Partia e Lirisë propozon 4 nisma: Nga shpallja e fatkeqësisë natyrore te pagesat shtesë të menjëhershme për zjarrfikësit

Shqipëria

Partia e Lirisë propozon 4 nisma: Nga shpallja e fatkeqësisë natyrore te pagesat shtesë të menjëhershme për zjarrfikësit

Më: 14 gusht 2026 Në ora: 15:46
Blushi

Partia e Lirisë ka reaguar për situatën e zjarreve në vend, duke e cilësuar gjendjen si “katastrofike”, ndërsa ka propozuar katër masa për përballimin e situatës dhe mbështetjen e zjarrfikësve dhe qytetarëve të prekur.

Në një deklaratë, Blushi akuzon qeverinë për menaxhim të dobët të situatës dhe kritikon mungesën e mjeteve dhe pajisjeve të nevojshme për zjarrfikësit. Ai shpreh gjithashtu mirënjohje për punën e tyre, por thekson se “nuk mund të kërkosh heroizëm nga zjarrfikësit për të fshehur paaftësinë e shtetit”.

Sipas Blushit, zjarrfikësit përballen me rrezikun çdo ditë, ndërsa ende nuk kanë marrë shpërblimet dhe pagesat për orët shtesë të punës gjatë këtyre ditëve.

Partia e Lirisë kërkon, së pari, shpalljen pa vonesë të Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore në të gjitha zonat e dëmtuara nga zjarret, me qëllim garantimin e dëmshpërblimit për qytetarët që kanë humbur pronat dhe pasuritë e tyre.

Së dyti, Blushi i kërkon Presidentit të Republikës të mbledhë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për hartimin e një strategjie të përbashkët dhe koordinimin e institucioneve, duke mobilizuar burimet kombëtare dhe duke siguruar mbështetjen e nevojshme ndërkombëtare.

Së treti, sipas Partisë së Lirisë, qeveria duhet t’i drejtohet menjëherë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, me argumentin se prioritet duhet të jetë shpëtimi i jetëve dhe mbrojtja e pasurive publike e private.

Së katërti, kërkohet pagesa e menjëhershme e të gjitha orëve shtesë për zjarrfikësit, dhënia e të paktën një page shpërblim dhe pajisja e tyre me mjetet dhe veshjet profesionale të nevojshme për ndërhyrjet në terren.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat