Lubonja për zgjedhjet në PD: Berisha duhet ta pranonte garën!

Shqipëria

Lubonja për zgjedhjet në PD: Berisha duhet ta pranonte garën!

Më: 11 maj 2026 Në ora: 15:40
Analisti Fatos Lubonja

Analisti Fatos Lubonja mendon se Sali Berisha bëri gabim që nuk e lejoi ish-deputetin Ervin Salianji që të garonte për kryetar të PD-së.

I ftuar në studion e “News 24” ditën e sotme (11 maj), ai argumentoi se debati i brendshëm në një parti është demokraci dhe e çon përpara drejt ndryshimit atë forcë, ndërsa kur përjashtohen kthehet në autokraci dhe e dobëson më tej opozitën.

Ai vuri në dukje një nga defektet e kreut aktual të selisë blu, duke mos lejuar garën e hapur por edhe duke e bërë të pamundur ndryshimin apo bashkimin e faktorit opozitar.

Madje e sheh edhe si pengesë atë për procesin e mëtejshëm, ndërkohë që me forcën që ka brenda partisë e mban nën kontroll sepse gëzon mbështetje dhe nuk e lejon garën e brendshme.

“Gabim politik i Berishës që një figurë si Salianji nuk e futi në garë. Ai duhet ta fuste në garë. Unë mendoj se Salianji nuk e rrezikonte Berishën”, tha Lubonja.

Dhe duke vijuar argumentin e tij komentoi se Berisha e ka treguar forcën e tij dhe kontrollin e partisë edhe në rastin Basha, kur kishte gjithashtu SHBA-të kundër, e që e shpallën “non grata”.

“Berisha e mori partinë edhe kur ishte Lulzim Basha, në një kohë kur përveç Bashës e deputetëve kishte amerikanët me vete ajo PD, kurse Berisha arriti ta merrte. Për shkak të kohës së gjatë, kultit e të tjera, ka një bazë të fuqishme që e mbështet Berishën. Ka një perceptim dhe provime se ky (Berisha) mund të jetë njeriu i vetëm që na sjell në pushtet”, tha analisti.

Dhe duke parë rrethanat politike dhe historikun e PD-së, ai përforcoi mendimin se Salianji duhej lejuar të konkurronte, edhe pse mund të mos fitonte dot.

“Në këtë aspekt Berisha duhet ta pranonte garën, por s’e pranoi. PD luftën duhet ta ketë me Ramën dhe jo kush e merr partinë”, tha ai.

Pyetjes nëse do ketë surpriza pas 23 majit në PD, të krijohet një grup tjetër politik apo parti dhe fraksion, Lubonja nuk e përjashtoi si mundësi.

“Sipas meje, PD me në krye Berishën duhet të punonte në mënyrë të hapur për të bashkuar frontin opozitar. Berisha dihet që është pengesë erdhe prej perceptimit që është për të. Është gabim politik i Berishës që një figurë si Salianji nuk e futi në garë. Berisha duhet të kishte pranuar garën, nuk e pranoi. Gjëja normale do të ishte gara, Salianji më pas mund të kontribuonte në parti e të garonte më vonë”, tha analisti.

Në fund ai tha se opozita duhet të ketë argumente dhe kurajo, ndaj këshilloi një fron të bashkuar opozitar që në fillim të ndryshonin gjërat politikisht në atë kamp dhe më pas të vinte rotacioni.

“Duhet të bëhet një opozitë me argumente, me prova dhe fakte dhe duhet të ketë kurajon që t’ia thotë në sy gjërat dhe jo në formë manipulative. I kushton shumë opozitës kjo gjë. Nga një anë e dinë se këtu ka një narko-shtet. Kanë prova. Jam për rrotacionin. Nuk do të vijë më i miri i botës, por përmes rrotacionit do të përmirësohet Shqipëria. Se ajo s’do të përmirësohet duke ardhur nga qielli. Kilometri i fundit për opozitën? Duhet ta bëjë mirë. Se po vjen ujku e po vjen ujku, por asgjë s’duket. Kjo gjendje e opozitës është rezultat i një pune intrigash nga PS dhe Rama për të eliminuar kundërshtarët. Duhet bashkim i opozitës”, analizoi Lubonja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat