Mijëra protestues përfundojnë marshimin kilometrik te sheshi ‘Skënderbej’
Mijëra qytetarë protestues vijuan për mbi 2 orë marshimin kilometrik në rrugët e Tiranës. Pas ecjes në këmbë ata iu drejtuan sheshit “Skënderbej” në kryeqytet, duke mbyllur protestën-marshim, e 20-ta radhazi që prej nisjes së revoltës kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij.
Protestuesit prej tre javësh tanimë mblidhen çdo natë para Kryeministrisë, mbajnë fjalime, lëshojnë thirrje për dorëheqjen e Ramës dhe më pas nisin marshimin kilometrik në kryeqytet. Qytetarët kërkojnë largimin e Ramës, teksa revolta që nisi si pakënaqësi për atë që po ndodhte në Zvërnec, tanimë ka marrë përmasa mbarëkombëtare të shprehjes së pakënaqësie ndaj qeverisë.
Organizatorët e protestës njoftuan tubimin e 21-të të shtunën në orën 19:00, sërish duke u mbledhur tek sheshi “Skënderbej”, ndërsa më pas do të vijohet me marshimin drejt Kryeministrisë.
Kësaj proteste pritet t’i bashkohen mijëra shqiptarë nga diaspora, teksa në rrjetet sociale janë publikuar kolona të gjata automjetesh nga vende të ndryshme të Europës, me destinacion Shqipërinë.
“Rama ik!”/ 20 ditë revolucion! “Ndizen” rrugët nga blicet e protestuesve, qytetarët i përshëndesin nga ballkonet
Blicet e telefonave kanë “ndezur” rrugët e Tiranës mbrëmjen e sotme në protestën e 20-të, ndërsa qytetarët kanë përshëndetur nga dritaret dhe ballkonet e banesave protestuesit që marshonin nëpër kryeqytet.
Në disa prej segmenteve të qytetit, banorët janë parë duke duartrokitur dhe duke ndjekur nga afër lëvizjen e protestuesve, duke krijuar momente mbështetjeje simbolike përgjatë marshimit.
Mijëra qytetarë, pas grumbullimit fillestar për rreth tre orë para Kryeministrisë, kanë vijuar më pas me marshimin në rrugët kryesore të qytetit, në kuadër të protestave që po vijojnë prej 20 ditësh.
Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje të forta, mes tyre “Rama jepe dorëheqjen” dhe slogani “Atdheu nuk është në shitje”, ndërsa pjesëmarrësit kanë theksuar vendosmërinë për të vijuar mobilizimin.
Edhe pse po mbushen tre javë nga nisja e protestave pjesëmarrja mbetet e lartë dhe qytetarët vazhdojnë të dalin rregullisht në shesh për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.
Protesta po ruan intensitetin dhe po shndërrohet në një lëvizje të qëndrueshme qytetare me kërkesa politike të qarta.
Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë mobilizimin deri në realizimin e kërkesës së tyre kryesore: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.
Ironia therëse nga protesta, Rama n’burg, Belinda n’burg, fotoja e tyre në një betoniere
Protestat për këto 20 vite kanë prodhuar parulla dhe thirrje goditëse kundër klasës politike në vend, ndërsa në qendër të sulmeve është dyshja Rama-Balluku.
Siç shihet nga pamjet, fotot e të dyve shfaqen në një betoniere, ndërsa aty shkruhet ‘Rama n’burg, Balluku n’burg’.
Kujtojmë se prej disa ditësh vendi është përfshirë nga protesta masive, ndërsa qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës.
“Bashkohuni me ne!”, protestuesit thirrje qytetarëve: Çohuni nga kafja!
Edhe mbrëmjen e sotme, protestuesit kanë ftuar qytetarët në Tiranë, të cilët kanë preferuar që të qëndrojnë nëpër kafene, që t’i bashkohen protestës masive.
Në zonën e Rrugës së Elbasanit, ata iu kanë bërë thirrje qytetarëve që të përfshihen në atë që ata e quajnë revolucion.
Kujtojmë se prej disa ditësh vendi është përfshirë nga protesta masive, ndërsa qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës.
Protesta e 20-të në Tiranë, qytetarët mblidhen në Sheshin “Skënderbej” dhe marshojnë drejt Kryeministrisë
Në kryeqytet është zhvilluar protesta e 20-të kundër kryeministrit Edi Rama, me qytetarë që kanë nisur grumbullimin që në orët e para të ditës në Tirana.
Tubimi kryesor u mbajt në Sheshi Skënderbej, ku protestuesit u mblodhën përpara nisjes së marshimit drejt Kryeministrisë. Pas përfundimit të fjalimeve, qytetarët kanë vijuar marshimin në disa prej rrugëve kryesore të qytetit.
Organizatorët kanë deklaruar se protesta ka pasur një pjesëmarrje të lartë, duke e cilësuar atë si një nga më të mëdhatë deri më tani. Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë Vlora, Durrës, Shkodër, Korçë dhe Fier, ku protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshime politike.
Tubime janë raportuar gjithashtu edhe nga shqiptarët jashtë vendit, ndërsa kërkesat kryesore të protestuesve mbeten dorëheqja e qeverisë dhe largimi i klasës aktuale politike.
“Rama në burg, Balluku në burg!” – Shqiptarja nga Italia në protestë: Belinda ka vjedhur të gjitha pronat në Fier me Ben Qimen dhe Baftjar Zeqon
Një shqiptare e ardhur nga Italia ka marrë fjalën në protestën e 20-të qytetare në Tiranë për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, ku ka deklaruar se i anë vjedhur pronat e saj në Fier.
Ajo nuk ka kursyer as akuzat ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, të marrë nën hetim nga SPAK për disa vepra penale.
Sipas zonjës, Balluku ka vjedhur pronat në Fier së bashku me Ben Qimen dhe Baftjar Zeqon.
Shqiptarja nga Italia: Falenderoj të gjithë këtë popull të mrekullueshëm. Kam bërë 35 vite gjyqe në Lushnj për pronat e mia. Nuk i mora dot, sepse Argita Berisha dhe familja Berisha, Sali Berisha, kanë marrë Divjakën dhe ne nuk kompensohemi. Rinia shqiptare si do të jetojë?
Vëllai im ka bërë 10 vite burg si armik i popullit. Ku vjen fundi? Ne të persekutuarit nuk morëm dhe nuk fituam asgjë. Rroftë gjithë ky popull, populli i Rrjollit, populli i Zvërnecit. Rama në burg, Berisha në burg, Balluku në burg.
E kanë deputete. Të gjithë oligarkët e Monika Kryemadhit i zotëron kjo. Të gjitha pronat i ka vjedhur kjo me Ben Qimen në Fier dhe Baftjar Zeqon në Fier.
“Do t’i rrëzonim ne me duar, por ata çuan eskavatorët”, protestuesi: E hoqën gardhin në Kakome nga frika!
Heqja e gardhit të vendosur në zonën e Kakomesë është kthyer në një nga temat kryesore të protestës së 20-të të qytetarëve kundër qeverisë, e cila po zhvillohet këtë mbrëmje në Tiranë. Nga podiumi i protestës, një prej pjesëmarrësve deklaroi se tërheqja e autoriteteve erdhi si rezultat i presionit të ushtruar nga qytetarët dhe paralajmërimeve për një mobilizim në terren gjatë ditëve në vijim.
Në fjalën e tij para protestuesve, ai kujtoi se vetëm pak ditë më parë ishte bërë thirrje për një grumbullim në Kakome, pasi sipas tij qytetarët kishin kërkuar ndihmë për situatën e krijuar nga vendosja e gardheve në zonë.
“Pardje kemi bërë një thirrje për të shkuar të dielën në Kakome sepse ata kanë vënë gardhe dhe qytetarët na kanë kërkuar ndihmë. Pushtetarët na dëgjuan dhe shkuan e hoqën gardhin që do ta rrëzonim ne me duar e rrëzuan sot me eskavator. E kanë nga frika”, u shpreh protestuesi.
Deklarata e tij u prit me duartrokitje dhe thirrje nga të pranishmit, të cilët e konsideruan heqjen e gardhit si një reagim të institucioneve ndaj presionit publik.
Sipas protestuesit, veprimi i autoriteteve tregon se zëri i qytetarëve mund të ndikojë në vendimmarrje, ndërsa ai argumentoi se mobilizimi i vazhdueshëm është mënyra e vetme për të arritur rezultatet që kërkohen nga pjesëmarrësit në protestë.
“Ata çuan eskavatorët, por ne do t’i fitojmë një nga një të gjitha betejat derisa të shporrim qeverinë dhe kryeministrin. Dorëheqje!”, deklaroi ai mes ovacioneve të turmës.
Karvani i shqiptarëve të diasporës i bashkohet protestës së 20-të për dorëheqjen e Ramës, dhjetëra makina me flamuj kuqezi drejt Tiranës
Protestës së 20-të për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, i bashkohet sot edhe qindra shqiptarë të diasporës.
Një video e publikuar nga shqiptarët e diasporës tregon një karvan automjetesh me flamuj kuqezi, që po udhëton drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar protestës së sotme.
Sipas organizatorëve, shqiptarë të nisur nga Anglia janë bashkuar gjatë rrugëtimit me bashkatdhetarë nga Franca, Gjermania, Austria dhe vende të tjera europiane, duke krijuar një kolonë të gjatë automjetesh në drejtim të atdheut.
“Vëllezërit shqiptarë nga Anglia, së bashku me vëllezërit shqiptarë nga Gjermania, janë bashkuar bashkë. Më vonë do të bashkohemi me vëllezërit tanë nga Italia dhe të gjithë do të nisemi për në Tiranë”, thotë një shqiptar në pamjet.
Siç shihet edhe nga pamjet shqiptarët mbajnë të vendosur flamuj kombëtarë shqiptarë teksa udhëtojnë drejt Tiranës.
Sipas tyre, qëllimi i kësaj nisme është të tregojë se zëri i shqiptarëve dëgjohet jo vetëm brenda kufijve të vendit, por edhe në komunitetet shqiptare në Europë.
Banori i Astirit shpërthen në protestë: Belinda Balluku s’ka diplomën e shkollës së mesme, i dhanë 5 miliardë euro, t’i menaxhojë një e pa shkollë! S’u ngopën duke vjedhur këta qelbësira!
Vijoi për ditën e 20-të radhazi protesta masive e qytetarëve kundër qeverisë Rama.
Në podiumin e improvizuar foli edhe një banor i Astirit shtëpia e të cilit u prek nga projekti i Unazës së Madhe.
Ai u shpreh se kemi një qeveri të korruptuar që nuk ngopen duke vjedhur dhe sakaq shtoi se kishim një zv.kryeministre si Belinda Balluku pa shkollën e mesme por që menaxhoi 5 mld euro., duke vjedhur paratë e shqiptarëve.
Protestuesi:Është një mrekulli e rrallë që ndodh një protestë e tillë. 35 vjet kjo protestë nuk ka ndodh. Politika ka pas fuqi të rregullojë shumë gjëra. Jam banor i Astirit në orën 4 e gjysëm nga nxorën me gaz nga shtëpitë tona. Donin ti merrnin të gjithaq vetë. Unaza e re dhe e Madhja është ndarë m lot, aty është kriminal Salillari ushtar i Bashkim Ulaj dhe shumë të tjerë. Ju falenderoj nga zemra. E kam mbështetur që në fillim. Kjo protestë nuk është për të marrë pushtetin. Arsimi shëndetësia, shikoni Belinda nuk ka shkollën e mesme dhe zv.kryeministre, por i dhanë 5 mld euro të menaxhojë. Ju jeni lodhur duke studiuar, ju duhet të vini këtu jo këto korba. Ta mbështesim këtë protestë.
“Rinia na dha shpresë”- Protestuesi: Nuk kemi spitale dhe shkolla, ndërtimet jashtë standardit
Edhe sot vijoi protesta kundër qeverisë Rama në ditën e 20-të të revoltës qytetare.
Para nisjes së marshimit nga sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë, një qytetar që kishte ardhur nga Lezha foli për mikrofonin e News24.
Ai u shpreh se rinia i dha shpresë vendit. Sakaq, i bëri thirrje Ramës e Berishës të largohen nga politika.
Protestuesi: Kam ardhur me forcën e shpirtit të mbështes këtë forcën e rinisë, këtë lule që na ngjalli shpresën. Këta të rinjtë e mrekullueshëm. Kryeministri të largohet amël butë, mendoj se kjo rini edhe do ti falë edhe ndonjë pjesë të fajit. Përndryshe këto do na bëjnë mendojnë se janë ushunjëza. Që të mos digjemi i bëj thirrje të largohen butë. Mbi të gjitha për Sali Berishën që vjen nga Shqipëria e epërme, mos i korist ë parët e vet.
Unë mendoj të largohen amël butë. Unë falë Zotit nalt dhe vetes poshtë pa ndihmën e qeverisë jetoj mirë. Jetoj mbi mesataren qytetit të Lezhës. Por ne nuk kemi spitale, nuk kemi shkollë. Të gjitha ndërtimet janë të gjitha jashtë standardeve. I kujtoj kryeministrit dhe SPAK të lexojnë kodet e Hamurabit, janë aktuale të DASH. Aty flitet që një ndërtues dënohej me vdekje kur ndërtimi prishej. 3700 vjet më parë.