Në takimin e radhës të grupit të ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë është sqaruar përmbajtja dhe qëllimi i udhëzuesit klinik për trajtimin hormonal, i cili synon të orientojë profesionistët e shëndetësisë drejt një kujdesi të standardizuar, etik dhe në përputhje me praktikat më të mira europiane.
Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi, theksoi se procesi i integrimit europian mbështetet në standarde të qarta për mbrojtjen nga diskriminimi, garantimin e të drejtave të njeriut dhe aksesin e barabartë në shërbimet shëndetësore për të gjithë qytetarët, përfshirë personat LGBTI.
Zv.ministrja Eugena Tomini sqaroi se udhëzuesi klinik i referohet vetëm personave të rritur dhe nuk parashikon rimbursim apo financim të barnave hormonale, duke theksuar se dokumenti ka karakter orientues për profesionistët e shëndetësisë.
Nga ana tjetër, shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë në QSUT, Agron Ylli, bëri të ditur se gjatë periudhës maj–qershor 2026 nuk është paraqitur asnjë kërkesë për rekomandim apo trajtim hormonal.
Përfaqësues të Këshillit të Europës në Shqipëri kanë mbështetur procesin që prej vitit 2023, duke theksuar rëndësinë e aksesit të barabartë në kujdesin shëndetësor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.
Drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri, Giulia Re, u shpreh se shërbimet shëndetësore pa diskriminim përfaqësojnë një të drejtë themelore dhe jo një privilegj, duke nënvizuar angazhimet e Shqipërisë në përputhje me standardet europiane.