20-të ditë revoltë! Me simbole kombëtare dhe thirrje ‘Rama jepe dorëheqjen’, mijëra protestues përfundojnë marshimin kilometrik te sheshi ‘Skënderbej’

Shqipëria

20-të ditë revoltë! Me simbole kombëtare dhe thirrje ‘Rama jepe dorëheqjen’, mijëra protestues përfundojnë marshimin kilometrik te sheshi ‘Skënderbej’

Më: 19 qershor 2026 Në ora: 07:59 Përditësuar në ora: 19:32 më 19.06.2026
Nis grumbullimi e qytetarëve në sheshin “Skënderbej”

“Negociata me hajdutë nuk ka!”- Aktivisti Arben Kola: Rama, Balluku dhe Saliu e dinë që ky popull është i gatshëm t’i tërheqë zvarrë dhe t’i çojë në fund të detit

Siç tha ai, politikanët shqiptarë e dinë shumë mirë se ky popull, me këtë urrejtje që ka, është i gatshëm t’i tërheqë zvarrë dhe t’i çojë në fund të detit.

Më tej, aktivisti theksoi se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, pasi atë e vendos sovrani dhe jo njerëzit nëpër studio.

Arben Kola: Edi Rama, Balluku, Erioni, Iliri, Saliu, Lulashi, Fatmir Gërdeci, Gramoz gjakpirësi e shumë e shumë të tjerë, meqë më akuzojnë sa njëri sa tjetri, e dinë shumë mirë që ky popull, me këtë urrejtje që ka, është i gatshëm t’i tërheqë zvarrë dhe t’i çojë në fund të detit.

Por ne nuk kërkojmë që t’i tërheqin zvarrë nëse ata dorëhiqen paqësisht; ne duam që drejtësia të vendoset në vend dhe drejtësia të merret me ta. Që ta kuptojnë një herë e mirë, të mos kërkojnë negociata.

Negociata me hajdutë dhe tradhtarë nuk ka. Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, atë e vendos sovrani dhe jo njerëzit nëpër studio. Sovrani sot jeni ju dhe janë ata mijëra shqiptarë që janë nisur nga mërgata për t’u bashkuar, dhe me mijëra të tjerë që kanë prerë biletat.

Deri më datë 25 do të bëhen rreth 50 mijë të ardhur nga jashtë atdheut. I ftojmë bizneset e Tiranës të na bashkohen.

 

Nis grumbullimi e qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, pankartat dhe flamujt në gatimshëri

Këtë të premte mbahet protesta e 20 kundër kryeministrit Edi Rama, teksa ka nisur dhe grumbullimi tek sheshi Skënderbej.

Protesta ka regjistruar një pjesëmarrje rekord, një marshim historik që i ka kaluar të gjitha pritshmëritë.

Protesta janë mbajtur edhe qytete të ndryshme të Shqipërisë, Vlora, Pogradeci, Durrësi, Shkodra, Korcë, Fier etj ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Rama.

Gjithashtu tubime madhështorë janë mbajtur edhe jashtë vendit. Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe largimin e kastës politike të korruptuar.

Sindikata e pedagogëve mbështet protestat: Duhet transparencë në vendimmarrje

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka shprehur mbështetjen për protestat që po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit që prej 31 majit 2026.

Në një deklaratë publike, sindikata i ka vlerësuar protestat si një shprehje të qytetarisë aktive dhe angazhimit demokratik, duke theksuar se një pjesë e anëtarëve të saj janë bërë pjesë e këtyre tubimeve.

SPUSH ka përshëndetur karakterin paqësor dhe jopartiak të protestave, të cilat sipas saj lidhen me mbrojtjen e zonave të mbrojtura natyrore, pasurive publike dhe kërkesën për konsultim më të gjerë të qytetarëve në vendimmarrje.

Sindikata ka vënë theksin edhe te roli i të rinjve në këto nisma, duke nënvizuar se shumë prej protestuesve janë studentë dhe ish-studentë të universiteteve shqiptare.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se kërkesat e protestuesve përputhen me parimet e transparencës, përgjegjësisë publike dhe standardet e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë.

SPUSH shprehet se komuniteti akademik duhet të ketë një rol më aktiv në debatet publike për çështje që lidhen me mjedisin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe menaxhimin e pasurive publike, duke kërkuar përfshirje më të madhe të ekspertizës në vendimmarrje.

Në fund, sindikata i bën thirrje qeverisë dhe forcave politike që të dëgjojnë kërkesat e protestuesve dhe të angazhohen për zgjidhje në interes të qytetarëve dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Bllokuan rrugët e Tiranës jashtë orarit dhe perimetrit të lajmëruar, nisin hetimet për 27 protestues

27 protestues janë vënë në hetim nga policia e Tiranës për shkak të tubimit të zhvilluar dje në Tiranë. Sipas njoftimit zyrtar, qytetarët kanë prishur rendin si dhe kanë bllokuar akset rrugore në tejkalim të orarit dhe perimetrit të njoftuar për zhvillimin e protestës.

“Tiranë

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar më datë 18.06.2026, në Tiranë, janë identifikuar dhe proceduar penalisht 27 shtetas, të dyshuar të përfshirë gjatë tubimit, në veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Konkretisht, janë proceduar shtetasit:

S., 44 vjeç; E. M., 23 vjeç; A. H., 51 vjeç; K. Gj., 18 vjeç; R. M., 21 vjeç; M. D., 22 vjeç; A. Gj., 19 vjeç; E. Y., 21 vjeç; J. B., 26 vjeç; A. G., 26 vjeç; A. M., 38 vjeç; Th. D., 19 vjeç; K. D., 21 vjeç; E. M., 30 vjeç; A. M., 19 vjeç; I. H., 50 vjeç; B. H., 34 vjeç; Sh. B., 33 vjeç; V. D., 30 vjeç; R. S., 21 vjeç; E. Q., 21 vjeç; Xh. P., 27 vjeç; B. K., 35 vjeç; I. Rr., 29 vjeç; D. K., 31 vjeçe; E. K., 31 vjeçe dhe E. K., 32 vjeç.

Këta shtetas kanë shkaktuar pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit, si dhe shqetësim për rendin dhe qetësinë publike, duke orientuar qytetarët pjesëmarrës në tubim, për të lëvizur në akse të shumta të kryeqytetit, në tejkalim të orarit dhe perimetrit të lëvizjes të njoftuar zyrtarisht.

Gjithashtu, është sekuestruar dhe 1 automjet.

Vijon puna për identifikimin dhe procedimin e shtetasve të tjerë, përgjegjës për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Tiranës, për veprime të metejshme.

Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit dhe pjesëmarrësit në të, që të respektojnë orarin dhe itinerarin e njoftuar për zhvillimin e tubimit, për të mos bllokuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve, jashtë perimetrit të tubimit”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Rama jep dorëheqjen, s’ka bisedime”- Sot protesta e 20-të e qytetarëve për largimin e qeverisë!

Qytetarët shqiptarë do të zbresin sërish sot në shesh e rrugë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në ditën e 20 të protestës, qytetarët kanë vetëm një synim largimin e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij.

Protesta nis në orën 19:00, për shkak të temperaturave të larta, por pavarësisht këtij fakti pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë e jashtëzakonshme.

Për 19 ditë me radhë, qytetarët kanë protestuar në Tiranë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre dhe duke kërkuar ndryshime politike.

Ashtu si në tubimet e mëparshme, edhe këtë mbrëmje pritet që pas qëndrimit për disa orë para Kryeministrisë, protestuesit të zhvillojnë një marshim nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, duke përcjellë mesazhet dhe kërkesat e tyre.

Protestuesit theksojnë se do të vijojnë mobilizimin deri në realizimin e kërkesës së tyre kryesore: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat