Taksa 20% mbi xhiron, Shehaj: Po shkatërroni jetën dhe bizneset e njerëzve që mbajnë në këmbë ekonominë

Shqipëria

Taksa 20% mbi xhiron, Shehaj: Po shkatërroni jetën dhe bizneset e njerëzve që mbajnë në këmbë ekonominë

Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 20:43
Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj

Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj ngriti zërin në Kuvend gjatë seancës plenare kundër vendimit të qeverisë për paketën fiskale e cila bën që bizneset e vogla të paguajnë 20% taksë mbi xhiron.

Në fjalën e tij, Shehaj iu referua konkretisht pasojave që do të vuajë një biznes i vogël si në rastin e një parukerie, e cila në fund të muajit do të ketë më pak fitime.

” Po ju marr një shembull shumë të thjeshtë: një parukeri, për shembull. Flasim për biznese që mund të kenë një xhiro mujore prej 8 milionë-9 milionë lekësh në muaj, që pasi zbresin nga kjo xhiro mujore pagat e bashkëpunëtorëve të tyre, qiranë dhe ndonjë shpenzim tjetër të vogël, mund t’u mbeten në xhep 2 milionë, 1 milion, 1 milion e gjysmë. Tani, ju çfarë po bëni duke i përfshirë në skemën e TVSH-së?

Praktikisht, kjo parukeri nga data 1 janar, xhiroja e saj nuk do të jetë më 8 milionë, por do të jetë pak a shumë 8 milionë minus 20%. Sepse ajo ose do të rrisë çmimin, ose TVSH-në nuk e merr mbrapsht, e ka kosto, sepse nuk ka asnjë shpenzim me TVSH”, tha Shehaj.

Për këtë, Shehaj pati edhe një replikë me deputetin socialist Erion Bracce i cili dëgjohet të thotë se parukeritë harxhojnë ujë dhe për këtë do paguajnë TVSH.

“Po sa TVSH harxhojnë për ujë në muaj, mo?

Se na habitët, bëni dhe sikur merrni vesh nga biznesi. Sa mijëra € harxhon në muaj për ujë dhe për bojëra? Për të larë kokën tënde?

Sa TVSH paguajmë për të larë kokën tënde?”

Sipas Shehajt, me taksën 20% mbi xhiron, qeveria po shkatërron bizneset dhe jetën e atyre që me punë të ndershme mbajnë në këmbë ekonominë e vendit.

“E kuptoni që po shkatërroni jetën dhe bizneset e qindra mijëra shqiptarëve që po mundohen çdo ditë t’ia dalin me punën e tyre? Pa u shtrirë dorën juve, pa pritur prej jush. Dhe ju, me një të rënë të lapsit, i fusim TVSH, si pa gjë të keqe fare. Me taksën 20% mbi xhiron, po shkatërroni bizneset dhe jetën e atyre që me punë të ndershme mbajnë në këmbë ekonominë e vendit”, shprehet Shehaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat