Publicisti dhe analisti politik Adriatik Riza Dosti ka reaguar me një status të gjatë në rrjetet sociale, ku ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe protestat kundër kryeministrit Edi Rama.
Sipas Dostit, nuk është rastësi që, sipas tij, përmirësimi i imazhit të liderit të opozitës Sali Berisha në arenën ndërkombëtare po përkon me protestat e shumta kundër qeverisë. Ai vlerëson se protestat po dërgojnë një mesazh të fuqishëm jo vetëm për shqiptarët, por edhe për opinionin ndërkombëtar.
Në shkrimin e tij, Dosti shprehet se protesta nuk ka për qëllim ta shndërrojë Berishën në “hero”, por se rëndësia e saj qëndron te mesazhi politik dhe shoqëror që po përcillet. Ai përdor edhe tone ironike, duke përmendur se “këtë punë tashmë e kanë marrë në dorë ustallarët”, ndërsa e paraqet popullin si forcën kryesore të ndryshimit.
Analisti përdor gjithashtu metafora dhe krahasime me figura të njohura politike botërore, duke përshkruar një “ëndërr” ku liderë të rrëzuar nga pushteti po bëjnë gati valixhet, në një referencë të qartë ndaj mundësisë së ndryshimeve politike edhe në Shqipëri.
Statusi i Dostit ka ngjallur reagime në rrjetet sociale, teksa protestat kundër qeverisë së Ramës vazhdojnë të mbeten në qendër të debatit politik në vend.
Shkrimi i plotë:
Kush nuk sheh asnjë lloj lidhjeje mes pastrimit të figurës së liderit të PD-së dhe opozitës shqiptare, e imazhit të tyre, e jo thjesht të Sali Berishës si person, nga Amerika, dhe protestës së fuqishme mbarëshqiptare anti-Rama në krejt vendin e në mbarë botën, ku kërkohet dorëheqja dhe largimi i tij, është më qorr se sa edhe vetë Arlind Qorri dhe qorrat e tij, që ç’nuk po bëjnë për ta sabotuar e përçarë atë.
Nuk është se protesta më e fuqishme dhe më e gjatë e shqiptarëve në historinë e tyre kombëtare e varrosi Ramën dhe e ngriti në piedestalin e heroit Berishën, por domethënia e saj, si dhe mesazhi që u dha e po u jep vetë shqiptarëve, por edhe mbarë botës, është vërtet një histori më vete, që lum ai që di si ta lexojë e ta kuptojë atë.
Mu fanep në gjumë mbrëmë një tip që vinte vërdallë dhe i thoshte herë Doktorit, herë Piktorit: “Rrini larg ju, se këtë punë tashmë e kanë marrë në dorë ustallarët.”
Dhe u tregonte popullin krejt në protestë e u thoshte: “Hë, më thoni tani, a i bihet murit me kokë?”
Po mbrëmë, gjithë natën në ëndërr, Çauşesku, Sadami, Gadafi, Noriega, Gruevski, Maduro dhe Vuçiçi po bënin gati valixhet, ndërsa një tip xhelati shiste opsione vdekjeje: varje në litar, djegie në turrë drush, pushkatim, gijotinë, karrige elektrike etj.
Pffff... gjithë natën pa gjumë... si kukudh.