Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, duke u ndalur te largimi i Elisa Spiropalit nga posti i kryetares së Kuvendit dhe pakënaqësitë e saj ndaj mënyrës se si është trajtuar politikisht.
I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në News24, Korreshi u shpreh se Spiropali është deklasuar politikisht, ndërsa e konsideroi situatën e saj si një përjetim të asaj që, sipas tij, opozita dhe qytetarët kanë vuajtur gjatë 13 viteve të qeverisjes socialiste.
Sipas deputetit demokrat, Spiropali ka provuar nga afër presionin e shtetit, pasi ka shprehur pakënaqësi për largimin nga drejtimi i Kuvendit dhe kalimin në krye të Ministrisë së Jashtme.
Ai theksoi se posti i kryetares së Kuvendit i jepte Spiropalit një ndikim të rëndësishëm politik dhe institucional, duke përmendur edhe rolin e saj në drejtimin e strukturave në qark.
Korreshi komentoi gjithashtu përplasjet për pushtetin dhe ndikimin brenda Partisë Socialiste, duke pretenduar se Spiropali dhe figura të tjera të kësaj force politike janë përballur me rivalitete të brendshme.
“Kemi qenë kolegë. Çfarë po ndodh me të? E kanë deklasuar. Unë kam bërë edhe një koment në komision, ja thashë: i varën armët në gozhdë, sepse ishte një nga veteranët, një nga përfituesit më të mëdhenj brenda PS-së, në gjykimin tim, që u hëngri kokën, siç e ka edhe shprehjen Rama, “kokat hëngshin”. Ku ishte Spiropali që në zgjedhjet e vitit 2025 thoshin për Karakaçin, Nufin, Llambadarin, që u bënë ministra, ishin të gjithë mbajtësit e çantës së Ballukut në Fier. Me drejtorin e Tatimeve, me AKU-në, me dreqin…
Çfarë ka Spiropali? Thjesht provoi atë që kemi 13 vite që kemi në kurriz. Egërsinë e një shteti kur merret me ty personalisht. I vajtën te dera e shtëpisë, i vunë gjobë. Ka shprehur pakënaqësi me rënien si kryetare e Kuvendit. Spostimi te Ministria e Jashtme. Të jesh numri dy i shtetit nuk qenka i pëlqyeshëm? Çfarë thua?! Ke shumë gjëra në dorë. E di çfarë bëhet me këto vendime pune për kryetar Kuvendi, me hyrjen në Kuvend. Është si të hysh te guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ku punojnë të gjithë. Elisa ishte e pavarur si kryetare, kishte shumë gjëra, ishte edhe drejtuese qarku e tenderave, me drejtorë. Nuk kalon gjë pa firmosur drejtuesi i qarkut, çfarë hyn në qark, të marrësh fonde për lote rrugësh, shkolla.
Ndenji gati një vit si kryetare. Puçin ia bëri Bela, sepse do zonën e influencës. Pas zgjedhjeve vendosi drejtorët e vet. Do pushtet absolut. Zona e influencës së tyre është se kush do të rrijë pas Ramës. Spiropali dhe Erjoni rritën Belën, Bela u hëngri kokën të dyve. Balluku ka marrë gjysmën e qeverisë, administron 95% të buxhetit të shtetit.”, tha ai.