Mjekët në Rrajcë ofrojnë kontrolle falas për qytetarët, në fokus diagnostikimi i hershëm i k*ncerit të gjirit

Shqipëria

Mjekët në Rrajcë ofrojnë kontrolle falas për qytetarët, në fokus diagnostikimi i hershëm i k*ncerit të gjirit

Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 21:14
Mjekët në Rrajcë

Diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit dhe ndërgjegjësimi për kontrollet periodike ishin në qendër të një nisme humanitare të zhvilluar në Rrajcë të Përrenjasit, ku një grup mjekësh nga Tirana ofruan vizita dhe ekzaminime mjekësore falas për banorët e zonës.

Mjekët theksuan se sensibilizimi për kancerin e gjirit nuk duhet të kufizohet vetëm në muajin tetor, të njohur si Tetori Rozë, por duhet të vijojë gjatë gjithë vitit. Sipas një prej mjekëve onkologë të përfshirë në këtë nismë, një grua mund të zhvillojë kancer të gjirit gjatë jetës së saj, ndaj kontrollet dhe ndërgjegjësimi i vazhdueshëm janë thelbësorë.

"Ekzaminimi i kancerit të gjirit shpëton jetë. Këtë duhet të kuptoni", ishte mesazhi i përcjellë nga mjekët, të cilët nënvizuan gjithashtu rëndësinë që ka diagnostikimi i hershëm i sëmundjeve te gratë për shëndetin publik, mirëqenien e familjes dhe të gjithë komunitetit.

Nisma u realizua nga organizata "Doors of Life Albania", e themeluar në vitin 2019 nga një grup mjekësh vullnetarë, mes tyre profesor Maksim Çela dhe profesor Bajram Hysa. Ideja e tyre ishte krijimi i një ekipi mjekësor që do t'u vinte në ndihmë komuniteteve përmes shërbimeve shëndetësore falas.

Përtej ekzaminimeve për kancerin e gjirit, qytetarët patën mundësinë të kryenin edhe kontrolle të tjera të nevojshme mjekësore. Organizatorët garantuan se asnjë banor nuk do të mbetej pa u vizituar, duke kërkuar mirëkuptim dhe durim nga qytetarët, pasi shëndeti duhet të jetë gjithmonë përparësi.

Mjekët vlerësuan se depistimi dhe kontrollet e vazhdueshme janë të domosdoshme, ndërsa iniciativa të tilla krijojnë mundësi shtesë për qytetarët që të përfitojnë nga eksperienca e specialistëve me përvojë të gjatë profesionale.

Kjo nismë në Rrajcë vjen si një shembull i solidaritetit dhe humanizmit, duke synuar që shërbimi shëndetësor dhe mundësia për t'u kontrolluar të mos mbeten privilegj, por të jenë të aksesueshme për çdo qytetar, pavarësisht vendbanimit apo mundësive ekonomike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat