Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, ka reaguar ndaj protestave të dhunshme në Tiranë, të cilat kanë hyrë në ditën e tyre të gjashtë.
Ai në një reagim në rrjetin social X ka bërë thirrje për ndalim të menjëhershëm të dhunës, raporton KosovaPress.
“Në të gjithë Evropën, të rinjtë po dalin në rrugë, nga Parisi dhe Berlini deri në Tiranë. Ata po luftojnë për arsim më të mirë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Kjo është e drejtë dhe e nevojshme, dhe duhet t’i nxisë qeveritë të rishikojnë qasjen e tyre. Arsimi është investimi ynë më i rëndësishëm për të ardhmen dhe nuk duhet të varet kurrë nga mundësitë financiare të prindërve”.
Studentë dhe qytetarë protestojnë në Tiranë, në ditën e gjashtë të tubimit të tyre.
Aktualisht, protestuesit ndodhen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku situata është tensionuar.
Ata kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të forcave të policisë, ndërsa efektivët janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë për të zmbrapsur turmën.
Protesta nisi rreth orës 12:30 para Ministrisë së Arsimit, fillimisht në mënyrë të qetë, por më pas situata u përshkallëzua. Protestuesit morën gurë nga trotuaret dhe i hodhën në drejtim të forcave të policisë, ndërsa gjatë tubimit u hodhën edhe mjete piroteknike. Për të përballuar situatën, Policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë.
Gjatë incidenteve mbeti e lënduar edhe një gazetare, e cila u transportua drejt Spitalit të Traumës. Sipas informacionit të bërë publik, ajo ndodhet në gjendje të stabilizuar shëndetësore, jashtë rrezikut për jetën.
Prej gjashtë ditësh, studentë, nxënës dhe qytetarë kanë protestuar në Tiranë, shoqëruara me akte dhune dhe ndërhyrje të Policisë së Shtetit. Protesta e së premtes u shoqërua me orë të tëra tensionesh dhe përplasjesh mes protestuesve dhe policisë, ndërsa situata u përshkallëzuar nga Ministria e Arsimit deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe zona të tjera të kryeqytetit.
Protestuesit hodhën molotovë drejt ish-hotel “Dajtit”, ku ndodhen zyrat e Bankës së Shqipërisë, duke i vënë flakën hyrjes së institucionit. Zjarre u raportuan gjithashtu në ambientet e Gjykatës së Lartë, ndërsa u dogjën një biznes dhe automjete në zonën pranë saj.