Në emisionin Epiqendër, të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, u diskutua këtë të enjte mbi rrezikun në rritje të sulmeve kibernetike dhe mashtrimeve online në Shqipëri.
I ftuar në studio ishte eksperti i sigurisë kibernetike pranë Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Egli Lilo, i cili bëri të ditur se gjatë vitit të fundit janë regjistruar miliona tentativa sulmesh kibernetike ndaj sistemeve në vend.
Sipas tij, vetëm gjatë vitit të kaluar janë identifikuar rreth 5.5 milionë tentativa sulmesh, nga të cilat një pjesë e vogël kanë rezultuar të suksesshme.
Ai theksoi se 51 prej tyre kanë arritur të kompromentojnë sisteme apo struktura të ndryshme.Lilo shtoi se nga këto raste të konfirmuara, rreth tetë kanë qenë të lidhura drejtpërdrejt me mashtrime online, të realizuara përmes emaileve, numrave të telefonit dhe rrjeteve sociale.
Ai shpjegoi se këto sulme shpesh nisin si mashtrime ndaj individëve apo institucioneve, por mund të eskalojnë në incidente më të mëdha kibernetike kur synohen sisteme më të gjera.