kreut të saj, Sali Berisha, i cili njoftoi një protestë kombëtare me 22 dhjetor.
“Duhet të fillojmë protestat. Duhet t’i besojmë protestës. Duhet të organizojmë protestat, duhet t’i fillojmë sa më parë. I kemi filluar ato që janë te kryeministria. Por me datën 22 [dhjetor], duhet të thërrasim protestë kombëtare”, deklaroi Berisha.
Deri këtu gjithçka ishte publike për mediat, por duket se pas daljes së gazetarëve nga salla e mbledhjes ka pasur zhvillime intensive. Raportimeve se mes Flamur Nokës dhe Ervin Salianjit kishte pasur një përplasje, u dhanë të drejtë prononcimet e tyre për gazetarët jashtë selisë blu.
Salianji, i cili prej pak kohësh ka nisur foltoret e tij me demokratët, kërkoi përgjegjës brenda drejtuesve të Partisë Demokratike, për atë që e quajti “vendimmarrje të paqartë”. Në fokus të tij ishin firmat për zgjedhjen e Endrit Shabanit si Avokat Populli.
“Kam thënë çfarë kisha për të thënë në mbledhje. Vendimmarrja e PD, e cila ishte e paqartë në shumë situata, bën përgjegjës. Në zgjedhjen e ish-presidentit Bamir Topi, në momentin që gjashtë deputetë të PS-së votuan për presidentin e asaj kohe, pati dorëheqje të menjëhershme. Ne nuk mund të rrimë peng i interesave personale, e kështu me radhë. Unë po bëj përgjegjës drejtuesit e PD-së për paqartësitë strategjike në vendimmarrje të caktuara. Kam folur në strukturë dhe nuk dua ta zhvendos vëmendjen”, tha Salianji.
Ndër të tjera, ai u shpreh i keqardhur nga mbledhja e kryesisë, pasi sipas tij, e zhvendosi fokusin nga protesta tek diskutimet e brendshme. Megjithatë paralajmëroi se ndryshimi nuk vjen pa sakrifica.
“Ajo që di t’ju them është që do ecim përpara. Çdo ndryshim nuk vjen pa sakrifica dhe pa reagime e përplasje. Do vazhdojmë dhe do ecim përpara. Çdo akuze dhe çdo idiotësie, do i përgjigjemi me fakte konkrete dhe me emra konkretë, qoftë edhe budalliqeve të këtyre rasteve”, tha Salianji.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, në një komunikim po ashtu me gazetarët, e akuzoi Salianjin që ka telefonuar deputetët për të firmosur për Endrit Shabanin si Avokat i Popullit.
“Sot në mbledhje kanë thënë pesë deputetë që i ka telefonuar dhe e pranoi dhe vetë Salianji. Ka gojëdhëna që vetë Grida [Duma] është negociatore te Rama për Endrit Shabanin”, tha ai.
Sqaroi edhe pse në mbledhje u përmend emri i Suel Çelës, që zakonisht demokratët e kanë përmendur për të akuzuar mazhorancën.
“U diskutua sepse kemi pasur ankesa nga Elbasani, që Suel Çela është angazhuar për të telefonuar, pra për të kërcënuar dhe shantazhuar demokratë, që të mos merrnin pjesë në foltoren e Sali Berishës dje, por të marrin pjesë në një foltore tjetër, të nesërmen ose pasnesërmen, se nuk e di datën”, tha Noka.
Sa i përket firmave për Avokatin e Popullit, Noka tha se partia ka kërkuar ndjesë nëpërmjet kryetarit. Por pse ndodhi kjo?
“Ndjesa është për arsye se, në ngutje e sipër, në një moment emocional, kur ishte çështja e Bashkisë së Tiranës… shumë kolegë të mi, nën emocion pse Shabani kishte ofruar mbështetje ndaj kandidatit të përbashkët të opozitës, mbase janë ndikuar”, tha Noka.
Ai mohoi që të ketë firmosur për Shabanin dhe tha se ka kërkuar llogari për këtë gabim te deputetët e tjerë.
“Flamur Noka në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së dhe deputetit ka debatuar me çdo firmëtar, ka qenë kundër dhe është kundër. Flamur Noka ka një vullnet të shprehur te Adriana Kalaja, Besim Ndregjoni dhe kandidatët e tjerë. Flamur Noka, po e përsëris, ka debatuar me çdo firmëtar dhe në mbledhjen e grupit kam qenë i vetmi që ka kërkuar llogari për këtë gabim që është bërë. Ky është qëndrimi im personal në raport me këtë çështje që po thoni”, tha ai.
Noka iu përgjigj edhe pyetjes nëse iu kërkua dorëheqja sot nga Salianji.
“Po flas për agjendën e demokratëve dhe opozitarëve, ju po flisni për agjenda jashtë partiake në shërbim të qeverisë. Sot dorëheqja e vetme që kërkohet nga gjithkush në këtë vend është dorëheqja e Edi Ramës. Asgjë tjetër nuk e stabilizon Shqipërinë. Dorëheqja ime apo e dikujt tjetër këtu, qetëson vetëm Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij. Kjo është më se e qartë dhe evidente”, tha Noka.
Kujtojmë se Endrit Shabani u zgjodh si Avokat i Popullit me 85 vota pro.