Dukuritë paranormale në qytetin e shkatërruar gjatë Luftës Civile Spanjolle, Belçite me fantazma

Speciale

Dukuritë paranormale në qytetin e shkatërruar gjatë Luftës Civile Spanjolle, Belçite me fantazma

Më: 27 tetor 2021 Në ora: 14:07
Foto ilustrim

Midis 24 gushtit dhe 6 shtatorit të vitit 1937, gjatë Luftës Civile Spanjolle, qyteti i Belçites në verilindje të Spanjës, u bë një objektiv strategjik për forcat e qeverisë republikane, para sulmit të tyre në qytetin e afërt të Zaragozës. Qyteza u duk në fillim një objektiv i thjeshtë, por pushtimi i tij zgjati më shumë sesa pritej.

Më shumë se 5.000 njerëz vdiqën në 14 ditë luftime intensive dhe qyteti u rrafshua, me gati gjysmën e 3.100 banorëve të qytetit që vdiqën në luftë. Lufta asgjësoi historinë shekullore të atij vendbanimi. Qyteza nuk u rindërtua më kurrë, megjithëse pranë saj u ndërtua një Pueblo Nuevo (një qytet i ri).

Rrugët mbetën të shkreta. Qentë endacakë ishin të vetmit që u futën në rrënojat e mbuluara nga barërat e këqija. Një tabelë e shkruar në një mur thotë:“Qyteti i vjetër, rrënoja historike”. Disa grafite të shkruara në dyert e Kishës së San Martinit, kujtojnë kohët më të mira:“Qyteti i vjetër i Belçites, të rinjtë nuk shëtisin më në rrugët e tua. Janë zhdukur zhurmat e këngëve që kënduan prindërit tanë”.

Belçite u shndërruar në njënjë muze në natyrë i tmerreve të luftës civile të viteve 1936-1939, që shkaktoi 300.000 të vdekur dhe plagë që për disa njerëz nuk janë shëruar ende as sot. Për shumë vendas, beteja e Belçites nuk ka përfunduar ende, dhe kjo gjykuar nga raportet mbi dukuritë paranormale.

Disa këmbëngulin se kanë dëgjuar britmat e ushtarëve që janë në grahmat e fundit të jetës, ndërsa të tjerë thonë se kanë parë imazhin e Kontit të Belçites të endet nëpër rrugë, në pamundësi për të gjetur një vend prehje pasi kufoma e tij u zhvarros.

Gazetari dhe studiuesi Karlos Bogdaniç, vendosi të zbulojë nëse pretendime të tilla kishin ndonjë bazë. Ndaj ai vizitoi Belçites në një mbrëmje të ftohtë tetori të vitit 1986. Ai shkoi aty me një ekip nga programi televiziv “Cuarta Dimensión” (Dimensioni i Katërt).

Afër mëngjesit, tregoi ai, u duk se një forcë e mbinatyrshme i tërhiqte dhe i kontrollonte për disa orë. Ata lëviznin sikur dikush t’i udhëzonte, të pavetëdijshëm mbi atë që po bënin. Ai kujtoi më vonë:“Ne u ngjitëm në Kullën e Sahatit. Menduam se do të shkonim pikërisht në majë. Të nesërmen, kur pamë atë që kishim bërë, nuk mund ta besonim. Mund të kishim vrarë veten, por gjithsesi diçka na joshi që ta bëjmë këtë”.

Ndërkohë,në sfond dëgjoheshin tinguj lufte. Ata nuk panë me sy asgjë të çuditshme. Por duke dëgjuar regjistrimet, zbuluan tinguj që mund të identifikoheshin lehtësisht me luftën:avionët, bombat, tanket, të shtënat apo këngët ushtarake. Regjistrimet misterioze bënë një zhurmë të madhe në atë kohë, në Spanjë dhe në mbarë botën.

Legjenda që nisi atëherë, nuk është zbehur as sot pas kaq shumë vitesh. Një shembull tjetër i ngjarjeve paranormale u zhvillua në qytet gjatë xhirimit të filmit“The Aventures of Baron Munchausen” të vitit 1989 me regjinë e Terri Xhiliam. Disa anëtarë të stafit panë dy gra të veshura me rroba tradicionale të cilat u zhdukën kur ata iu afruan.

Ambienti misterioz i Belçites frymëzoi gjithashtu regjisorin meksikan Guilermo del Toro, që xhiroi këtu pjesë të filmit të tij “Pan’s Labyrinth”; dhe spanjollit Albert Boadela, që realizoi versionin e tij grotesk të gjeneralit Francisko Franko në filmin “Një udhëtim i mbarë, Shkëlqesia e Tij rikthehet në Belçite”.

Edhe vizitorët e zakonshëm, janë gjendur në situata të pazakonta. Aktualisht, të interesuarit mund ta vizitojnë Belçites vetëm në orare të caktuara çdo ditë, me një prenotim paraprak. Vizitorët më të guximshëm mund ta vizitojnë atë në orën 10 të mbrëmjes gjatë fundjavave.

Bileta nuk përfshin një përvojë paranormale të garantuar, por shumë vizitorë këmbëngulin se u kanë ndodhur gjëra të çuditshme. Ku përfshijnë ndryshime të papritura të temperaturës apo ndjenjën e çuditshme të vëzhgimit nga një cep i rrugës ose nga një dritare.

Për më tepër, fenomene të tilla bëhen më të shpeshta kur bie mbrëmja, a thua se nata e rigjallëron jetën në qytetin e shkatërruar. Janë 4 zona ku përvojat paranormale, kanë qenë më intensive:Plaza de la Cruz, varri masiv, dhe dy kishat e qytetit. Në fakt, ekzistojnë varre masive në të katërta vendet, si për shkak të Luftës Civile,po ashtu edhe nga epidemia e murtajës që goditi këtë zonë në kohën e Mesjetës.

Cilado qoftë e vërteta e këtyre historive, Belçite është bërë një nga vendet më të vizituara në provincën e Zaragozës vitet e fundit. Dhe pavarësisht nga fantazmat, rrugët e saj ishin skenat e akteve të tmerrshme dhe të një historie mizore që nuk duhet të përsëritet. Rrugët e Belçites janë plagët e hapura të një qyteti që duhej të shpikte veten për të vazhduar jetën./ La Razon” – Bota.al

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat