Studentët ndryshojnë strategjinë e protestës: Dy tubime kombëtare në javë

Shqipëria

Studentët ndryshojnë strategjinë e protestës: Dy tubime kombëtare në javë

Më: 4 nëntor 2026 Në ora: 19:31
Protesta në Tiranë

Studentët kanë vendosur të ndryshojnë mënyrën e organizimit të protestave, duke njoftuar se tashmë tubimet kombëtare do të zhvillohen çdo të mërkurë dhe të shtunë. Protesta e radhës është paralajmëruar për më 7 nëntor, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit.

Pas më shumë se 150 ditësh protestë, studentët kanë njoftuar një strategji të re për vijimin e tubimeve kundër qeverisë, duke vendosur që protestat kombëtare të organizohen dy herë në javë.

Përmes një deklarate për mediat, organizatorët kanë bërë të ditur se protesta e radhës do të mbahet të shtunën, më 7 nëntor, në orën 14:00, përballë Ministrisë së Arsimit.

Sipas tyre, vendimi për të ndryshuar mënyrën e organizimit vjen pas më shumë se 150 ditësh protestë të pandërprerë, gjatë të cilave kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, siç pretendojnë ata, është injoruar nga qeveria.

Në këtë fazë të re, studentët kanë vendosur që protestat kombëtare të zhvillohen çdo të mërkurë dhe të shtunë, në orën 14:00, me synimin për të rritur intensitetin e mobilizimit dhe për t'u krijuar mundësi pjesëmarrjeje më të qëndrueshme studentëve dhe mbështetësve të tyre.

Organizatorët theksojnë se ndryshimi i kalendarit nuk nënkupton tërheqje nga kërkesat e tyre. Ata deklarojnë se do të vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama, ndërsa shprehin gatishmërinë për të mbështetur edhe protesta të tjera qytetare kundër qeverisë, pavarësisht se kur do të organizohen.

“Pas më shumë se 150 ditësh protestë të pandërprerë, pushteti në Shqipëri vazhdon të injorojë kërkesën e revoltës qytetare: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Autokracia ka lëshuar rrënjë të thella në Shqipëri dhe ne jemi të përgatitur për një betejë të gjatë. Prandaj, po hyjmë në një fazë të re organizimi.

Për t’i dhënë rrjetit studentor dhe mbështetësve tanë mundësinë të japin maksimumin në çdo ditë proteste, studentët kanë vendosur se protestat tona kombëtare do të vijojnë dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë në orën 14.00, me një intensitet që nuk mund të injorohet.

Ne vijojmë të mbështesim protestat e tjera qytetare kundër qeverisë, kurdo që të organizohen ato.

Lufta e shqiptarëve për demokraci vazhdon. Autokracia do të bjerë, ashtu siç ra edhe diktatura”, thuhet në deklaratë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat