“Kërkojnë rritje 2-3 mijë euro”/ Shoqata e Gjyqtarëve i përgjigjet kryeministrit Rama: Gjyq popullor...

Shqipëria

“Kërkojnë rritje 2-3 mijë euro”/ Shoqata e Gjyqtarëve i përgjigjet kryeministrit Rama: Gjyq popullor...

Më: 3 shkurt 2026 Në ora: 21:32
Foto ilustrim

Shoqata e Gjyqtarëve i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili vazhdimisht ka deklaruar se kërkesa për të rritur pagën e tyre është absurde.

Në një deklaratë publike, Shoqata e Gjyqtarëve deklaron se e gjithë kjo tymnajë populiste është krijuar dhe shpërndarë me qëllim linçimin e gjyqtarëve dhe shoqatave të tyre lidhur me një proces gjyqësor kushtetues, i cili ndodhet në fazën e vendimmarrjes përfundimtare në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Shoqatës, ata kërkojmë që të përcjellin publikisht se të gjitha iniciativat civile dhe kushtetuese të shoqatave të gjyqtarëve nuk kanë si qëllim “rritjen e pagës”, duke e cilësuar këtë “term i zgjedhur qëllimisht, i gënjeshtërt dhe spekulant, vetëm për t’i kundërvënë procesit gjyqësor kushtetues populizmin, si armë e pafuqisë juridike dhe e fuqisë së përbaltjes”. Sipas tyre deklaratat e Kryeministrit janë “një qëllim keqdashës i fushatës publike të nisur për ta shndërruar procesin gjyqësor kushtetues në gjyq popullor”.

Deklarata e plotë:

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve e Republikës së Shqipërisë e ka ndjekur me keqardhje dhe shqetësim fushatën e spekulimeve publike të ndërmarrë nga kreu i Këshillit të Ministrave dhe gjithashtu edhe zhvillimin mediatik të saj, që kulmoi mbrëmjen e kaluar.

E gjithë kjo tymnajë populiste është krijuar dhe shpërndarë me qëllim linçimin e gjyqtarëve dhe shoqatave të tyre lidhur me një proces gjyqësor kushtetues, i cili ndodhet në fazën e vendimmarrjes përfundimtare në Gjykatën Kushtetuese.

Ndaj e vlerësojmë të nevojshme, jo të argumentojmë drejtësinë kushtetuese të pretendimeve të parashtruara në dy kërkesat e paraqitura, pasi artikulimi juridik dhe parashtrimi i tyre në gjykatën e ligjeve tashmë është një fazë e mbyllur procesi, por të mos lejojmë keqinformimin e publikut mbi qëllimet e këtyre iniciativave gjyqësore.

Në respekt të parimeve të shtetit të së drejtës dhe standardeve të përbotshme demokratike dhe qytetare që Republika jonë aspiron, ne nuk mund t’i lejojmë vetes që të ushtrojmë presion mbi Gjykatën Kushtetuese, t’i intimidojmë gjyqtarët, t’i kërcënojmë apo t’u prishim atyre qetësinë e meshës, që duhet të ketë faza e mbrame e procesit, ajo vendimmarrëse. Tashmë ka vetëm një zë legjitim që duhet të dëgjohet dhe se ai zë i takon vetëm artikulimit të vendimit nga Gjykatës Kushtetuese.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat