Ngjarja e rëndë në Shëngjin merr dy jetë, gjendja e tre të rinjve është e stabilizuar

Shqipëria

Ngjarja e rëndë në Shëngjin merr dy jetë, gjendja e tre të rinjve është e stabilizuar

Më: 3 qershor 2026 Në ora: 17:23 Përditësuar në ora: 00:01 më 04.06.2026
Fotoilustrim

Tragjedia në bregdetin e Shëngjinit, Nufi: Jemi pranë familjeve të prekura dhe qytetarëve të Kosovës

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi reagoi sot në rrjetet sociale, pas tragjedisë së rëndë në bregdetin e Shëngjinit, ku humbën jetën dy të rinj nga Kosova.

“I trishtuar për tragjedinë e rëndë në bregdetin e Shëngjinit, ku dy të rinj nga Kosova humbën jetën, ndërsa tre të tjerë po marrin trajtim mjekësor”, tha Nufi, ndërsa u shprehu ngushëllimet familjarëve që humbën njerëzit e tyre në këtë tragjedi të rëndë.

“Mendimet dhe lutjet e mia janë gjithashtu me të lënduarit, me shpresën që ta kapërcejnë sa më shpejt këtë situatë të rëndë. Shpreh mirënjohjen për vullnetarët që ndërhynë menjëherë për t’u ardhur në ndihmë të rinjve, si dhe për strukturat e Policisë së Shtetit dhe ekipet e urgjencës mjekësore që vijuan operacionin e shpëtimit dhe ofruan asistencën e nevojshme”, vijoi Nufi.

Ministri Nufi nënvizoi se “në këto momente zie dhe dhimbjeje jemi pranë familjeve të prekura dhe pranë të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Ky është njëri prej viktimave nga tragjedia në Shëngjin

Një ngjarje tragjike ndodhi pasditen e sotme në Shëngjin, gjegjësisht te Rana e Hedhun, ku dy shtetas të Kosovës humbën jetën në det, të rrëmbyer nga dallgët e mëdha.

E pak minuta më parë, faqja zyrtare e Komunës së Drenasit ngushëlloi familjen dhe të afërmit e Jetmir Binakut, njërit nga viktimat.

“Me rastin e ngjarjes tragjike të ndodhur sot në Shëngjin, ku humbën jetën dy të rinj nga Kosova, njëri prej tyre nga fshati Gllobar i Drenasit, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Binaku, të afërmit dhe miqtë e të ndjerit”, shkruan në telegramin e ngushëllimit të Komunës së drejtuar nga Ramiz Lladrovci.

Në telegram, humbja e jetës së Jetmir Binakut thuhet se është e rëndë dhe e parakohshme, e cila ka prekur jo vetëm familjen, por edhe gjithë komunën e Drenasit.

“Në këto momente dhimbjeje, kryetari Lladrovci ndan pikëllimin me familjen Binaku dhe lutet që ata të gjejnë forcë për ta përballuar këtë tragjedi”, u tha mes tjerash në telegram.

Ngjarja e rëndë në Shëngjin, ambasadori Durmishi informohet për gjendjen e të rinjve

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, vizituan në Spitalin Rajonal të Lezhës tre të rinjtë kosovarë që po marrin trajtim mjekësor pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin.

Gjatë vizitës, ambasadori u interesua nga afër për gjendjen shëndetësore të të rinjve dhe mori informacion nga stafi mjekësor lidhur me ecurinë e trajtimit të tyre. Sipas ambasadorit Durmishi, gjendja e tre të rinjve është e stabilizuar dhe ata vijojnë të jenë nën kujdesin e vazhdueshëm të bluzave të bardha në urgjencën e Lezhës.

Ai falënderoi ekipet mjekësore dhe strukturat vendore për reagimin e shpejtë dhe ndihmën e ofruar, ndërsa shprehu solidaritetin me familjet e personave të përfshirë në këtë ngjarje tragjike.

Mjekët bëjnë me dije se të rinjtë po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme dhe, deri tani, parametrat e tyre shëndetësorë paraqiten të qëndrueshëm.

Humbën jetën në Shëngjin, identifikohen dy të rinjtë nga Kosova

Janë identifikuar dy të rinjtë që humbën jetën tragjikisht pasditen e kësaj të mërkurë në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin. Viktimat janë L. A. nga Fushë Kosova dhe J. Ç. nga Prishtina.

Mësohet se 5 të rinj u morën nga dallgët pasi u futën për t’u larë.

Pasditja e tyre në bregdetin e Shëngjinit rezultoi fatale prej dy prej tyre të cilët humbën jetën.

Mësohet se dy të rinjtë e tjerë janë nxjerrë nga uji dhe janë në gjendje të rëndë në spital.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e kërkim-shpëtimit dhe Policia e Shtetit, të cilat po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj.

Ngjarja tragjike në Shëngjin, policia jep detaje

Policia ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen tragjike të regjistruar këtë të mërkurë në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin ku humbën jetën 2 persona. Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30.

Viktimat së bashku me 3 persona të tjerë, të gjithë nga Kosova ishin futur në det për t’u larë. Si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ata po rrezikonin të mbyteshin.

Policia bën me dije se kanë ndërhyrë qytetarët me Jet Sku dhe shërbimet policore të cilat kanë bërë të mundur nxjerrjen e tyre ne breg. Fatkqësisht 2 prej tyre kanë ndërruar jetë ndërsa 3 të tjerë po marrin ndihmë mjekësore.

“Shëngjin, Lezhë/Informacion paraprak. Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.

Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.

Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.

 

Tragjedia në Shëngjin: Viktimat raportohet se janë nga Kosova, kjo është mosha e tyre

Një ngjarje e rëndë raportohet pasditen e kësaj të mërkure në bregdetin e Shëngjinit, më konkretisht te Rana e Hedhun.

Sipas informacioneve paraprake, pesë të rinj (shokë me njëri-tjetrin) shfrytëzuan një moment për t’u larë në det, pa e ditur se moti i keq do shkatërronte gjithçka…

Edhe pse pritet një konfirmim zyrtar nga ana e Policisë, dyshohet se dy prej tyre kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerët janë në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin rajonal të Lezhës.

Bëhet fjalë për djem të moshës 20 deri në 25 vjeç, shtetas nga Kosova.

“Kanë kërkuar ndihmë, aty pranë kanë qenë disa punonjës që po merreshin me disa përgatitje për një festival që do mbahet brenda pak ditësh. Të rinjtë janë nxjerrë pa ndjenja nga deti, ndërsa dy prej tyre kanë humbur jetën në spital”.

Tragjedia në Shëngjin, ndërrojnë jetë 2 të rinj nga Kosova, dy të tjerë në gjendje të rëndë

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në bregdetin e Shëngjinit, ku katër të rinj nga Kosova, të cilët kishin hyrë për t’u larë në det, janë përballur me dallgët e forta dhe rrymat detare.

Sipas informacioneve paraprake, të rinjtë dyshohet se janë marrë nga rrymat e fuqishme, duke bërë që situata të dalë jashtë kontrollit. Si pasojë e ngjarjes së rëndë, dy prej tyre kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerët janë transportuar për ndihmë mjekësore dhe raportohet se ndodhen në gjendje të rëndë.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës, forcat e kërkim-shpëtimit dhe policia, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet lidhur me identitetin e viktimave dhe gjendjen e saktë shëndetësore të personave të plagosur.

Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që autoritetet të japin më shumë detaje në orët në vijim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat