Edhe pse në vend janë bërë reforma për digjitalizimin e Kadastrës dhe hartës së tokave, afro 1 në 5 qytetarë ndihen të pasigurt për pronën. Perceptimi i qytetarëve po shkon në kah të kundërt ndërsa shkaqet kryesore të pasigurive janë kaosi me titujt e pronësisë dhe mbivendosjet.
Banka Botërore raporton se pasiguria për pronën në Shqipëri është nga më të lartat në Europë, duke përfshirë 20 për qind të popullsisë. Sipas të dhënave të Indeksit Global të Drejtësisë së Pronës, pasiguria ka rritur nga 18% në 2020 në 20% në 2024.
Shqipëria vazhdon të përballet me trashëgiminë e ligjit 7501 dhe proceset e papërfunduara të kthimit dhe kompensimit të pronave. Shpesh për të njëjtën parcelë toke ekzistojnë dy ose më shumë certifikata pronësie, duke krijuar një situatë ku asnjëra palë nuk ndihet pronar i sigurt.
Gjithashtu, ndonëse mijëra objekte janë legalizuar, një pjesë e madhe e popullsisë në zonat informale ende pret dokumentacionin final. Kalimi i shërbimeve të pronësisë tërësisht online fillimisht u shoqërua me vonesa dhe vështirësi teknike. Shumë qytetarë e perceptojnë mungesën e kontaktit fizik me zyrtarët si pengesë për të sqaruar problematikat komplekse të tokës së tyre, gjë që rrit pasigurinë.
Për më tepër, konfliktet e pronësisë shpesh mbeten në gjykata për dekada, duke sjellë humbje besimi dhe durimi tek qytetarët.