Dy ditë para vendimit që Gjykata Kushtetuese pritet të marrë për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama ka gjetur një tjetër mënyrë për të ushtruar presion ndaj saj për të diktuar vendimmarrjen e saj lidhur me kërkesën e dy shoqatave për të shpallur antikushtetues nene të ligjit që lidh pagën e magjistratëve me atë të Presidentit të Republikës. Rama lëshoi dje një breshëri akuzash ndaj gjyqtarëve, duke përdorur terma si “marrëbabëzi”, “skandal” dhe “turp kombëtar”. Në momentin që Gjykata po zhvillonte seancën, e cila nuk u transmetua për publikun për shkak të “defekteve teknike”, Rama ndërhyri publikisht duke sulmuar legjitimitetin e kërkesës. “Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq”, shkroi kryeministri në X. Rama pretendoi se gjyqtarët janë tashmë kategoria më e paguar në vend falë mbështetjes së mazhorancës për Reformën në Drejtësi, po tentojnë të uzurpojnë kompetencat e parlamentit dhe qeverisë për të “thyer piramidën shtetërore të pagave”. “Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën,” deklaroi Rama, duke e cilësuar kërkesën e shoqatave si një “skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues”.
Detajet
Padia në Kushtetuese është kundër një ligji të miratuar në vitin 2023 nga Kuvendi për caktimin e pagës referencë për magjistratët. Ligji e lidhi pagën e magjistratëve me atë të Presidentit të Republikës. Ky ndryshim solli rritje të pagave të magjistratëve në atë kohë, siç parashikohej në ligjet për reformën në drejtësi. Në të njëjtën kohë u miratuan edhe ndryshimet në pagat e administratës civile, të cilat u rritën disa herë. Gjyqtarët, paga referuese e të cilëve lidhej tani me atë të presidentit, nuk përfituan nga kjo rritje pagash. Për Unionin e Gjyqtarëve, këto ndryshime bien ndesh me nenin 138 të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese që u mblodh të martën në seancë, nuk ka dalë ende me një vendim në lidhje me çështjen çka e bën sulmin e kryeministrit të lexohet si një përpjekje për të diktuar gjykatën. Kjo nuk është hera e parë që kryeministri targeton gjyqtarët në lidhje me padinë për pagat dhe synon t’i imponohet Kushtetueses. Duke e paracaktuar çdo vendim në favor të gjyqtarëve si një “turp kombëtar”, Rama praktikisht e vendos gjykatën nën presion politik. Në retorikën e tij, Rama përdori edhe strategjinë e përçarjes brenda sistemit të drejtësisë. Ai u kujdes të veçonte dhe të lavdëronte Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për mospjesëmarrje në këtë padi, duke e përdorur këtë si argument për të delegjitimuar kërkesat e pjesës tjetër të korpusit gjyqësor. “Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie,” theksoi Rama. Sulmi i radhës, pas një serie të ngjashme herë për individë, herë për institucione dhe herë të tjera mbi të gjithë trupën e magjistratëve, vjen pak para se Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë kërkesën e Ramës mbi vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në të njëjtën kohë shumica e kontrolluar nga Rama mban në sirtarë një kërkesë të dytë të SPAK për imunitetin e Ballukut duke e lidhur atë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese pavarësisht se kërkesat janë të ndryshme.
Zvarritja e vendimit për Ballukun është “standard europian”, sipas qeverisë
Prej dy muajsh, Kuvendi i Shqipërisë po zvarrit procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e arrestimit për Ballukun, ndërsa kjo e fundit është marrë e pandehur dhe po hetohet për veprën penale të ‘shkeljes së barazisë në tendera’ në disa procedura me vlerë qindra-milionë euro. Por për ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, sjellja e Kuvendit tregon ‘një sjellje europiane’ dhe nuk cënon reformën në drejtësi. “Që në momentin kur kryeministri i një force politike vë re që se ka një mësymje të një pushteti tjetër në kompetencat e pushtetit që ai drejton dhe i drejtohet gjykatës, nuk anatemon dhe nuk shantazhon në mënyrë vulgare personale familjare prokurorin e strukturës, por drejtohet tek arbitri shtetëror që është gjykata. Unë këtë e quaj europianizim dhe konsolidim të reformës në drejtësi, sepse do të flasin institucionet,” tha Gogu të martën në përgjigje të pyetjes së BIRN. Gogu i bëri komentet gjatë një konferencë për mediat, ku i shoqëruar nga ministrja e Shtetit për Integrimin, Majlinda Dhuka dhe ministrja e Shtetit për Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, folën për hapat që po ndjek qeveria në përafrimin e legjislacionit në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian. Sipas Gogut, Kuvendi do të presë që të zgjidhet konflikti gjyqësor mes Kryeministrit dhe Gjykatës së Posaçme para se të shprehet për kërkesën e SPAK, duke iu referuar çështjes për masën tjetër ndaj Ballukut, e cila shqyrtohet me 22 janar në Gjykatën Kushtetuese. “Kur institucionet respektojnë afatet e njëri-tjetrit, pavarësinë e njëri-tjetrit dhe kur ‘ndeshjen’ proceduriale para gjykatave e bëjnë pikërisht për të bërë këtë gjë, ky është europianizim dhe institucionalizim dhe nuk e cënon fare reformën në drejtësi, përkundrazi i shton një element tjetër sigurie”, pretendoi ai më tej. SPAK dorëzoi në Kuvend kërkesën për dhënien e autorizimit për zbatimin e një mase të re ndalimi ndaj Ballukut bashkë me një dosje voluminoze hetimore ndaj saj, por pas një mbledhjeje të ndërprerë në mes të Këshillit për Mandatet, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi refuzoi kërkesat e anëtarëve të opozitës për mbledhjen e këtij këshilli duke e lënë shqyrtimin e kërkesës pezull. Balluku u mor e pandehur në tetor për Tunelin e Llogarasë, ndërsa më vonë ndaj saj u shtuan akuza për shkelje të barazisë në tendera dhe për Unazën e Madhe të Tiranës. Gjykata e Posaçme, GJKKO, vendosi masën e ndalimit të lëvizjes jashtë vendit dhe pezullim nga detyrat ekzekutive si zv/kryeministre dhe ministre e Transporteve dhe Energjisë, masë e cila u ankimua nga kryeministri Edi Rama në Kushtetuese si ndërhyrje e pushtetit gjyqësor në kompetencat e pushtetit ekzekutiv. Mbledhja e dytë e Këshillit të Mandateve është lajmëruar në datën 28 janar.