Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se në një kohë që SPAK kërkon ta arrestojë Belinda Ballukun, kjo e fundit po falsifikon provat.
Në takimin me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar, ish kryeministri Berisha theksoi se po bëhen 100 manovra që ajo të mos shkojë në burg, përkundrazi, siç theksoi kryedemokrati “flitet për luftë”.
“Ka një muaj që shteti është i gozhduar sepse Lubi Balluku nuk jep dorëheqjen, sepse Edi Rama merr hapin e turpit, e çon në Kushtetuese dhe merr vendim për ti hequr pezullimin dhe ka 10 ditë që ditë e natë modifikon dhe falsifikon provat. Unë përgëzoj vendimin e Prokurorisë për të kërkuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj. Tani bëhen 100 manovra që ajo të mos shkojë atje ku e ka vendin. Përkundrazi, flitet për luftë. Kurrë nuk ka pasur një situatë të tillë”, tha nder te tjera Berisha.
Pjese nga fjala e Berishes
Së pari, u uroj mirsëardhjen dhe u përshëndes përzemërsisht dhe shpresoj se edhe në emër tuaj, shpreh mbështetjen e plotë të opozitës shqiptare për çdo punonjës të zbatimit të ligjit, punonjës policie, punonjës të shërbimit informativ, punonjës të BKH dhe hetimit, prokurorë, gjykatës dhe të gjithë ata që me ndershmëri, vendosmëri, guxim, integritet dhe kurajo vendosin të zbatojnë ligjin.
Ky takim sot, ndër të tjera synon t’u shprehë mbështetje të plotë atyre që zbatojnë ligji në këtë vend.
Dhe, opozita ka qenë, është dhe do mbetet e përcaktuar për shtetin ligjor, Kushtetutën si kuadri më i mirë për respektimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve.
Natyrisht duke thënë këtë, opozita ka qëndruar dhe qëndron ndaj çdo shkelje, ndaj çdo dhune ligjore të përdorur për qëllime politike.
Dhe këtu, ne jemi të palëkundur në këtë qëndrim.
Por në dallim me të tjerët, opozita nuk ka organizuar, ndonëse ka të drejtë të organizojë, dhunë ndaj organeve të drejtësisë, por është përballur, pavarësisht nga absurditetet që mund të jetë detyruar, ka dëshmuar se në një shtet, Kushtetuta i ndan pushtetet dhe ato duhen respektuar.
Nuk ka bërë atë që ka regjistruar për herë të parë narkoshteti shqiptar, Edi Rama me Erion Veliajn, që rrethuan dhe dhunuan prokurorë, gjykatës dhe hetues, kur u arrestua, kur doli para gjyqit, hajduti i tretë më i madh i vendit.