Pse disa njerëz mund t’i “dëgjojnë” zërat e të vdekurve?/ Ja çfarë thotë shkenca

Speciale

Pse disa njerëz mund t’i “dëgjojnë” zërat e të vdekurve?/ Ja çfarë thotë shkenca

Më: 7 nëntor 2021 Në ora: 13:49
Ilustrim

Shkencëtarët kanë identifikuar karakteristikat, të cilat mund ta bëjnë një person më të prirur se të tjerët të pretendojë se dëgjon zërat e të vdekurve. Sipas një studimi më të fundit, përvojat e pazakonta të dëgjimit të zërave gjatë fëmijërisë, dhe një ndjeshmëri e lartë ndaj halucinacioneve dëgjimore, ndodhin që të gjitha më shumë tek mediumet e vetë-përshkruara si të tillë sesa tek popullata në përgjithësi.

Studiuesit thonë se gjetje të tilla mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë halucinacionet shqetësuese të dëgjimit, që shoqërojnë sëmundje mendore si skizofrenia.

Përvojat spiritualiste – si ajo të parit apo dëgjuarit të diçkaje në mungesë të një stimuli të jashtëm, dhe që u atribuohet shpirtrave të të vdekurve – është me interes të madh shkencor, si për antropologët që studiojnë përvojat fetare dhe shpirtërore, ashtu edhe për shkencëtarët që studiojnë përvojat patologjike haluçinogjene.

Studiuesit do të donin të kuptonin në veçanti më mirë, arsyen pse disa njerëz me përvoja dëgjimore të tilla, raportojnë një përvojë spiritualiste, ndërsa të tjerët i konsiderojnë ato si shqetësuese, dhe nisin të kurohen për probleme të shëndetit mendor.

“Spiritualistët kanë tendencën të raportojnë përvoja të pazakonta dëgjimore që janë pozitive, të cilat fillojnë herët në jetë, dhe që shpesh janë në gjendje që t’i kontrollojnë ato”- thotë psikologu Piter Mozlej nga Universiteti i Northumbrias në Britaninë e Madhe. Sipas tij të kuptuarit se si zhvillohen këto përvoja është e rëndësishme,pasi mund të na ndihmojë që të kuptojmë më shumë rreth përvojave shqetësuese ose të pakontrollueshme të dëgjimit të zërave.

Ai dhe kolegu i tij Adam Pauell i Universitetit Durham po në Britaninë e Madhe, rekrutuan dhe anketuan 65 mediume nga Unioni Kombëtar i Spiritualistëve, dhe 143 qytetarë të rekrutuar përmes mediave sociale, për të përcaktuar se çfarë i diferenconte spiritualistët nga publiku i gjerë, i cili zakonisht nuk raporton dëgjimin e zërave të të vdekurve.

Në përgjithësi, 44.6 për qind e spiritualistëve raportuan se dëgjonin çdo ditë, dhe 79 për qind thanë se përvojat ishin pjesë e jetës së tyre të përditshme. Dhe ndërsa shumica raportuan se dëgjonin zëra brenda kokës së tyre, 31.7 për qind raportuan se zërat vinin edhe nga jashtë.

Rezultatet e sondazhit ishin mbresëlënëse. Krahasuar me popullsinë e përgjithshme, spiritualistët raportuan një besim shumë më të lartë tek dukuritë paranormale, dhe kishin gjithashtu më pak gjasa të shqetësoheshin mbi atë që mendonin për ta njerëzit e tjerë.

Spiritualistët e kishin pasur në përgjithësi përvojën e tyre të parë dëgjimore në moshë të re, mesatarisht 21.7 vjeç, dhe raportuan një nivel të lartë të këtyre dukurive. Ky është një term që përshkruan zhytjen totale në detyrat, aktivitetet mendore apo gjendjet e ndryshuara, dhe sa efektiv është individi në rregullimin e botës përreth tij.

Përveç kësaj, ata raportuan se ishin më të prirur për përvoja të ngjashme me haluçinacionet. Studiuesit vunë në dukje se ata zakonisht nuk kishin dëgjuar për spiritualizmin përpara përvojave të tyre; përkundrazi e kishin hasur atë teksa kërkonin përgjigje për gjëra të caktuara.

Në popullatën e përgjithshme, nivelet e larta të perceptimit të dukurive paranormale, ishin gjithashtu të ndërlidhura fort me besimin tek paranormalja, por me një ndjeshmëri të vogël ose aspak ndjeshmëri ndaj halucinacioneve dëgjimore.

Dhe në të dyja grupet, nuk kishte dallime në nivelet e besimit tek paranormalja dhe ndjeshmëritë ndaj haluçinacioneve vizuale. Për studiuesit këto rezultate, sugjerojnë që përjetimi i “zërave të të vdekurve” nuk ka të ngjarë të jetë rezultat i presionit të kolegëve, një konteksti pozitiv shoqëror apo i sugjerueshmërisë për shkak të besimit tek paranormalja.

Përkundrazi, këta individë e adaptojnë spiritualizmin, pasi ai përputhet me përvojën e tyre, dhe është personalisht domethënës për ta.

“Gjetjet tona tregojnë shumë mbi “të mësuarit dhe dëshirën”. Për pjesëmarrësit në studimin tonë, parimet e Spiritualizmit duket se kanë kuptim si për përvojat e jashtëzakonshme të fëmijërisë, ashtu edhe për fenomenet e shpeshta dëgjimore që ata përjetojnë si mediume praktike”-thotë Pauell.

Por sipas tij, të gjitha këto përvoja mund të vijnë kryesisht nga të pasurit tendenca të caktuara apo aftësi të hershme,dhe jo thjeshtë nga besimi tek mundësia e kontaktit me të vdekurit,sidomos nëse dikush përpiqet mjaftueshëm.

Studiuesit thonë se hulumtimet e ardhshme, duhet të eksplorojnë një sërë kontekstesh kulturore për të kuptuar më mirë marrëdhënien midis përthithjes, besimit dhe përvojës së çuditshme shpirtërore të fantazmave që u pëshpëritin disa njerëzve në vesh.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat