“Rama jep dorëheqjen!”/ Nis marshimi i studentëve të Mjekësisë, autoboti me ujë pozicionohet pas Kryeministrisë

Shqipëria

“Rama jep dorëheqjen!”/ Nis marshimi i studentëve të Mjekësisë, autoboti me ujë pozicionohet pas Kryeministrisë

Më: 17 tetor 2026 Në ora: 11:12
Marshimi i studentëve të Mjekësisë

Protestat e të rinjve kundër qeverisë së Edi Ramës kanë hyrë sot në ditën e pestë, ndërsa studentët e Mjekësisë kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, me kërkesën kryesore dorëheqjen e kryeministrit.

Studentët, të cilët janë mbledhur fillimisht pranë fakultetit, po lëvizin në drejtim të Ministrisë së Arsimit. Sipas raportimeve nga terreni, marshimi ka kaluar në zonën e 9-katësheve, ndërsa protestuesit vijojnë rrugën drejt godinës së ministrisë, ku pritet të ndalen për të vazhduar protestën.

Thirrja “Rama, jep dorëheqjen!” po shoqëron marshimin e studentëve, të cilët i janë bashkuar protestave që prej katër ditësh po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Ndryshe nga një protestë që kufizohet te kërkesat për arsimin, studentët e Mjekësisë kanë drejtuar thirrjet e tyre kundër kryeministrit Edi Rama. Kjo është edhe kërkesa që ka bashkuar gjimnazistët dhe studentët gjatë ditëve të fundit, duke e kthyer protestën në një kundërshtim të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë.

Ndërkohë, situata përpara Kryeministrisë paraqitet më e qetë se një ditë më parë, kur protestat u shoqëruan me tensione dhe përplasje mes të rinjve dhe forcave të policisë.

Mëngjesin e sotëm është konstatuar një prani më e ulët e efektivëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aty ku protestuesit janë mbledhur gjatë katër mbrëmjeve të fundit për të kërkuar largimin e Edi Ramës.

Megjithatë, policia nuk i ka tërhequr të gjitha mjetet e sigurisë. Pas godinës së Kryeministrisë qëndron ende një autobot me ujë, të cilin autoritetet e kanë vendosur në këtë zonë që në ditën e parë të protestave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat