Protesta e 61-të përfundon para Kryeministrisë, diaspora paralajmëron protestë masive kombëtare më 1 gusht

Shqipëria

Protesta e 61-të përfundon para Kryeministrisë, diaspora paralajmëron protestë masive kombëtare më 1 gusht

Më: 30 korrik 2026 Në ora: 07:54 Përditësuar në ora: 23:28 më 30.07.2026
Qytetarët lënë mesazh në bulevard gjatë marshimit: Balluku në burg!

“Nesër më shumë!”- Dy muaj protesta kundër qeverisë, marshimi përfundon poshtë zyrës së kryeministrit

Pas më shumë se dy muajsh protesta të përditshme, qytetarët kanë përmbyllur mbrëmjen e sotme marshimin në Tiranë, duke u ndalur sërish para godinës së Kryeministrisë me thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike.

Protestuesit marshuan në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, ndërsa gjatë rrugës hodhën slogane kundër kryeministrit Edi Rama dhe kërkuan largimin e tij nga detyra.

Në përfundim të tubimit, para zyrës së kreut të qeverisë, u dëgjuan thirrjet: “Dorëheqje!”, “Rama n’burg, Berisha n’burg!”, ndërsa si çdo natë organizatorët u bënë thirrje qytetarëve që të rikthehen sërish në protestë ditën e nesërme.

“Nesër më shumë!”, ishte mesazhi i dhënë në fund të protestës.

Tubimet, të nisura prej 61 ditësh, vijojnë të shoqërohen me marshime nëpër Tiranë, pankarta dhe fjalime nga aktivistë e qytetarë, të cilët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Dita e 61-të e protestës për rrëzimin e Ramës, qytetarët lënë mesazh në bulevard gjatë marshimit: Balluku në burg!

Protesta e ditës së 61-të në bulevard dhe e muajit të tretë të rezistencës në Tiranë për rrëzimin e qeverisë, kryeministrit Edi Rama dhe klasës së vjetër politike, shënoi edhe momente pikante të saj.

Mesazhet e qytetarëve në thirrje, parulla e pankarta ishin nga më të ndryshmet dhe më tërheqëset.

Goditës ishte edhe mesazhi i gdhendur në pllakat e bulevardit si çdo natë gjatë momentit të nisjes së marshimit.

Qytetarët shkruajtën në rrugën e madhe mesazhin:

“Balluku në burg!”.

Gjatë këtij marshimi tradicional ku morën pjesë mijëra qytetarë, nuk munguan edhe thirrjet si “Çohuni nga kafja”, “Revolucion”, “Ndryshim sistemi”, “Arrestoni Ramën”, “Berisha në burg, Rama në burg”, apo “Ju erdhi fundi”.

“Ndryshim sistemi”- Dita e 61-të e protestës, qytetarët marshojnë rrugëve të Tiranës: Arrestoni Ramën! Ju erdhi fundi

Nën thirrjet “arrestoni Ramën”, nisi marshimi i protestës së 61-të mbrëmjen e sotme, vetëm pak pas përfundimit të fjalimeve në podiumin para godinës së Kryeministrisë.

Ndryshim sistemi, arrestim të liderëve politikë, revolucion dhe fund i politikës së vjetër ishin thirrjet dhe parullat e tjera.

Qytetarë të mbledhur në protestë kanë dalë sërish në rrugë duke përsëritur mesazhet e tyre kundër përqendrimit të pushtetit, korrupsionit dhe problematikave sociale që, sipas tyre, kanë prekur vendin.

Ata ndoqën itinerarin nga bulevardi drejt rrugës “Myslym Shyri”, për të vijuar me kushtrimin e revolucionit dhe një nga thirrjet: “Rama ciao!”, duke kënduar hitin italian “Bella ciao”.

Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje si “Dorëheqje!” dhe mesazhe kundër qeverisjes aktuale. Protestuesit deklarojnë se do të vijojnë rezistencën e tyre deri në plotësimin e kërkesave të parashtruara.

Aktivistë dhe qytetarë kanë theksuar se arsyet e protestës lidhen me çështje të ndryshme, nga funksionimi i institucioneve dhe pushteti vendor, te gjendja e shërbimeve publike, largimi i mjekëve dhe infermierëve, mungesa e mjeteve për zjarrfikësit dhe problematika të tjera sociale.

Protesta, e quajtur nga organizatorët “Revolucioni i Flamingove”, vijon prej 61 ditësh.

“Poliçani është ngritur në protestë”- Qytetari mesazh Ramës nga sheshi: Nuk je më kryeministër, ku i ke 800 mijë votat!

Nga sheshi i protestës mbrëmjen e sotme foli në podium edhe një qytetar nga Poliçani, zonë e njohur tradicionalisht si bastion i së majtës dhe PS-së.

Ai kritikoi hapur qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama gjatë protestës para Kryeministrisë, duke thënë se ai nuk ishte më kreu i ekzekutivit dhe as nuk kishte 800 mijë vota siç pretendonte. Ai vuri në dukje se qarku i beratit nuk ka as ujë dhe as rrugë, duke rrëfyer eksperienca personale.

Ai tha se edhe në Poliçan ka pakënaqësi të mëdha për gjendjen e infrastrukturës, furnizimin me ujë dhe shërbimet ndaj qytetarëve. Sipas tij, banorët e zonës përballen me probleme të shumta, ndërsa përmendi mungesën e investimeve në rrugën Berat-Skrapar dhe problemet me ujin e pijshëm.

Qytetari tregoi edhe një rast personal, duke akuzuar administratën për vonesa në dhënien e pensionit të nënës së tij 82-vjeçare.

Në fjalën e tij, ai vuri në pikëpyetje mbështetjen elektorale që ka marrë qeveria dhe kërkoi që institucionet të fokusohen te lufta kundër krimit dhe jo ndaj qytetarëve.

“Do i them këtij të gjati këtu, se kryeministër nuk është më, por Poliçani është ngritur në protestë. A ke vajtur ndonjëherë në Poliçan, në Çorovodë. Të shihni rrugët. Edhe ujin ua ka prerë banorëve, të Poliçanit, të Beratit. Uji i pijshëm i malit të Tomorrit vjen i pistët. S’ka rrugë Berat-Skrapar. Ku do shkojë plaka ime 82 vjeçe që të ankohet në bashkinë e Beratit. Kjo administrata e këtij, ma bëri plakën 2 muaj të vdekur, nuk i dha pensionin. Shkova dhe çova dokumentet. Kjo është e turpshme”, u shpreh ai.

Në fund qytetari i kujtoi kryeministrit se aq shqiptarët nuk e duan më dhe as të tijët në PS, sepse i ka lënë pas dore.

“Ku i ka ky 800 mijë votat? Ai bashkë me Ballën. Arresto kriminelët, jo popullin. I them të shohë atë Skraparin”, tha ai.

“Kjo protestë do e çojë qëllimin deri në fund”- Pensionisti nga sheshi: Do e bëjmë si me armët kimike! Rama ta dijë, nuk ka më kthim mbrapa! Te Parlamenti na dhunuan

Protesta e qytetarëve shqiptarë nuk do bëjë asnjë hap pas dhe do e arrijë qëllimin e saj deri në fund.

Kështu u shpreh nga sheshi i revoltës qytetare në ditën e 61-të të saj një prej pensionistëve që foli nga podiumi para kryeministrisë.

“Kjo protestë do e çojë qëllimin e saj deri në fund. Do e bëjmë si me armët kimike dikur, e kemi gdhirë këtu. Ta bëjmë përsëri ashtu, një pjesë i duam këtu te sheshi”, tha ai.

Më tej i moshuari kujtoi edhe dhunën policore te Parlamenti, teksa i dha mesazh Ramës se jo 61 ditë, por me qindra ditë do qëndronin në shesh dhe se nuk do kishte kthim më pas.

“Ai atje nuk është parlament. Policia na masakroi me lëndë kimike dhe me çfarë nuk na bënë. Policia e Edi Rama, por ai ta dijë mirë se kjo protestë nuk ka më kthim mbrapa. Jo për 61 ditë, por për qindra ditë, këtu do jemi, nuk ikim. Të jemi të pamposhtur, ashtu sikurse jemi sot. Rama në burg, Berisha në burg”, përfundoi ai.

Aktivisti: Diaspora njofton protestë masive kombëtare të shtunën e 1 gushtit!

Diaspora shqiptare lajmëron se të shtunën e 1 gushtit do mbajë një protestë kombëtare masive në bulevardin para kryeministrisë, për të kërkuar largimin e qeverisë dhe ndryshimin e sistemit politik.

Lajmin e dha një prej aktivistëve të protestës popullore, duke lexuar njoftimin e Diasporës.

“Diaspora ka njoftuar në datë 1 gusht, të shtunën, do mbahet në Tiranë protestë kombëtare në bulevard”, tha ai.

Më tej shpjegoi dhe apeloi që të gjithë shqiptarët dhe emigrantët t’i bashkoheshin sheshit atë ditë.

“I bëjë thirrje të gjithë shqiptarëve që përderisa ata nga diaspora po marrin rrugë të gjata, po marrin aviona për të ardhur këtu që të kërkojnë dorëheqjen e Ramës, nuk është arsye që ne të mungojmë”, tha aktivisti.

Ai më tej vuri në dukje se edhe socialistët po e braktisnin Edi Ramën dhe PS-në, sikurse lëvizja qytetare në Poliçan, me protestën kundër reformës territoriale.

“Protesta nuk është diçka e vogël”- I riu nga sheshi: Po e bëjmë për një Shqipëri më të mirë, nuk zgjodhëm heshtjen!

Nga sheshi i protestës së 61-të para Kryeministrisë, foli edhe një i ri që theksoi se protesta nuk bëhet për interesat personale të gjithsecilit, por për një Shqipëri të re që duhet të ndryshojë.

Ai tha se protesta nuk ishte diçka e vogël, por i shërbente të gjithë qytetarëve që nuk zgjodhën të heshtnin, por të dilnin në revoltë.

“Kjo nuk është diçka e vogël. Gjithçka duhet të ndryshojë, Shqipëria duhet të ndryshojë, zëri jonë ka rëndësi. Juve po ndryshoni Shqipërinë. Kur një person flet, një tjetër nuk ndihet vetëm, kur një peron ngrihet, një tjetër po ashtu ngrihet”, tha ai mes të tjerash.

I riu falënderoi të gjithë qytetarët që dilnin në shesh prej dy muajsh dhe nënvizoi se protesta do vijonte për të çliruar vendin.

“Faleminderit që vini këtu, që nuk zgjodhët heshtjen dhe që luftoni për një Shqipëri të lirë. Jo vetëm për vetën, por për të gjithë Shqipërinë. Faleminderit për frymëzimin”, përfundoi ai fjalimin e tij nga podiumi në bulevard.

“Jep dorëheqjen”- Qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë në ditën e 61-të të protestës, mesazh Ramës: Atdheu është i yni, jo biznes privat!

Protesta popullore hyri sot në muajin e saj të tretë të rezistencës, ku një masë e madhe qytetarësh iu bashkuan përsëri sheshit.

Në ditën e 61-të të saj, qytetarët kërkuan përsëri dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik.

“Rama jepe dorëheqjen” ishte thirrja kryesore e protestës teksa qytetarët i drejtoheshin bulevardit nga sheshi “Skënderbej”.

Të tjera parulla, pankarta, banderola dhe thirrje ishin “Shqipëria kërkon revolucion”, “Ju erdhi fundi”, “Rama, dil në bulevard, Atdheu është i yni, jo biznes privat”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama i pabesë”, “Ju me gaz, ne me vezë, Edi rama i pabesë”, “Shqipëria nuk shitet”, “Polici, këtu na ke”, e të tjera.

Ndër parullat më të spikatura ishte edhe:

“Zegjine ti s’di të numërosh, shko në shkollë që të mësosh”.

61 ditë kundër qeverisë, protestuesit i përgjigjen kryeministrit: Nuk jemi korba të manipuluar, por qytetarë të vendosur!

Protestuesit që prej 61 ditësh dalin çdo mbrëmje në shesh kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama kanë përcjellë edhe këtë të enjte mesazhe të reja përmes pankartave të vendosura në bulevard.

Një prej pankartave kryesore ishte ajo me mbishkrimin: “Në demokraci, qytetari nuk është armik”, ndërsa një tjetër i përgjigjej drejtpërdrejt deklaratave të kryeministrit për protestuesit.

“As korba të manipuluar, as flamingo të mashtruar, qytetarë të vendosur!”, shkruhej në një prej pankartave, në referencë të etiketimeve që Rama ka përdorur për protestuesit.

Po ashtu, qytetarët përsëritën edhe mesazhin: “Përfundimisht, nuk ka besë me të pabesin”, duke vijuar ironinë ndaj dokumentit politik “BESA”, të prezantuar së fundmi nga kryeministri.

Ndërkohë, një tjetër pankartë mbante shkrimin në anglisht: “61 ditë. Ata presin. Ne rikthehemi.”, duke nënvizuar vendosmërinë e protestuesve për të vijuar tubimet e përditshme deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“T’i japim shpresë rinisë”- Emigranti shqiptar nga SHBA në protestën e 61-të: Të bëhet Shqipëria dhe protesta të vazhdojë!

Nga sheshi “Skënderbej” ku u mblodhën tradicionalisht edhe sot, ata shprehën bindjen për rrëzimin e qeverisë dhe ndryshimin e sistemit politik.

Një i ri emigrant i ardhur nga SHBA-të, tha se rinisë duhet t’i jepej shpresë që të mos largohej nga vendi dhe që Shqipëria të bëhej.

“Unë jetoj në Amerikë dhe ajo që më bëjnë përshtypje është se rinia e gjithë mundohet dhe punon, nuk është dembele ashtu siç thonë, t’i japim shpresë, Shqipëria mund të bëhet dhe shpresojmë që rinia të mos ikë. Kam 30 vjet që kam ikur nga Shqipëria, ndoqa familjen, nuk do të thotë të ikin të gjithë”, tha ai.

Më tej i riu u shpreh se në Shqipëri ka shumë probleme, sikurse ato në spitale dhe për ilaçet.

“Ka shumë shqiptarë që duan të kthehen në Shqipëri. Kam ardhur që përveç shkaqeve familjare edhe për protestën. Shpresoj të mblidhemi sa më shumë këtu dhe të vazhdojë. Kanë probleme me ilaçet, shpesh marrin ilaçe të skaduara ose nuk ka specialistët dhe u duhet të dalin jashtë vendit, kështu thonë”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat