Aksident në aksin Prrenjas–Librazhd, përplasen një makinë dhe një motoçikletë! Plagosen rëndë dy adoleshentë

Shqipëria

Aksident në aksin Prrenjas–Librazhd, përplasen një makinë dhe një motoçikletë! Plagosen rëndë dy adoleshentë

Më: 14 maj 2026 Në ora: 19:32
Foto ilustrim

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të enjteje në aksin e rrugës kombëtare Prrenjas–Librazhd, ku një motorçikletë është përplasur me një automjet.

Sipas burimeve nga vendngjarja për gazetarin Fatmir Popja, aksidenti ka ndodhur në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”, një segment i konsideruar problematik për qarkullimin. Në motorçikletë udhëtonin dy persona, drejtuesi dhe një pasagjer, të cilët pas përplasjes së fortë kanë mbetur të plagosur rëndë, duke pësuar fraktura të shumta në trup.

Mësohet se të plagosurit janë dy djem adoleshentë, njëri banues në fshatin Hotolisht dhe tjetri nga zona e Polisit në Librazhd.

Menjëherë pas aksidentit, ata janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Elbasanit, por për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, mjekët kanë vendosur dërgimin e tyre të menjëhershëm në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat