Përshkallëzohet protesta para Kryeministrisë, sulmohet policia me molotovë

Shqipëria

Përshkallëzohet protesta para Kryeministrisë, sulmohet policia me molotovë

Më: 21 tetor 2026 Në ora: 11:58 Përditësuar në ora: 20:45 më 21.10.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

OSBE dënon sërish dhunën në protestë dhe sulmet ndaj gazetarëve, thirrje të fortë gjithë politikës

Përfaqësuesi i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Europën Juglindore, Claude Haagen, nga Luksemburgu, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së rendit, respektimit të lirive themelore dhe shmangies së përshkallëzimit të situatës.

Në deklaratën e tij, Haagen nënvizon se e drejta për tubime paqësore dhe liria e qytetarëve për të shprehur qëndrimet e tyre janë shtylla themelore të një shoqërie demokratike. Në të njëjtën kohë, ai thekson se mbrojtja e jetës njerëzore dhe e pronës publike e private përbën një përgjegjësi thelbësore të autoriteteve ligjzbatuese.

“Jam thellësisht i shqetësuar për zhvillimet e fundit që shoqërojnë protestat në Shqipëri”, shprehet Haagen, duke bërë thirrje për përgjegjshmëri dhe respektim të parimeve demokratike nga të gjitha palët.

Përfaqësuesi i OSBE-së thekson se dhuna nuk mund të zëvendësojë dialogun dhe nuk ka vend në një shoqëri demokratike.

Sipas tij, çdo akt dhune i kryer nga individë pjesëmarrës në protesta, si edhe çdo përdorim i tepruar i forcës nga autoritetet e rendit, duhet të hetohet dhe të trajtohet në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Haagen u bën thirrje institucioneve dhe aktorëve politikë që të veprojnë me përgjegjësi, të dënojnë pa ekuivok dhunën dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve.

Një tjetër çështje e vënë në fokus nga përfaqësuesi i OSBE-së është siguria e gazetarëve dhe garantimi i lirisë së medias gjatë raportimit nga protestat.

Haagen nënvizon se gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirisht dhe në mënyrë të sigurt për ngjarjet publike, pa u përballur me intimidim, ngacmime apo pengesa të pajustifikuara.

“Një media e lirë dhe e pavarur është thelbësore për transparencën, llogaridhënien dhe debatin publik të informuar, veçanërisht gjatë periudhave të tensioneve politike”, thekson ai.

Sipas tij, autoritetet duhet të garantojnë që gazetarët të kryejnë punën e tyre pa presione dhe ndërhyrje, duke respektuar njëkohësisht të drejtën e qytetarëve për tubime paqësore.

Në përfundim të deklaratës, Haagen u drejtohet qeverisë, opozitës, organizatave të shoqërisë civile, studentëve dhe qytetarëve, duke i ftuar të angazhohen në një dialog konstruktiv për gjetjen e zgjidhjeve në interes të të gjithë shqiptarëve.

Ai thekson se sundimi i ligjit, respektimi i lirive themelore dhe dialogu duhet të mbizotërojnë mbi përplasjet.

Protestuesit largohen nga Kryeministria/ Nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Protestuesit kanë nisur të zhvendosen nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, te sheshi para Kryeministrisë.

Sipas raportimeve, ende nuk ka një destinacion se ku do të jetë destinacioni i marshimit të radhës të protestuesve.

Para Kryeministrisë, protestuesit hodhën bomba molotov dhe kapsolle në drejtim të policisë, e cila në një moment u përgjigj me hedhje uji.

Por situate nuk ka pasur përshkallëzim.

Kujtojmë se kjo është protesta e nëntë studentore ku kërkohe dorëheqja e Ramës, ndërsa prej dy ditësh të rinjve i janë bashkuar dhe pedagogët.

Nisin tensionet para Kryeministrisë, policia sulmohet me molotovë

Pas disa orësh proteste pa incidente, situata është tensionuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Drejt forcave të policisë janë hedhur bomba molotov, ndërsa një automjet ujëhedhës është vënë në lëvizje dhe qëndron në gatishmëri. Efektivët kanë marrë pozicione për ndërhyrje, por deri tani nuk kanë vepruar.

Tensionet janë rikthyer përpara Kryeministrisë në ditën e nëntë të protestave kundër qeverisë së Edi Ramës.

Pas një dite relativisht të qetë, gjatë së cilës studentët dhe qytetarët qëndruan në bulevard pa përplasje me policinë, situata ka ndryshuar gjatë orëve të mbrëmjes.

Drejt forcave të rendit janë hedhur bomba molotov, duke krijuar një situatë të tensionuar përpara godinës së Kryeministrisë.

Përballë këtij zhvillimi, policia ka vënë në lëvizje një nga automjetet ujëhedhëse, i cili është pozicionuar në gatishmëri për një ndërhyrje të mundshme.

Ndërkohë, efektivët kanë marrë pozicione për ndërhyrje, por deri në këto momente nuk kanë ndërmarrë veprime për shpërndarjen e protestuesve. Ujëhedhësja gjithashtu nuk është përdorur ende.

Përshkallëzimi vjen pas një mbrëmjeje që nisi pa incidente, me një rritje të lehtë të pjesëmarrjes në protestë. Më herët, disa të rinj i vunë zjarrin në mënyrë simbolike një karrigeje, në shenjë refuzimi ndaj ftesës për dialog të kryeministrit Rama.

Situata e krijuar rikthen tensionet e ditëve të mëparshme, kur bulevardi përpara Kryeministrisë u përfshi nga përplasje mes protestuesve dhe policisë, me përdorimin e gazit lotsjellës dhe automjeteve ujëhedhëse.

Për momentin, forcat e rendit vijojnë të qëndrojnë në pozicione, ndërsa automjeti ujëhedhës mbetet në gatishmëri. Pavarësisht sulmit me molotovë, policia nuk ka nisur ende ndërhyrjen.

Protestuesit djegin “karrigen e dialogut”

Vijon protesta e studentëve dhe pedagogëve para Kryeministrisë.

Situata vijon te jëtë e qetë, ndërsa në mënyrë simbolike protestuesit i kanë vënë zjarrit asaj që e cilësojnë si “karrigia e dialogut”.

Deri më tani nuk ka pasur asnjë përplasje apo incident të shënuar. 

Protesta e sotme ka nisur që në orët e paradites, ku studentëve iu bashkuan edhe pedagogët ashtu siç ishte njoftuar një ditë më parë. 

“Në shesh për rininë!” – I moshuari i bashkohet protestës: Kam ardhur për studentët, Rama nuk është njeri për marrëveshje

Një i moshuar i është bashkuar protestës para Kryeministrisë, duke thënë se ka dalë në mbështetje të të rinjve dhe studentëve.

“Jam në protestë për rininë, për studentët”, u shpreh i moshuari.

Ai kundërshtoi gjithashtu mundësinë e një dialogu mes kryeministrit dhe studentëve, duke u shprehur se Rama nuk ka treguar gatishmëri për dialog me protestuesit gjatë muajve të fundit.

“Pension 200 mijë lekë e kam, 40 vjet kam punuar. Çfarë na del? Kam djemtë, se po të mos i kisha djemtë, do të isha i vdekur. Dhe ky do takim me studentët. Do të bëjë marrëveshje? Nuk është njeri për të bërë marrëveshje me studentët.

Baballarëve dhe nënave të këtyre studentëve u ka thënë dele për 140 ditë. Nuk erdhi të na takonte. Tani u thotë studentëve: “Hajde të bëjmë marrëveshje”. Kjo është agjenturë e Vuçiçit, nuk ka punë me ne.

Do të shpopullojë Shqipërinë. Ku i marrim ushqimet ne? Në Serbi. Ku është bujqësia jonë?”, tha ai.

“Nuk ka dialog mes qafës dhe shpatës”/ Rama u nxori karriget para Kryeministrisë, studentët të vendosur: Jep dorëheqjen

Kryeministri Edi Rama ka nxjerë edhe sot para Kryeministrisë karriget duke kërkuar dialog me protestuesit.

Studentët i janë përgjigjur në nisje të protestës me karrige të cilat i hodhën drejt Kryeministrisë, teksa tentuan të hyjnë në godinë.

Më tej, studentët kanë lënë edhe një mesazh për kryeministrin Rama, ku ne rrugë kanë shkruar: Nuk ka dialog mes qafës dhe shpatës! Dorëheqje

Pedagogët dhe studentët lënë Kryeministrinë, nisen drejt Ministrisë së Arsimit

Pas një ore që pedagogët dhe studentët qëndruan para Kryeministrisë, ata kanë vijuar marshimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt Ministrisë së Arsimit.

Pedagogët kanë bojkotuar mësimin për të mbështetur studentët në kërkesat e tyre si dhe janë kundër dhunës që po bëhet ndaj të rinjve.

Te Ministria e Arsimit bashkohen edhe protestues të tjerë, aty ku zakonisht ka dhe përplasje mes tyre dhe policisë.

Sot është dita e dytë e marshimit paqësor nga ana e pedagogëve, ndërkohë shënohet dita e tetë e protestës e cila ka qenë e dhunshme.

Disa protestues ngjiten në shkallët e Kryeministrisë, tentojnë të godasin derën kryesore, ndërhyn policia

Një pjesë e protestuesve janë ngjitur në shkallët e Kryeministrisë dhe, duke marrë karriget që kryeministri Edi Rama kishte vendosur për dialog, kanë tentuar të godasin derën e Kryeministrisë.

Menjëherë pas këtij veprimi nga studentët, ka ndërhyrë policia, e cila i ka zbritur poshtë dhe i ka bashkuar me pjesën tjetër të protestuesve.

Studentët i kërkojnë dorëheqjen dhe refuzojnë dialogun, Rama: Mblidhen nga periferitë dhe sponsorizohen nga krimi

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar protestat e dhunshme si një aksion të orkestruar nga elementë të brendshëm dhe të jashtëm, duke përmendur lëvizjen ANTIFA, grupe të radikalizuara të rinisë dhe elementë të kriminalitetit.

Në një takim që kreu i qeverisë zhvilloi me përfaqësues të bankave, kryeministri i konsideroi studentët që protestojnë si anarkiste, neo komunistë dhe që ulërasin si në mesjetë.

“Kjo është një dhunë e orkestruar, e lidhur me elementë të brendshëm dhe të jashtëm, përmes një lëvizje anarkiste neo komuniste e cila quhet ANTIFA dhe pjesësh të tjera të radiklizuara të rinisë. Vajza dhe djem që janë të ekstremizuar dhe që ulërasin dhe bëjnë thirrje si në kohën e mesjetës apo pas luftës për të burgosur cilindo që sipas tyre përfaqëson të keqen. Ana tjetër është komponenti i kriminalitetit. Kriminaliteti i vogël i lagjeve dhe periferive që mblidhet me sponsorimin e krimit të organizuar, por edhe të subjekteve të tjera politike”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, këto grupe kanë mbështetje nga forca të huaja që synojnë destabilizimin e Shqipërisë dhe Evropës.

“Të gjitha këto bashkë kanë një mbështetje të provuar dhe që provohet dita ditës nga forca të huaja, të interesuara për të destabilizuar Shqipërinë dhe Evropën në tërësi. Këta elementë të bashkuar në një front të vetëm, nuk janë studentët dhe shoqëria që kanë të drejtë të protestojnë për të kërkuar ndryshim dhe gjithçka tjetër. Fatkeqësisht ka njerëz gjithnjë e më pak, por ka njerëz, si rasti i pedagogëve të Universitetit, një pjesë shumë e vogël në terësi së bashku me të tjerë aty që i bëjnë jehonë dhe nuk bëjnë asgjë për tu distancuar nga dhuna, gjë që e merr të plotë jehonin në ekrane”, tha Rama ne takimin me drejtuesit e sistemit bankar.

“Rama ka bërë vetëm monolog”- Enkelejda Olldashi: Kryeministri ka qenëq vetë protestues dhe është rrahur!

Pedagogia Enkelejda Olldashi, ndërsa doli në mbështetje të studentëve, kritikoi kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ka bërë vetëm monolog.

Në një prononcim për mediat, Olldashi u shpreh se pedagogët duhet të ishin bashkuar me studentët që në ditën e parë të protestës. Sipas saj, prania e tyre në shesh është një mënyrë për t’u treguar të rinjve se nuk janë vetëm në kërkesat dhe kauzën e tyre.

Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas saj, kryeministri Edi Rama komunikon me publikun, duke e cilësuar atë si një formë monologu dhe jo dialogu. Më pas, ajo kujtoi se kryeministri ka qenë vetë protestues dhe se është dhunuar, ndaj nuk do të kishte lejuar dhunën ndaj të rinjve.

“Kam përshtypjen se ju gazetarët keni qenë syri i të gjithë shqiptarëve dhe besoj se duhet të jua bëj unë pyetjen çfarë është duke ndodhur? Pedagogët duhet të ishin në shesh me studentët që ditën e parë. Por edhe thirrja që ne kemi bërë të bashkohemi do të thotë të bashkohemi si grup i vetëm për ti treguar studentëve që jemi me ta, Dhe sot është për të treguar që ne jemi këtu me ju për ju. Kuptimi i fjalës dialog është e kundërta e fjalë monolog dhe nëse gjatë gjithë kohës ka pasur monolog do të thotë që nuk ka vend për dialog. Në fakt Rama ka bërë monolog dhe është one men show dhe e bën shumë bukur atë rol dhe e ka perfektë. Dhe besoj se në ndonjë moment të jetë do i kthehet akademisë së arteve. Kryeministri i sotëm dua ti kujtoj se është kryeministri që ka protestues dhe është rrahur. Vetë ka qenë protestues. Unë nuk jam pjesë  e oborrit perandorak të tij, por rinia përveç këtij manifestimi apo revolte të arrij t’i nxjerrë ndërgjegjen në pah, ai duhet të jetë falënderues”, tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat