“Nesër më shumë”/ Mbyllet dita e dhjetë e tubimit madhështor në Tiranë! Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës!

Shqipëria

“Nesër më shumë”/ Mbyllet dita e dhjetë e tubimit madhështor në Tiranë! Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës!

Më: 9 qershor 2026 Në ora: 18:43 Përditësuar në ora: 00:18 më 10.06.2026
Protesta

Mbyllet dita e dhjetë e tubimit madhështor në Tiranë!

Pas afro 6 orëve është mbyllur protesta madhështore në kryeqytet! Një organizim i veçantë qytetar, pa asnjë incident dhe problematikë, ku protestuesit lëshuan thirrje të forta antiqeveritare, ndërsa kryefjalë e kërkesave të tyre është dorëheqja e Ramës.

Shembull, qytetari, energji, rini. Kjo protestë ishte ndër më madhështoret, si për nga pjesëmarrja po ashtu edhe për nga qëndresa dhe vendosmëria e tyre.

“Edi Rama jep dorëheqjen”, jehoi gjatë gjithë protestës.

Tubime janë organizuar edhe në shtete të tjerë ku jetojnë shqiptarët, të cilët i janë bashkuar kësaj proteste që mori zë në Tiranë. Duhet ritheksuar se protesta e organizuar në Tiranë, jehoi edhe jashtë kufijve. Ndërsa nesër më 10 qershor është bërë thirrjet që tubimit t’i bashkohet edhe Diaspora.

Me thirrjet “Revolucion”, “Shqipëri e Re”, Edi Rama në burg Berisha në burg”, qytetarët kërkojnë largimin e kësaj qeverie dhe theksojnë se nuk do të dorëzohen deri në dorëheqjen e Ramës.

Protestuesit thirrje qytetarëve në rrugë dhe lokale: Bashkohuni me ne!

Prej 5 orësh vijon protesta në Tiranë, në shenjë kundërshtie kundër qeverisë Rama.

Me thirrje kundër Ramës, dhe kërkesës për dorëheqjen e tij, protestuesit kanë vijuar me marshimin nëpër rrugë të Tiranës, ndërsa i kanë bërë thirrje qytetarëve në rrugë apo dhe atyre që qëndrojnë nëpër lokale, që t’i bashkohen protestës.

Ndërkohë nesër është njoftuar protestë kombëtare me pjesëmarrjen edhe të shqiptarëve të diasporës.

Protestuesit marshojnë mes makinave, shoferët solidarizohen, fikin mjetet dhe mbështesin revoltën në Tiranë

Që prej orës 18:00, e gjithë Tirana është ngritur në protestë! Qindra mijëra qytetarë kanë zbarkuar në rrugët e Tiranës dhe po protestojnë kundër qeverisë Rama, ndërsa kryefjalë e tubimit të tyre është dorëheqja e kryeministrit.

Teksa qëndruan për disa orë para Kryeministrisë, protestuesit u shpërndanë në turma, duke marshuar në zona të ndryshme.

Një shenjë solidarizimi dhe krejt ndryshe nga protesta te tjera ishte solidarizimi i drejtuesve të mjeteve, të cilët vazhdimisht iu binin borive, ndërsa disa të tjerë fikën mjetet dhe për asnjë rast nuk pati përplasje apo tensioni.

Disa prej shoferëve të mjeteve apo pasagjerët, kanë dalë nga mjetet dhe kanë përshëndetur protestuesit.

Protesta para Kryeministrisë, Meçollari: Porti i Durrësit krim shtetëror, Rama kërcënim për sigurinë e aleatëve dhe NATO-s

Ish-nënkomandati i Flotës Detare, Artur Meçollari, nga podiumi i protestës së sotme para Kryeministrisë, denoncoi kryeministrin Edi Rama për aferat koncesionare, duke u kthyer edhe në një cenim jo vetëm për sigurinë e Shqipërisë, por edhe për atë të NATO-s.

Ai i renditi, sipas tij, disa nga skandalet investimeve strategjike të kryeministrit, që nga Porti i Durrësit dhe Porto Romano, deri te Zvërneci dhe baza ushtarake e Pashalimanit, që sipas tij “po ia jep oligarkëve dhe njerëzve të kërkuar ndërkombëtarë”.

“Kjo protestë është një moment historik, ne po ndryshojmë mënyrën e qeverisjes, po kërkojmë shtet ligjor dhe të barabartë për të gjithë. Zvërneci ishte pika e ujit që mbushi gotën, por Rama kërkon ta devijojë duke thënë se s’ka projekt. Rama ka dëmtuar gjithë Shqipërinë. Ju kujtoj disa projekte, aeroporti i Kukësit asnjë avion nuk ngrihet e ulet dhe koncesionari merr paratë për pasagjerët e munguar. Porto Romano, e mbani mend se çfarë thoshte kryeministri, do bëhet baza e NATO-s. As u bë dhe as ka për t’u bërë ndonjëherë, sepse është pa studim fizibiliteti. Një vend që nuk mund të ngrihet port tregtar”, tha Meçollari.

Më tej ai renditi edhe çështjet e tjera, si dhe sigurinë kombëtare.

“Porti i Durrësit është krim shtetëror, i vetmi port tregtar në vend që mban lidhje tregtare e rajonale, që favorizon pozicionin strategjik shqiptar, por Rama do ta kthej në port turistik por ai nuk e kthen dot. Sepse armiqtë që ai nuk i ka shpallur janë NATO, BE dhe SHBA, si për portin e Durrësit, edhe për Porto Romanon. Mund të vemi më poshtë, Palasë e Dhërmi, është dëmtuar mjedisi dhe kapacitetet. Mund të vemi në Limion, që nga bazë detare u projektua në port për oligarkët, e po kështu Zvërneci, Pashalimani, që i janë hequr bazës 80 hektarë”, u shpreh ish-kreu i flotës.

Meçollari akuzoi se “kemi të bëjmë me një kryeministër që ka grabitur pasuritë kombëtare dhe që duhet të dorëhiqet për dëmet e bëra”.

Sipas tij, Rama e di fundin e tij, por së bashku ata duhet të protestonin pa ndalim për ta larguar.

“Kemi të bëjmë me një kryeministër që jo vetëm vjedh pasurinë kombëtare por është edhe cenim kombëtar, por edhe të aleancës dhe sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Sot Porto Romano nuk është port i NATO-s. I ka dështuar tenderi dhe do i dështojë përsëri. Pse? Sepse Rama dhe njerëzit e tij jo janë të korruptuar, por janë të lidhur me oligarkë dhe të kërkuar ndërkombëtar, janë të kërkuar. Në Pashaliman e ka një italian që është në kërkim ndërkombëtar. Edi Rama e di fundin e tij, Edi Rama nuk ikën vetë. Ne duhet të qëndrojmë deri në fund, deri sa të iki. Për dëmin e shkaktuar kërkohet vetëm dorëheqja e Edi Ramës”, përfundoi ai.

Dita e dhjetë e protestës në Tiranë, kundër investimit në Zvërnec

Në ditën e dhjetë të protestës kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” me thirrjet e zakonshme për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës, hetimin e pasurive të politikanëve dhe kundër shitjes së pasurive kombëtare.

Pas grumbullimit në shesh, protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u rigrumbulluar përpara Kryeministrisë.

Aktivisti Alben Kola bëri thirrje për t’iu bashkuar protestës së banorëve të Rrjollit në datën 13 qershor pasi sipas një protestuesi, aty janë vendosur gardhe të rinj.

“Nga Zvërneci deri në Rrjoll, sot Shqipëria po thotë boll”, ishte thirrja më e re e protestës.

Në pritje që më shumë qytetarë t’i bashkoheshin protestës, përfaqësuesi i grupit koordinues tha se protesta nuk është vetëm për flamingot, por edhe për 1001 hallet që ka populli shqiptar.

Ndaj sot, sipas tij, bashkohet në protestë edhe flamuri amerikan.

Marshimi nisi, sipas thirrjes së grupit koordinues, me gratë dhe fëmijët në krye.

Ndërsa u mblodhën para Kryeministrisë, kanë nisur dhe fjalimet 3-minutëshe. Përfaqësuesja e grupit koordinues tha se në shesh nuk janë 2 mijë persona, por është e gjithë rinia shqiptare.

“Shqiptarët janë bërë bashkë për të shpëtuar vendin nga të gjitha padrejtësitë e shumë viteve, ndërsa shumë të rinj jetojnë jashtë se nuk kanë gjetur mundësi në vendin e tyre”, tha ajo, ndërsa vuri theksin se në protestë janë pa parti politike.

Një protestuese tjetër foli për Rrjollin pasi prej katër muajsh proteston atje. “Rrjolli nuk është kundër investimeve por kundër grabitjes së pronave. Është prej korridoreve ekologjike më të rëndësishme të BE dhe I bëj thirrje BE të kthejë sytë nga Rrjolli”, tha protestuesja Luçiana Kokaj. Sipas saj, janë 180 specie zogjsh që shtegtojnë e kanë ndalesën e tyre në Rrjoll që është zonë e mbrojtur.

Sipas saj, dje banorët janë zgjuar me tokën e tyre të rrethuar me tela me gjemba.

Një tjetër protestues duke folur në protestë tha se porti i Durrësit është krim shtetëror. Një ish-student pjesëmarrës në protestat e studentëve ngriti pyetjen se pse 35 vite me të njëjtat premtime asgjë nuk është realizuar.

“Kanë krijuar një komunizëm hibrid, kanë çdo gjë në dorë dhe nuk e lëshojnë pushtetin sepse nëse mbaron tranzioni kanë frikë të japin llogari”, tha ai. Sipas tij, kërkohet system i ri ku njerëzit të kenë besim të drejtësia dhe te njëri-tjetri.

Një vajzë e ardhur nga jashtë për të folur në protest iu drejtua protestuesve si fytyra e Shqipërisë së re. Sipas saj, ky është moment historik pasi për herë të parë pas 35 vitesh shqiptarët bashkohen pa dallim partie dhe tregojnë se nuk nëpërkëmben nga askush.

Protestues të tjerë kërkuan shpjegime se si po bëhet vlerësimi i ndikimit në mjedis pa pasur project për ndërtim në Zvërnec.

Njëri prej tyre u ndal te kërkesa për negociata, duke thënë se nuk ka negociata me Kryeministrin Rama. Të tjerë kërkuan lidhjen e besës për mbrojtjen e të gjitha zonave natyrore në Shqipëri.

Protestuesit thirrën në kor edhe UÇK ndërsa fjalën e mori një aktivist që nga Mallakastra shkoi në Kosovë kur atje ishte nevoja.

“Mos na detyroni të ndërmarrim hapa që nuk duam t’i marrim”, tha ai duke iu drejtuar politikanëve duke thënë se ata kanë tradhtuar vendin. Sipas tij, duhet t’ia lënë vendin një qeverie teknike.

Në rast të kundërt, tha ai, këto protesta do përshkallëzohen dhe nuk do të jenë më kaq paqësore.

Një nxënëse e 9-vjeçares tha se ndodhet në protestë se e do vendin. “Duam më të mirën për të ardhmen tonë”, tha ajo.

Aktivisti Gent Progni tha se protestuesit nuk do të lodhen. “Kjo protestë është dhe për SPAK e gjykatat të hetojnë e të fusin kriminelët në burg”, tha ai. Ai u bëri thirrje bizneseve të vogla të mbyllin qepenat dhe të bashkohen me protestën. Po ashtu, Progni tha se institucionet duhet të rrinë larg protestuesve dhe të mos bëjnë presion, raporton ATSH.

Nesër është paralajmëruar protestë mbarëkombëtare që u cilësua nga të pranishmit si “Besëlidhja e Tiranës 2026”.

Pas fjalimeve protestuesit nisën marshimin drejt bulevardit dhe rrugëve të tjera të Tiranës.

Nis protesta ku kërkohet dorëheqja e Ramës/ Agjencia e madhe ‘Reuters’ vazhdon me transmetimet live

Ka nisur protesta e radhës në Tiranë ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Sërish agjencia Reuters, një nga më të mëdhatë në botë, po e transmeton live protestën në platformat e saj sociale.

Ndërkohë, një ditë më parë Taulant Balla e sulmoi këtë agjenci se pse po e transmeton live protestën.

Kujtojmë se kjo protestë ka tërhequr vëmendjen e shumë medieve të mëdha ndërkombëtare.

 

“Nga Zvërneci deri në Rrjoll, Shqipëria po thotë boll”/ Qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë

Ka nisur marshimi nga sheshi “Skënderbej” në Tiranë drejt Kryeministrisë. Kjo është dita e 10 protestës, në kryeqytet, por jo vetëm.

Qindra-mijë shqiptarë janë ngritur në këmbë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protesta janë zhvilluar edhe në Shkodër, Vlorë, Durrës, Pogradec, por edhe jashtë vendin ku jetojnë shqiptarë. Njëzëri ata kërkojnë largimin e kryeministrit Rama.

Thirrjet “Edi Rama dorëhiqu”, “Atdheu i Shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Atdheu nuk shitet”, ka jehuar prej 9 ditësh në protestat në Tiranë.

Pasi qëndruan për rreth 30 minuta në sheshin “Skënderbej”, protestuesit nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe Kryeministrisë.

Gjatë marshimit, qytetarët bën thirrje ku kërkonin dorëheqjen e kryeministrit.

“Revolucion, dorëheqje, Rama jepe dorëheqjen,Edi Rama ka mbaru, ka mbaru edhe Sala dëm ka shku, dëm ka shku, Rama në burg Berisha në burg, poshtë Komunizmi” ishin disa prej thirrjeve të tyre.

Protesta për Zvërnecin, qytetarët takohen në sheshin ‘Skënderbej’, pritet t’i drejtohen kryeministrisë

Për të dhjetën ditë radhazi, qytetarët vijojnë me protestën në kryeqytet kundër investimit në Zvërnec.

Ata kanë nisur grumbullimin në sheshin “Skënderbej”, vendtakimin e përhershëm të orës 18:00 përpara se t’i drejtohen së bashku kryeministrisë. Po njësoj, vijojnë edhe thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe pankartat që bëjnë thirrje për anulimin e investimit.

Gjatë rrugës për te kryeministria, atyre u bashkohen protestues të tjerë apo edhe ata që i presin tashmë para institucionit.

Kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e qeverisë, ndërsa kanë artikuluar edhe idenë e një partie të re politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat