Janë publikuar pamjet e makinës, brenda të cilës u gjet i vrarë me armë zjarri 65-vjeçar Viktor Bardhi, i njohur edhe me mbiemrin Marku.
Siç shihet nga pamjet, makina është bërë “shoshë” nga plumbat, ndërsa autorët pas krimit janë larguar.
Disa minuta pas ngjarjes është gjetur edhe një makinë e djegur, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët. Ndërkohë drejtori i Policisë së Lezhës, Ermal Muçaj tha se kanë shoqëruar një person, por nuk mund të bëjnë publik identitetit.
“Rreth orës 8:55 sot jemi njoftuar në sallën operative për një ngjarje të rëndë të ndodhur në Ndërfushas, Mirditë. Kemi ngritur grupin hetimor, kemi ardhur në vendngjarje dhe, nga veprimet e para hetimore, ka rezultuar që një shtetas, që është vrarë në automjetin e tij, është shtetasi Viktor Marku, i datëlindjes 1961. Ndërkohë që jeni dhe vetë prezent, po bëhen të gjitha veprimet hetimore. Rreth 20 minuta pas ngjarjes, në fshatin Rrethi i Ri, që është afër Rubikut, diku këtu afër, është djegur një automjet. Është ngritur dhe grupi hetimor i dytë dhe po sqaron rrethanat e rastit. Po kryhen të gjitha veprimet hetimore, po fiksohen të gjitha provat, po pyeten dëshmitarët dhe do të jemi për një njoftim të dytë, sapo të kemi diçka të re në lidhje me këtë ngjarje. Kemi të shoqëruar dhe pistat tona i kemi, por nuk mund t’i ndajmë në këtë moment me mediat. Jo, nuk janë gjetur armë në makinë”, tha Muçaj.