“Bojkoti do të vazhdojë”- Pedagogët në mbështetje të studentëve, Aleksandër Kovaçi: Rama t’i thërrasë ndërgjegjes, të japë dorëheqjen!
Kreu i Sindikatës së Universiteteve, Aleksandër Kovaçi ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se pedagogët janë në mbështetje të studentëve dhe të rinjve që protestojnë.
Kovaçi bëri të ditur se bojkoti ka nisur këtë të mërkurë dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë, në varësi të zhvillimeve dhe mundësive për dorëheqjen e kryeministrit.
“Kryeministri duhet të japë dorëheqjen, ne jemi për të mbështetur studentët. Bojkoti e ka fillimin sot dhe pas një njoftimi të dytë do të ketë mbarimin, në funksion të mundësive të dorëheqjes së kryeministrit. Edhe Shkodra edhe Korça kanë bojkotuar. Ne do të dalim cdo ditë në orën 10:00 dhe vijmë në një marshim deri këtu. Ti thërrasë ndërgjegjes në interes të kombit”, tha ai.
Sipas Kovaçit situata ku jemi është për faj të të gjithë klasës politike: “I bëj thirrje politikes shqiptare, sepse është fajtore. Duhet të ndryshojë sistemi, që të ketë demokraci dhe llogaridhënie”.
Një protestuese del pro dialogut me Ramën, debaton ashpër me tubuesit e tjerë
Ashtu si dje, edhe sot Rama nxori në shesh karriget për dialog dhe protestuesit bënë të njëjtën gjë, duke refuzuar dialogun dhe hedhur tutje karriget.
Ndryshe nga pjesa dërrmuese, një protestuese është shfaqur pro dialogut me Ramën, çka edhe ka krijuar një përplasje me pjesën tjetër të të pranishmëve.
Zonja shihet të debatojë me pjesën tjetër të të pranishmëve me tone të larta.
Studentë dhe pedagogë sërish para zyrës së Kryeministrit, nuk ka “tym të bardhë” për dialog me Ramën V
Kjo e mërkurë shënon ditën e tetë të protestës, e cila u iniciua nga studentët, e në vijim bëri bashkë edhe qytetarë të tjerë dhe pedagogë.
Sikurse edhe dje, sot pedagogët i janë bashkuar tubimit bashkë me studentët, duke u mbledhur fillimisht para Kryeministrisë.
As sot nuk u pranua shtrirja e dorës për dialog nga Edi Rama, ku, në shenjë revolte, ata larguan dhe hodhën karriget e vendosura në shesh.
Ndërkohë, mësimi është bojkotuar në Korçë dhe pjesërisht në Tiranë e Korçë.